Denoncim i kolonel Perikli Koliçit:’Kam fituar gradën e Gjeneralit me vendim të Gjykatës së Apelit por Ministri Arben Imami refuzon me kokëfortësi duke shënuar ‘nuk e bëj!’
Ushtarakë madhorë, gjeneralë e kolonelë për merita partiake dhe jo aftësi profesionale, është një tjetër skandal në Forcat tona të Armatosura, që sot festojnë 100-vjetorin e themelimit të tyre. Denoncimi, mbështetur në dokumente zyrtare, këtë radhë bëhet nga kolonel Perikli Koliçi, ish-komandant i Akademisë Ushtarake, shkarkuar me firmë të Ministrit Arben Imami pa asnjë motivacion zyrtar. Ndërkohë që Koliçi ka fituar gradën e gjeneralit me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, Arben Imami, jo vetëm që refuzon zbatimin e vendimit, por për hakmarrje, së fundi e ka nxjerrë në lirim Koliçin, një nga ushtarakët tanë më të aftë, me vlerësime zyrtare maksimale nga partnerët e vendit tonë në NATO. Nëpërmjet dokumenteve zyrtare që ‘Dita’ ka siguruar në Ministrinë e Mbrojtjes, jo vetëm për rastin në fjalë por dhe shumë të tjerë për ‘gradimet partiake të Imamit’, evidentohet dhe një ‘njollë’ tjetër e zezë në ministrinë e shumëpërfolur për skandale me shitje trafik apo armësh, me shitje të pasurisë, trojeve , etj… Denoncimet e Koliçit, për komandantë që mobilizojnë ushtrinë në favor të PD-së(kryesisht në veri) në fushata elektorale, gradime, emërime por dhe largime nga ushtria, janë bërë objekt dhe në Komisionin e Sigurisë dhe Parlament, ku Arben Imami, me karshillëk ka deklaruar se “gradat jepen dhe për ushtarakë që kanë kryer detyra të rëndësishme, hapur ose mbuluar..”. Për herë të parë, për këtë skandal e të tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Koliçi dha intervistën e më poshtme për gazetën ‘Dita”…..
Zoti Koliçi! Ju jeni një nga ushtarakët e lartë të vendit, që ndonëse jeni renditur i pari dhe me diferencë të dukshme pikësh nga Komisioni i Karrierës, nuk u është dhënë grada e gjeneralit?
-Nëse do të ishte një rast, i imi personalisht, do të heshtja e do mjaftohesha me kërkimin e të drejtës në rrugë ligjore, siç kam bërë dhe e kam fituar. Ndonëse Imami refuzon vendimin e formës së prerë. Por janë me dhjetëra raste, apo dhe qindra, kur për karierën, gradën apo detyrën në ushtri, vendos besnikëria ndaj partisë në pushtet, e jo aftësitë profesionale, të verifikuar në rrugë ligjore si dhe nga aleatët e NATO-s. Në rastin konkret, Komisioni i Karierës, i përbërë nga 5 gjeneralë mua më ka vlerësuar të parin me 8.39 pikë, ndërsa gjeneralë janë bërë dhe me 6 pikë… Pasi kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore, përballë ministrit që sfidon ligjet, unë kam njoftuar zyrtarisht Kuvendin e Shqipërisë, Komisionet Parlamentare, NATO-n, e sigurisht dhe Presidentin e Republikës… Çdo gjë në këto skandale, unë e kam të dokumentuar…
Të rikthehemi tek rasti i vlerësimit e gradimit të gjeneralëve, ku ju, për aftësi profesionale u renditët i pari?
-Po. Më 24.08.2009, Komisioni i Karierës i përbërë nga 5 gjeneralë, i kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në bazë të konkursit korekt, bëri vlerësimet përkatëse në pikë, duke përcaktuar dhe renditjen e konkurrentëve. Në bazë të pikëve të fituara, Komisioni i Karierës përcaktoi tre vetë që meritonin gradën e gjeneralit, përkatësisht mua që isha i pari(8.39 pikë), Bardhyl Hoxhën(8.17 pikë) dhe Foto Duron me 7.87 pikë. Por Imami e eprorët e tij e përmbysën këtë listë, duke shmangur kriteret profesionale e duke bërë selektim partiak… Asnjëri nga ne tre të parët nuk e mori gradën, por e morën Dhori Spirollari(7.56 pikë), Kristaq Gerveni(7.01 pikë), Abaz Lleshi(6.87 pikë) Xhemal Gjunkshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm sot(6.63 pikë) dhe Sandër Lleshin (6.24 pikë)…
Si vepruat ju pas këtij fakti që ju e cilësoni skandal?
-U befasova. Nuk gjej asnjë arsye ligjore për këtë veprim skandaloz. Nuk është vendi të flas për kolegët, por shmangia e kriterit profesional në gradime e emërime, nuk ndodh në asnjë ushtri të vendeve anëtare të NATO-s. Pas denoncimit të skandalit, Arben Imami, u ‘mbrojt’ përballë akuzave me argumentin se “gradat jepen dhe për ushtarakë që kanë kryer detyra të rëndësishme, hapur ose mbuluar”. Pra është e qartë…
Si e kërkuat të drejtën tuaj të mohuar?
-Fillimisht, konsumova të gjitha shkallët administrative që përcakton ligji e rregulloret ushtarake. Bëra mbi 10 letra Imamit, Kryeministrit të vendit e Presidentit të Republikës. Por asnjë përgjigje zyrtare. I vetmi që reagoi në vitin 2009, ishte ish-Presidenti Bamir Topi me këshilltaren për Sigurinë Kombëtare. Përgjigja ishte: ”Keni të drejtë. Presidenti i Republikës është shqetësuar seriozisht dhe e quan të pakuptimtë këtë veprim. Ndiqeni në rrugë gjyqësore!”.
Cilat ishin hapat e mëtejshëm?
-Pasi konsumova të gjitha rrugët administrative, nisa proceset gjyqësore. Në shkallën e Parë të gjykimit, në nëntor të vitit 2009, më erdhi keq, pasi pa asnjë argument, gjykata i dha të drejtë Arben Imamit, ligjëroi skandalin. Ndërsa Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendimin e formës së prerë, përkatësisht atë me nr 723, datë 29.03.2012, më dha të drejtë mua. Në vendimin që shoqërohet me 17 faqe argument thuhet: “…Detyrohet Ministri i Mbrojtjes të nxjerrë një akt administrativ në përputhje me ligjin, me qëllim rivendosjen e së drejtës së cënuar paditësit Perikli Koliçi, në vijim të procesit të gradimit, inicuar me urdhrin Nr 821, datë 11.06.2009 të Ministrit të Mbrojtjes”.
E mori Ministria e Mbrojtjes këtë vendim të formës së prerë të gjykatës?
-Sigurisht. Ia dërgova vendimin dhe urdhrin e ekzekutimit… Por Imami nuk njeh vendim gjyqi. Në dokumentin përkatës, sigloi: ”…nuk bëhet”.
Rikthehemi tek lista e gjeneralëve… Disa prej tyre, janë përfolur si Njerëz të lidhur me PD-në e pushtetin e saj, bile, si të përfshirë deri në fushata elektorale?
-Unë, në karrierën time të gjatë, i jam kushtuar vetëm punës. Asnjëherë nuk kam pasur kohë të merrem me gjëra të tilla. Jam përpjekur që nëpërmjet punës, të justifikoj paranë që japin taksapaguesit për ushtrinë, jo të shkel statusin, të ndikoj në dhunim vote apo shkelje të tjera me synim përfitim në karrierë…
Atëherë, nënteksi është se për këtë shkak, pra nuk i ke shërbyer partisë në pushtet, nuk ke vajtur në zona elektorale, ndaj nuk të kanë dhënë gradën e gjeneralit?
-Nuk më takon mua të komentoj këtë. Por çdo gjë, që unë e kam të dokumentuar dhe siç shihet dhe në dokumentet që ju keni siguruar në Ministrinë e Mbrojtjes, flet fare qartë… Kështu, ndaj meje që nuk pranova të bëj kompromis me dinjitetin, nisi hakmarrja e Imamit…
Në çfarë formash ishte kjo hakmarrje?
-Në kohën që Gjykata e Apelit në Tiranë përfundoi gjykimin e dha vendimin e formës së prerë në favorin tim, unë isha në detyrën e Komandantit (Rektor) i Akademisë së Mbrojtjes, në Tiranë. Sigurisht, ishte një detyrë e rëndësishme, që unë, për sa kohë isha në këtë funksion, e kreva me përkushtim dhe jam vlerësuar. Për Arben Imamin, ndjekja e skandalit, padrejtësisë, nga ana ime në rrugë administrative, veçanërisht vendimi i gjykatës, nuk suportohej. Kështu ‘viktimë’ e urdhrave të tjerë absurdë, do të bëhesha unë. Kështu, ai nxjerrë një urdhër me fuqi prapavepruese më 6 shtator të këtij viti, ku më lironte nga detyra. Për paradoks, urdhri sanksiononte që marrëdhëniet në punë, ndërpriteshin një javë më parë… Skandal më vete e pa precedent dhe ky…
Po më pas?
-Nuk zgjati shumë dhe statusi ‘në rezervë’. Më 18 nëntor 2012, Arben Imami firmos nxjerrjen time në rezervë… Dua të theksoj se që nga momenti i parë e në vazhdim, unë kam qenë korrekt duke vepruar vetëm në rrugë ligjore…
Në këtë luftë të hapur e hakmarrje, nuk jeni takuar ndonjëherë me Arben Imamin?
-Për rastin e mohimit të padrejtë të gradës së gjeneralit jo, pasi unë kam dinjitet e të drejtën time e kërkoj vetëm në rrugë institucionale, ligjore… Në një rast tjetër, jam takuar e kam debatuar me Imamin…
Më konkretisht?
-Ka ndodhur para se unë të shkoja për një kualifikim të radhës njëvjeçar, përkatësisht në Kolegjin e Sigurisë Kombëtare në Toronto të Kanadasë. Më thërret e më ‘sugjeron’ që të mos shkoja e në vendin tim të shkonte një tjetër, pasi unë kisha kryer shumë shkolla, akademi e kurse jashtë vendit… Ndoshta donte të çonte një tjetër.. Pra, vazhdim i hakmarrjes. I thashë: ’Nëse nuk e meritoj mos më dërgoni, dërgoni kë të doni. Po nëse unë e meritoj të shkoj, ju nuk duhet të më pengoni padrejtësisht!”. Thash dhe më lart, janë me dhjetëra apo qindra ushtarakë të cilëve u është nëpërkëmbur e u nëpërkëmbet dinjiteti… Të tjerë, ‘besnikët’, vlerësohen e gradohen jashtë kritereve profesionale…
Pse nuk i keni denoncuar në kohë këto skandale?
-Unë i kam denoncuar në kohë, si drejtuesve të institucioneve përkatëse të vendit, në Komisionet Parlamentare, në Kuvendin e Shqipërisë, aleatëve të NATO-s, etj… Por vetëm në rrugë zyrtare.
Sot, po e bëj publikisht dhe në media… Kështu, mendoj se i shërbej më mirë vendit tim, ushtrisë, popullit që ka investuar jo pak për mua dhe kolegët e mi….
SOM 1
“Nuk gjej asnjë arsye ligjore për këtë veprim skandaloz. Nuk është vendi të flas për kolegët, por shmangia e kriterit profesional në gradime e emërime, nuk ndodh në asnjë ushtri të vendeve anëtare të NATO-s. Pas denoncimit të skandalit, Arben Imami, u ‘mbrojt’ përballë akuzave me argumentin se “gradat jepen dhe për ushtarakë që kanë kryer detyra të rëndësishme, hapur ose mbuluar”. Pra është e qartë…”
SOM 2
“Pasi konsumova të gjitha rrugët administrative, nisa proceset gjyqësore. Në shkallën e Parë të gjykimit, në nëntor të vitit 2009, më erdhi keq, pasi pa asnjë argument, gjykata i dha të drejtë Arben Imamit, ligjëroi skandalin. Ndërsa Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendimin e formës së prerë, përkatësisht atë me nr 723, datë 29.03.2012, më dha të drejtë mua”
SOM 3
“Të dy këta gjeneralë që renditen ndër të fundit në listën e vlerësimit të Komisionit të Karrierës, jo vetëm bëhen ‘gjeneralë’ pa meritë, por shpërblehen me funksione të larta. Të dy janë të shumëpërfolur në media e Kuvendin e Shqipërisë. Gjunkshi është përfolur si partiak i deklaruar i shtetit të sotshëm, ndërsa Gerveni, si një ndër personat që u shiti hapësira detare grekëve”
Besnikëria partiake, ‘kartë’ për karrierën e gjeneralëve dhe ushtarakëve madhorë
Në një nga dokumentet zyrtare të siguruar nga ‘Dita’ në Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht, atë të vlerësimit të kolonelëve që aplikojnë për gradën e gjeneralit,(dokumenti datë 24.08.2009) jo vetëm që konstatohet shmangia e aftësive profesionale (atyre që kanë vlerësim më të lartë në pikë), e dhënia e gradave ‘ngelësve’, por dhe caktimi në funksione të larta të këtyre të fundit. Në këtë listë, ndër 5 gjeneralët e besuar të Imamit, bien në sy dy prej tyre, Kristaq Gerveni dhe Xhemal Gjunkshi, i pari përfaqësues i Shqipërisë në Bruksel, ndërsa i dyti, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Të dy këta gjeneralë që renditen ndër të fundit në listën e vlerësimit të Komisionit të Karrierës, jo vetëm bëhen ‘gjeneralë’ pa meritë, por shpërblehen me funksione të larta. Të dy janë të shumëpërfolur në media e Kuvendin e Shqipërisë. Gjunkshi është përfolur si partiak i deklaruar i shtetit të sotshëm, ndërsa Gerveni, si një ndër personat që u shiti hapësira detare grekëve. Burime në Ministrinë e Mbrojtjes konfirmojnë gjithashtu se e njëjta praktikë, është ndjekur e ndiqet dhe në gradimet apo emërimet në hallkat e tjera të ushtrisë. Zyrat e emërtesave, janë kthyer në ‘filiale’ të partisë në pushtet, ku pa bekimin e partisë, nuk mund të shpresosh një detyrë apo funksion, ndonëse mund të jesh dhe më i afti. Kjo praktikë e denoncuar disa herë, ka bërë që në ministrinë e drejtuar sot nga Imami, të mbizotëron ndjenja e frikës dhe pasigurisë. Shumë nga këta ushtarakë madhorë-partiakë, në mos të implikuar direkt në shumë skandale të denoncuar në këtë institucion(përgjim i opozitës, trafik armësh, shitje pronash…), kanë dijeni… E heshtin!
KUSH ËSHTË PERIKLI KOLIÇI
Perikli Koliçi u lind 28.08.1958 në Fier dhe aktualisht banon në Tiranë. Në vitet 1973-1977 ka kryer Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Në vitet 1978-1981 ka kryer Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Në vitet 1995-1997 ka kryer Akademinë e Mbrojtjes në Stamboll të Turqisë. Në vitet 2000-2001 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë të Italisë. Në vitet 2001 ka kryer studimet në Institutin e Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Kaliforni të SHBA. 2008 ka kryer studimet në Qendrën ‘Marshall’ në Gjermani. Në vitet 2010-2011 ka kryer studimet në Kolegjin e Sigurisë Kombëtare në Toronto të Kanadasë. Ka rryer këto detyra në Forcat e Armatosura: 1982-1988 Komandant Batalioni, Librazhd
1988-1992 Instruktor/Komandant Batalioni, Librazhd; 1992-1993 Shef Artilerisë së Brigadës, Librazhd; 1993-1994 Instruktor në Drejtorinë e Artilerisë, SHP, Tiranë; 1994-1995 Specialist në Grupin Special te AT, SHP, Tiranë; 1995-1997 Student në Stamboll, Turqi; 1997-1999 Specialist Artilerie, SHP, Tiranë; 1999-2000, Përkthyes në Shtabin e NATO-s në Bruksel; 2000-2001 Shef i Sektorit të Planifikimit të Forcës, J5, SHP, Tiranë; 2001-2003 Zëvendësdrejtor dhe Shef i Sektorit Politikës dhe Strategjisë, SHP, Tiranë; 2003-2007 Drejtor i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, SHP, Tiranë; viti 2007 në dispozicion, në Tiranë; 2007-2008 Drejtor i Drejtorisë se Planifikimit, KFB, Durrës; 2008-2010 Shef i Shtabit, KFB, Durrës; viti 2010 në dispozicion tëe KFB në Durrës; 2010-2011 Student, Toronto, Kanada; 2011-2012 Komandant (Rektor) i Akademisë së Mbrojtjes në Tiranë. Zotëron gjuhët e huaja anglisht dhe turqisht.
Pero, sinqerisht me vjen keq qe ndodh keshtu. Me vjen keq kur shteti funksionon si prone private, ne te gjitha nivelet.