Vonesat në ndarjen e pagesave për personat me aftësi të kufizuara: Përgjegjësia tek pushteti vendor, nuk planifikojnë fondet siç duhet
Vonesat në ndarjen e pagesave për personat me aftësi të kufizuara kanë ardhur si shkak i neglizhencës që drejtuesit e pushtetit vendor kanë treguar në planifikimin siç duhet të buxhetit për njësi të caktuara vendore dhe komuna. Situatë e cila ka lënë prej muajsh personat me aftësi të kufizuara të përballen me vonesat në marrjen e pagesave sociale. Kjo është përgjigjja zyrtare që jepet nga kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera. Ndërkohë që nga shoqata e personave me aftësi të kufizuara pretendohet se janë të shumta komunat që nuk ndajnë që nga muaji nëntor pagesën përkatëse, duke vënë përballë kushteve të vështira të jetesës me mijëra persona të shtresës së aftësisë së kufizuar. Më tej, ministri Spiro Ksera bën të ditur se një tjetër faktor që ka ndikuar në vonesat e ndarjes së pagesave, ka të bëjë me faktin se edhe Ministrisë së Punës i është dashur të rialokojë paratë për ta në mes të vitit 2012. Kjo për shkak të ndryshimeve të bëra në legjislacionin e të verbërve, si dhe para e tetraplegjikëve.
“Mosprogramimi i mirë nga pushteti vendor i kësaj pakete pati një ngatërresë të skemës së ndihmës ekonomike me aftësinë e kufizuar. Ne patëm ndryshim të legjislacionit të paktën për paketën e të verbërve dhe para e tetraplegjikëve ku arritëm që nga buxheti që i është akorduar ministrisë të ishim të detyruar të rialokonim detyrimin e pagesës për energjinë elektrike dhe për Albtelekomin. Kjo na solli dhe një çoroditje për pagesat e fundvitit”, ka bërë të ditur Ksera. Ndërkohë që ka shtuar më tej se brenda janarit të 2013-s këta persona do të kenë marrë pagesat e tyre, pasi do të përdoren fondet e buxhetit të 2013-s.
Personat me aftësi të kufizuar për këtë arsye në disa rrethe të vendit vitin e ri e kanë festuar në varfëri të plotë, pasi nuk kanë marrë pagesën e paaftësisë të muajit nëntor. Ata gjithashtu janë në pritje të parave ndërkohë që paralajmërojnë zhvillimin e protestave nëse nuk do të ndërhyhet në sistemimin e situatës.