Nga Musa Kurtulaj
Çuditërisht, me përjashtim të pak zërave në Shkodër, kaloi krejt në heshtje Urdhri i Ministres së Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, nr.234 i datës 19 prill 2019, botuar në Fletoren Zyrtare të datës 2 maj 2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së zyrave vendore të arsimit parauniversitar”. Themi çuditërisht, pasi nisur nga rëndësia shumë e madhe që ka ky urdhër për riorganizimin e organizmave ndihmuese-monitoruese-kontrolluese të cilësisë së mësimdhënies në shkolla e përvetësimit te dijeve, ishte e domosdoshme që t’i paraprihej këtij projekti me një diskutim të gjerë ne mjediset e arsimit, dhe jo të kalohej pa u ndjerë me urdhër zyrtar, sikur bëhet fjalë për ndërtimin e një godine shkolle e jo reformimin organizativ të sistemit arsimor parauniversitar! Pra, për një urdhër kaq të rëndësishëm, u hesht edhe para miratimit, po heshtet edhe pas miratimit, publikimit e procesit të zbatimit që është në përfundim!
Mbi bazën e këtij urdhri, 13 drejtoritë rajonalë të arsimit në nivel prefekture kanë pushuar së ekzistuari dhe u konvertuan në zyra vendore arsimore sipas bashkive. Përshembull, Drejtoria Rajonale e Arsimit për Prefekturën e Shkodrës, tani do të jetë Zyra Vendore Arsimore, Bashkia Shkodër. Ministrja Shahini në njoftimin për shtyp të datës 19 prill 2019, duke folur për këtë riorganizim, tha se nga 38 drejtori dhe zyra të arsimit në terren, bëhen 51 zyra arsimore në nivel bashkie. Disa bashki të vogla do të mbulohen nga zyrat e arsimit të bashkive që kanë më afër, pra i bie që 10 zyra arsimi të jenë të përbashkëta, prandaj nuk janë 61 zyra arsimore sa është numri i bashkive.
Sipas ministres Shahini, në këtë mënyrë shërbimi i arsimit shkon tek secila bashki dhe sa me afër nxënësve dhe mësuesve. Por si risi tek zyrat arsimore ministrja Shahini ka theksuar se “secila do të ketë një sektor me 3-6 punonjës që do të merren vetëm me vlerësimin e cilësisë së arsimit në shkollë. Ky ka qenë një shërbim i munguar deri tani. Përmirësimet në kurrikula dhe tekstet shkollore duhet dikush t’i verifikojë nëse zbatohen siç duhet në terren….Dhe më e rëndësishmja, do të sigurohemi që pranë secilës zyre të ketë vlerësues të cilësisë së arsimit parauniversitar në shkollë. Mësuesit duhet të vlerësohen për punën që po bëjnë me nxënësit duke u vizituar periodikisht nga dikush që merr vesh në lëndën që ligjëron mësuesi. Dhe me riorganizimin që po bëjmë, secila zyre arsimore në nivel bashkie do të ketë mundësi të vlerësojë cilësinë e mësimdhënies në shkollë dhe të sugjerojë masa kur cilësia nuk është në nivelin e duhur”.
Absolutisht që në këtë pikë, ky ndryshim meriton të përshëndetet dhe të mbështetët, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me atë që është me e rëndësishmja në shkolla: forcimin e procesit mësimor, kontrollin e mësimdhënies, kontrollin i dijeve që fitojnë nxënësit, domethënë niveli i përvetësimit të programit dhe të përgatitjes tyre. E jo vetëm kaq, por edhe përcaktimi i masave që duhen marrë pa humbur kohe, në rastet kur konstatohet se ka probleme në këtë apo atë shkollë, me këtë apo atë mësues e kështu me radhë. Me këtë, zyrat e arsimit kthehen pikë për pikë në misionin e tyre që është ndihma direkte që u japin shkollave për t’i aftësuar nxënësit me sa më shumë dije të konsoliduara. Nuk duhet të harrojmë se nga viti 2007 e deri në ditët e sotme, fatkeqësisht zyrat e arsimit vetëm emrin kishin te tille, pasi ato ishin të mbushura me ekonomistë, juristë, financierë, inxhinierë etj., ndërsa specialistet e mirëfilltë të arsimit ishin tepër të pakët sepse e tillë ishte struktura! Kjo i ka shkaktuar shumë dëm arsimit parauniversitar, pasi zyrat e arsimit në bashki apo drejtoritë rajonale të arsimit nuk kishin as mundësi dhe as tagër për të kontrolluar cilësinë e edukimit në shkolla! Këtë e kanë pasur një grup inspektorësh në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të gjithë Shqipërinë, por që nuk bënë gjë tjetër veçse një vrimë në ujë! Jo për fajin e tyre dhe as mungesën e angazhimit të tyre, por është e pamundur që me një grusht njerëzish nga Tirana të mund të inspektosh në mënyrë sistematike të gjitha shkollat e vendit ! Tani me ndryshimin e strukturës, përbërjes dhe përmbajtjes së zyrave arsimore vendore, krijohen kushtet që shkollat të ndihmohen drejtpërdrejt që të jenë vërtetë shkolla! (Megjithatë, nuk duhet të ngutemi në këtë pikë, pasi nëse në këto zyra nuk caktohen njerëz me përvoje, të kualifikuar dhe njohës të gjithanshëm të arsimit, atëherë është e kotë të shpresohet për kthesë pozitive. Faktikisht me sa po dëgjojmë, specialistet e mirëfillte të arsimit do të qëndrojnë larg këtyre zyrave, pasi ata më shumë paguhen si mësues në shkolla se sa si inspektorë arsimi, sepse pagat nuk janë stimuluese. Gjithsesi le të presim për këtë).
Këtij riorganizimi ju parapri me ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.99 te datës 27 shkurt 2019. Mirëpo, është ecuria e mëtejshme e këtij procesi riorganizues, ajo që për mendimin tonë e mbingarkon kot se koti strukturën e arsimit parauniversitar dhe, pse jo, e vështirëson funksionimin e saj në terrenin konkret, ja ul ritmin! Mbi bazën e vendimit të Këshillit te Ministrave nr.99 të datës 27 shkurt 2019, Ministria e Arsimit dhe Sportit krahas riorganizimit të 51 zyrave vendore arsimore, vendosi edhe ngritjen e 4 drejtorive rajonale arsimore (në raportin 1 për 3 prefektura). Konkretisht, për prefekturat Shkodër, Lezhë dhe Kukës, një drejtori rajonale arsimore me qendër në Lezhë. Për Prefekturat Tiranë, Durrës dhe Dibër një drejtori rajonale arsimore me qendër në Durrës. Për prefekturat Elbasan, Korçë dhe Berat një drejtori rajonale me qendër në Korçë. Për prefekturat, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër një drejtori rajonale arsimore me qendër në Fier.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, në njoftimin për shtyp të datës 19 prill 2019, thotë se 51 zyrat arsimore vendore të bashkive “do të menaxhohen nga 4 drejtori të vogla rajonale (me nga 15 punonjës) që kanë vetëm rol mbështetës dhe inspektues”.
Pikërisht ngritja e këtyre 4 drejtorive rajonale të arsimit është pika më delikate që e bëjnë të diskutueshme pritshmërinë pozitive të kësaj reforme. E para, a janë të nevojshme këto drejtori? Sipas konsultimeve që kemi bërë me mësues me përvojë dhe drejtues ndër vite të niveleve të ndryshme në strukturat e arsimit, këto drejtori janë më së shumti hallka të tepërta që nuk do t’i sjellin ndonjë dobi të dukshme procesit mësimor, përkundrazi, dashje pa dashje, do të shërbejnë për të krijuar hendek ose shkëputje mes zyrave vendore të arsimit dhe Drejtorisë se Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, e cila përgjigjët për zbatimin e politikave të Ministrisë së Arsimit në shkolla. Shkurt, këto drejtori do të kthehen më së shumti në organizma të rëndomta kontrolli të zyrave vendore të arsimit, dhe jo të kontrollojnë shkollat, sepse një personel prej 15 vetëve që ka një drejtori rajonale, e ka të pamundur të inspektoje në mënyrë sistematike 300 deri në rreth 600 shkolla që ka nën juridiksion sipas skemës së grupimit të tri prefekturave. Por qëllimi nuk është thjeshtë të kontrollohen zyrat vendore të arsimit, por të inspektohen dhe të mbështeten shkollat, gjë që pak gjasa ka të arrihet. Imagjinoni se për çfarë kontrolli bëhet fjalë nga Lezha në Tropojë e Has, apo nga Durrësi në Dibër ! Prandaj, ngritja e këtyre 4 drejtorive rajonale na duket e panevojshme dhe që nuk ka shanse të reflektojnë ndonjë hop cilësor në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Në këto kushte, do të ishte më mirë që personelin prej 60 vetëve të këtyre drejtorive, Ministria e Arsimit dhe Sportit ta shpërndante në zyrat vendore të arsimit të bashkive qendër Qarku, dhe këtyre zyrave t’u shtoheshin kompetencat duke i ngritur njëherësh në nivelin e drejtorisë të arsimit për qarkun. Pra, do të kishin kështu 12 drejtori rajonale arsimit në 12 qarqe, nën juridiksionin e Drejtorisë se Përgjithshme të Arsimit Pasuniversitar. Kjo mënyrë organizimi do ta bënte më të lehtë edhe administrimin, koordinimin dhe kontrollin e mbarëvajtjes së sistemit arsimor e zgjidhjen e problemeve që dalin brenda një prefekture, pa pasur nevojë që një drejtori rajonale arsimore të hallakatet në tri prefektura siç do të ndodhë me 4 drejtoritë, që po ngrihen sipas skemës së re.
Duke e ditur këtë, e kemi te pamundur ta kuptojmë nxitimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për ngritjen e drejtorive rajonale të arsimit mbi bazën e tri prefekturave, kur vazhdojmë të kemi 12 prefektura! Riorganizimi territorial i prefekturave dhe qarqeve është pjesë e paketës së reformës territoriale që nisi në vitin 2014, nga e cila u shkrinë qindra komuna dhe u ngritën 61 bashki në vitin 2015. Prefekturat dhe Qarqet nuk janë prekur akoma nga kjo reformë, që do të thotë se pa u vendosur për fatin e tyre, logjikisht nuk mund të bëhet riorganizimi i institucioneve që do të jenë brenda territorit të caktuar sipas grupimit të ri territorial.
Por Ministrja, Besa Shahini, në njoftimin për shtyp të 19 prillit, këtë riorganizim e justifikon duke “ndjekur modelin e Ministrisë se Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – rrjedhimisht vendimi është që të mos vendosim dy drejtori rajonale në të njëjtin qytet”. Vërtetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka bërë një eksperiment të tillë muajt e fundit, por ajo nuk ka marrë ndonjë lëvdatë deri tani për këtë dhe, ç’është me kryesorja, akoma nuk po reflektohet ndonjë cilësi e re e dobishme në shërbimin shëndetësor nga ky eksperimentim! Ndërsa sa i përket “vendimit për të mos vendosur 2 drejtori rajonale në të njëjtin qytet”, që Ministrja Shahini e përmend si detyrues për ta zbatuar, ajo bën mirë të tregojë se kush e ka marrë këtë vendim dhe kur është marrë, pasi nuk kemi arritur ta gjejmë një vendim të tillë, me gjithë interesimin e treguar! Dhe nëse është marrë, kemi të bëjmë me një vendim absurd, pavarësisht cilit institucioni i përket, pasi drejtori rajonale ka aq shumë si numër sa të gjitha bashkitë e një qarku mund të mbulohen me nga 3- 4 mesatarisht, kështu që vendimi që thuhet për të mos caktuar 2 drejtori rajonale në një qytet, është nul ! Por edhe nëse vendoset të shpërndahen nga njëri qytet në tjetrin, kjo nuk do ta ndihmonte aspak funksionim normal të tyre, as kontrollin dhe koordinimin ndërinstitucional për problematiken që mund të ketë njëri rajon apo tjetri.
Gjithsesi, le ta pranojmë se janë të domosdoshme 4 drejtoritë rajonale të arsimit dhe se është urgjente ngritja e tyre, ndaj nuk mund të pritet deri sa të kryhet riorganizimi territorial i prefekturave dhe qarqeve ! Dakord, por a nuk është edhe caktimi i vendeve, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për ngritjen e këtyre drejtorive, një problem që e ka bërë mjaft të debatueshme këtë reformë dhe në një fare mënyrë edhe provokuese ?! Çuditërisht, me përjashtim të Korçës, në caktimin e qyteteve ku do të ngrihen drejtoritë rajonale të arsimit është anashkaluar e gjithë skema tradicionale, organizative dhe institucionale nëpër të cilën ka lindur dhe është formësuar sistemi ynë arsimor kombëtar. Konkretisht, në vitin 1899 në Shkodër themelohet “Shoqnia Bashkimi” e quajtur ndryshe që atë kohë Akademi, që është themeli i alfabetit kombëtar të gjuhës shqipe. Me 2 shtator të vitit 1957 po në Shkoder ngrihet Instituti i Lartë Pedagogjik (me vonë Universiteti “Luigj Gurakuqi”, i dyti për nga radha pas universitetit të Tiranës). Tani, këto fakte harrohen fare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, e cila vendos që Drejtoria Rajonale e Arsimit për Qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës të ngrihet në Lezhë! Në vitin 1909 në Elbasan hapet shkolla e parë e arsimit profesional (pedagogjik) në gjuhën shqipe, e njohur si Normalja e Elbasanit, kurse në vitin 1971 ngrihet Instituti i Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” (më vonë universiteti “Aleksandër Xhuvani”). Mirëpo, Ministria e Arsimit dhe Sportit i harron fare këto fakte, ndaj Elbasanin, 20 minuta larg Tiranës, e anekson ne Drejtorinë Rajonale Arsimore të Korçës! Në Korçe e ka vendin një drejtori e tillë, pasi nga ky qytet kemi Mësonjëtoren e Pare Shqipe, me 7 mars të vitit 1887, datë që tashmë festohet si “Dita e Mësuesit”. Gjithashtu në vitin 1971 këtu u ngrit Instituti i Lartë Bujqësor i Korçës ( më vonë universiteti “Fan Noli). Pra Korça nuk mund të diskutohet, përkundrazi për hir të këtij kontributi duhej shtuar një drejtori rajonale arsimore nëse ajo mbetej jashtë kësaj skeme, po ama jo t’i hiqej vizë Elbasanit ! Kemi Vlorën, qytetin ku u shpall Pavarësia me 28 nëntor 1912, për rrjedhoje këtu u formua edhe Qeveria e Parë e Shtetit Shqiptar në përbërje të së cilës ishte edhe Ministria e Arsimit, kuptohet e para në historinë e kombit shqiptar ! Në vitin 1970 në Vlore u hap edhe filiali i Universitetit të Tiranës për degën ekonomike, ndërkohë që më parë ishin hapur edhe shkolla e lartë e marinës, fakulteti i mjekësisë për të mbërritur tek ngritja universitetit “Ismail Qemali”. Por edhe për Vlorën harrohen këto fakte nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe cakton Fierin si qytetin për ngritjen e Drejtorisë Rajonale të Arsimit ku do përfshihet edhe Vlora. Dhe rasti me spektakolar në këtë histori është Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë që në vitin 1920, qendra me rëndësishme e kombit tonë në të gjitha drejtimet, sepse është kryeqytet, ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit e harron këtë status të Tiranës-Kryeqytet, dhe cakton Durrësin si qytetin ku do të ngrihet Drejtoria Rajonale e Arsimit e cila përfshin edhe Tiranën e deri në Dibër! Domethënë, sistemi arsimor parauniversitar i Tiranës do të kontrollohet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës!
Pra, pa vazhduar me analizën edhe të shumë fakteve të tjera, mjaftojnë këto për të treguar se sa shkurt i ka rënë Ministria e Arsimit dhe Shkencës caktimit të qyteteve për ngritjen e drejtorive rajonale arsimore! E kemi të pamundur ta kuptojmë heshtjen që është treguar nga zyrtarë me përvojë në Ministrinë e Arsimit ndaj këtij projekti ! Si ka mundësi që së paku një inspektor në këtë ministri të mos e ngrejë zërin dhe tu kujtoje hartuesve të këtij projekti se me këtë mënyrë ata kanë nëpërkëmbur pikat e referimit historik të arsimit tonë kombëtar! Pse ky qëndrim kaq tulatës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, kur duhej të ndodhte e kundërta si “truri i diturisë” ! Që të mos keqkuptohemi, jo vetëm që nuk kemi gjë për këto qytete, përkundrazi respekt në maksimum për vlerat e tyre, por ama janë disa gjëra që nuk shkojnë dhe që në rastin konkret meritojnë të verifikohen se kush, pse dhe si ja kanë ofruar këtë skemë djallëzore Ministres, Besa Shahini, për ta firmosur e kaluar në zbatim! Në fund të fundit, nëse duhen shpërndarë drejtoritë rajonale të dikastereve qendrore nga njëri qytet në tjetrin, pse nuk caktohen drejtori të tjera, por preket pikërisht në drejtoritë e arsimit ku qytetet e lartpërmendura kanë dhënë historikisht një kontribut madhor në këtë sektor kaq të rëndësishëm!
Nuk do të ishte aspak e tepërt, përkundrazi, e domosdoshme, që kjo do të shqyrtohej pa humbur kohë nga Qeveria dhe pse jo, edhe të anulohej. E theksojmë këtë se, në pikë të fundit, çoroditja në sistemin arsimor parauniversitar që ka krijuar Ministria e Arsimit dhe Sportit me drejtoritë rajonale te arsimit faktikisht e ka burimin tek Vendimi i Këshillit te Ministrave i datës 27 shkurt 2919.
Është ky vendim i cili kërkon që drejtoritë rajonale të arsimit të krijohen kur mbulojnë jo me pak se 4000 punonjës, dhe se ministri propozon numrin e drejtorive rajonale, shtrirjen territoriale dhe qarkun ku do të ngrihen secila prej tyre. Ky vendim na duket jo i mirëmenduar, i pakonsultuar me ata që e njohin mirë arsimin dhe për rrjedhoje i padobishëm, pse jo edhe i dëmshëm në disa drejtime nëse nuk korrigjohet !
Në mbyllje të këtij shkrimi, nuk e teprojmë po të shprehemi se nëse për një moment meriton të vlerësohet me notën 10 Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, për ngritjen e 51 zyrave vendore të arsimit dhe strukturën e tyre, notën 4 e ka te pashmangshme sa i përket ngritjes se 4 drejtorive rajonale të arsimit dhe vendeve që ka zgjedhur për ngritjen e tyre! Me keqardhje, por e kemi të pamundur t’i shmangemi këtij përfundimi.
