Mirela Kumbaro në datat 25-26 gusht 2014 do të marrë pjesë në takimin rajonal mes Ministrave të Kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi në qytetin e Dubrovnikut.
Pritet një takim dypalësh i Ministres së Republikës së Kroacisë, Andrea Zlatar Violić dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kulturës dhe trashëgimisë mes dy vendeve.
Në takimin, i cili do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 gusht 2014, pritet të diskutohen tema si: edukimi përmes artit dhe kulturës, politikat kulturore dhe praktikat zbatuese në Kroaci. Temë e rëndësishme e bisedimeve do të jetë dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, një nismë për të eksploruar mundësitë për organizimin e seminareve dhe trajnimeve të rregullta drejtuar specialistëve shqiptarë për restaurimin; Bashkëpunime në fushën e trashëgimisë për ekspertizë në menaxhimin e siteve historike ; Bashkëpunime në fushën e menaxhimit të ngjarjeve artistike multikulturore, etj. Një temë e rëndësishme e takimit do të jetë bashkëpunimi dypalësh për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin shqiptaro -kroat për aplikimet në programin e Evropës Krijuese.
Ministrja Kumbaro do të zhvillojë edhe takime me ministrin e Punëve Civile të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Sredoje Nović, ambasadorin e Malit të Zi në Serbi, Branislav Mićunović, kryetarin e bashkisë së Dubrovnikut, Andro Vlahušić .
Programi i vizitës së ministres Kumbaro parashikon pjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Orlando” dhe koncertit përmbyllës në Festivalin Veror të Dubrovnikut, një bashkëpunim i Orkestrës së Dubrovnikut me Orkestrën Filarmonike të Zagrebit, nën drejtimin e dirigjentit Ivo Lipanović, me pjesëmarrjen e baritonit Željko Lučić dhe sopranos Lana Kos.
Ministrja Kumbaro së bashku me homologen e saj Andrea Zlatar Violić do të vizitojnë një sërë institucione të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kroate si : qendrën e konservimit në Dubrovnik, qendrën historike në Cavtat, Galerinë Stradun, shtëpinë e piktorit të njohur kroat, Vlaho Bukovac, etj.
