Ministrja norvegjeze tregon sekretin për të shmangur divorcin

anazapta

Në Norvegji thelbi i një martese  të lumtur dhe të gjatë nuk është durimi, toleranca, sensi i humorit apo interesat e përbashkëta, por… qeveria. Kjo të paktën është shpresa e partisë populiste norvegjeze, që po promovon mbrëmje takimesh midis çifteve në përpjekjen për të reduktuar numrin e divorceve në vend, shkruan “The Guardian”

Ministrja e re për Barazinë Sociale, Solveig Horne, është shprehur se detyra e qeverisë është që të bëjë të mundur uljen e numrit të divorceve dhe se një mënyrë e mirë për t’ia arritur është inkurajimi i çifteve që të dalin mbrëmjeve, si në takimet e para të njohjes së tyre.

“Është e rëndësishme që prindërit të gjejnë kohën në të cilën të mos jenë vetëm prindër, por edhe dashnorë”, tha ministrja për mediat vendase. Përqindja e divorceve në Norvegji është e lartë, 40% përllogariten vetëm këtë vit. Ata që kanë më shumë probabilitet për t’u ndarë nga partnerët janë personat midis moshës 40-44 vjeç. Që nga dita që mori postin e saj në ministrja, Horne është shprehur se synon të rrisë financimet për këshillimet familjare në mënyrë që të parandalohen divorcet.

Filmi nga i cili lindi ideja

Duke qenë ajo vetë e divorcuar, Horne është e bindur se dedikimi i një kohe më të madhe partnerit ka një impakt pozitiv të menjëhershëm në martesë. “Ndoshta nuk kam pasur sukses në jetën në çift, sepse nuk kaloja shumë kohë me bashkëshortin tim”, tha ministrja, e cila për këtë ide është frymëzuar nga komedia romantike e vitit 2010 “Natë e çmendur në Manhatan”. “E kam parë këtë film, ku një çift amerikanësh përpiqen që ta mbajnë funksionues raportin e tyre. Motra ime jeton në Shtetet e Bashkuara dhe më thotë që del me bashkëshortin e saj një herë në javë dhe kjo gjë mesa duket i jep një shtysë pozitive martesës së tyre. Mendoj se është një mënyrë e mirë për të mbajtur ‘gjallë’ martesën”, shton Horne.

Gafat e ministres

Nisma e Hornes është vetëm një nga idetë e fundit sensacionale të lançuara nga ajo këtë muaj, e cila në të kaluarën ka bërë gafa të tjera që e e kanë vënë në qendër të polemikave. Në vitin 2011 bëri një deklaratë impresionuese në televizionin publik mbi përdhunimet: “Vajzat janë vetë përgjegjëse për situatat në të cilat gjenden, megjithatë edhe djemtë duhet të kuptojnë se duhet të respektojnë një “jo”. Mendoj se në këtë pikë djemtë dhe vajzat janë njësoj përgjegjës”.

Në një tjetër rast, ministrja ofendoi komunitetin homoseksual, në lidhje me një tweet të publikuar në 2010-n mbi një libër për fëmijë me personazhe homoseksuale: “Pyes veten nëse është e drejtë që në kopshtet e fëmijëve të lexohen aventura homoseksuale për fëmijë”.  Në atë kohë, Horne që sot mbulon postin e ministres për Barazinë Sociale, mohoi çdo akuzë për homofobi duke thënë: “Unë do të jem ministrja e geive, lesbikeve, transeksualëve dhe heteroseksualëve. Njerëzve do t’iu lejohet të më gjykojnë pasi të më kenë njohur”./ D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *