Kopi KYÇYKU
(Përbashkësi rumuno-shqiptare, botim dygjuhësh, Librarium Haemus,Tiranë-Bukuresht, 2020)
Në rast se dëshiron të blesh një libër, është diçka tepër e lehtë. Ka plot librari anembanë vendit, por është mirë që ai libër ta meritojë leximin nga sa më shumë njerëz. Një gjë e tillë nuk është e thjeshtë ngaqë libri i vlefshëm shpeshherë nuk i bie në dorë lexuesit. Këtu kam parasysh në radhë të parë ata libra që janë si vera e mirë: sa më shumë të pish, aq më shumë kërkon. Meqënëse kemi të bëjmë me një libër që merret me historinë, çështja shtrohet: çfarë vend duhet të zerë normalisht historia në kulturën e përgjithshme në mënyrë që njeriu, i cili e njeh këtë disiplinë, të cilësohet i dijshëm. Këtu duhet të saktësojmë që kultura e përgjithshme është krejt tjetër nga kultura enciklopedike. Ndryshimi ndërmjet tyre ka të bëjë në radhë të parë me përfshirjen e njohurive në ide të përgjithshme. Historia që duhet të mësohet në shkollat e të gjitha niveleve, është ajo që favorizon zhvillimin e ideve të përgjithshme. Ajo duhet të mësohet pikërisht sepse përmban idetë e përgjithshme të shkencës së sotme. Prandaj, me plot të drejtë quhet “libri i parë i një kombi”.
Ai që do të lexojë këtë vëllim, do të kuptojë, – ndoshta më shumë se sa nga punime dhe përmbledhje të tjera, – që kemi pasur nevojë për njerëz si autorët e tij. Kishim pasur nevojë për këtë libër dhe nëqoftëse do ta vështrojmë me vëmendje, do të bindemi që gjithçka në faqet e tij tingëllon mirë dhe meriton “të duartrokitet”. Nuk shohim tek autorët Mirçea Perpelea dhe Marçel N. Popesku kurrfarë kompleks epërsie dhe asnjë trajtë vetëmburrjeje; përkundrazi, ajo që i shquan është fryma e punës në ekip. Nuk gjendet në kohën tonë asgjë më e lavdërueshme se sa fakti që dija është bërë aksion. Duke vepruar kështu, autorët kanë shënuar sukses përmes hapjes ndaj publikut të gjerë, gjë që bie menjëherë në sy në të gjithë kapitujt. Autorët e këtij libri rrezatojnë thellësisht kulturë, ndoshta më shumë se sa në vepra të tjera të këtij lloji.
Njerëzit janë të ndryshëm. Dikush (poet) udhëton deri në Zelandën e Re dhe kthehet së andejmi me një poezi të vetme. Tjetri (poet), gjatë shëtitjes nga shtëpia për në vendin e punës, shkruan dy madje tri a më shumë. Njëri nga autorët e librit „Përbashkësi rumuno-shqiptare” (është fjala për ambasadorin Mirçea Perpelea, – të cilin e njoh prej disa vjetësh, – nga një udhëtim prej Bukureshtit deri në Tiranë, ka shkruar tashmë dy vëllime jashtëzakonisht të vlefshëm. Ky zotëri, profesor universiteti, – ekonomist dhe doktor inxhinier, – më shtyn të pohoj dhe të konfirmoj se pa njohur fizikën, kiminë, biologjinë, matematikën, mekanikën, nuk mund të bëhesh shkencëtar i mirë, ashtu sikurse nuk mund të bëhesh as letrar apo historian i mirë.
Shtatë vjet më parë, në një simpozium rajonal u shqyrtuan shkencërisht aspekte përcaktuese të historisë së Shqipërisë, Greqisë,Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Sërbisë etj nga Mesjeta deri në ditët tona, lidhjet ndërmjet këtyre shteteve dhe përpjekjet për demokratizim dhee integrim në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, ky rajon, që quhet edhe Evropa Juglindore, nganjëherë Haemus, meriton të vihet në qëndër të vëmendjes së historianëve dhe jo vetëm, por edhe të politikanëve, diplomatëve, hulumtuesve të shumë fushave, sepse, sikurse është thënë, përbën një hapësirë të kryqëzimeve historike dhe të përplasjeve ideologjike; të kufijve fetarë, kulturorë, ekonomikë dhe politikë; të takimit të Ortodoksisë me Katolicizmin e Islamin, sidhe të blloqeve ushtarake të Paktit të Varshavës e të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Vlen të theksohet se kemi të bëjmë me një botë traditash mijëvjeçare, me një territor që ka një kompleks identitetesh e që përpiqet të njësohet me standardet sociale, politike dhe kulturore të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet në fazën e negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian. Rumania përkrah përçapjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së. Tregues domethënës në këtë aspekt është botimi vitin e kaluar i një libri të shkruar nga ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, zoti prof. univ. dr. inxh. ek. Mirçea Perpelea, i cili i dha këtij vendi përvojën e rrugës së përshkuar nga Rumania, me të mirat e me të metat, deri sa u bë anëtare e plotë e BE-së.
Pò Rumania ishte vendi i parë që njohu Pavarësinë e Shqipërisë, e cila u shpall më 28 nëntor 1912, pasi ishte „projektuar” në mbledhjen e patriotëve shqiptarë më 5 (18) nëntor të atij viti, që u organizua në Bukuresht.
Kacafytjet e mëdha të njeriut me forcat regresive nxjerrin në pah forcën e solidaritetit njerëzor; një njeri e njeh tjetrin kur i dhemb dhembja e tjetrit. Në ndeshjet tona të mëdha me ata që na janë kundërvënë pa të drejtë, na ndihmojnë jo vetëm bashkëkohësit, por edhe stërgjyshët; ata na kanë lënë trashëgim përpjekjet shumëshekullore për të mposhtur „dyndjet” e çdo lloji. Dëshmi në këtë kuadër janë shumë kapituj të librit që po analizojmë këtu dhe që kanë në qëndër të vëmendjes pikat e kontaktit dhe të gjithë elementët tradicionalë, psikologjikë, historikë e kulturorë që i bashkojnë ose i afrojnë popujt shqiptar e rumun gjatë kohërave.. Argumente të panumurta të mbështetura në dokumente dhe elementë të tjerë të denjë për t’u marrë parasysh, na grishin të kujtojmë të vërtetën sipas së cilës dukuritë shoqërore nuk mund të parashikohen me saktësi. Shkenca, ashtu si kompjuteri, nuk mund të të përgjigjet për çdo problem. Ti je ai që duhet të dish ta përdorësh një vegël apo mjet. E tillë është edhe shkenca. Termat: „i vërtetë”, „i rremë”; sintagmat „më i mundshëm”, „më pak i mundshëm”, kanë një kuptim dhe nuk mund të përdoren sidokudo. Kësisoj, pa asnjë pretendim se po na thonë gjithçka në mënyrë të pakundërshtueshme, vëllimi i të dhënave historike të përdorura nga autorët Perpelea dhe Popesku është tepër i madh, çka parakupton përdorimin e teknikave klasike dhe moderne. Thënë ndryshe, përpunimi dhe analiza e të dhënave historike ka vënë pranë njëra-tjetrës të sofistikuarën dhe tradicionalen. Në këtë mënyrë janë studiuar me vëmendje dhe janë shpalosur bindshëm një numur i madh çështjesh të rëndësishme, ecuria e disa dukurive shoqërore në një periudhë të caktuar, siç janë migrimet, evolucioni i klasave të pasura, marrëdhëniet agrare në një periudhë tjetër etj.
Në vorbullën e qëmtimit dhe përzgjedhjes së të dhënave të shkruara e gojore, hasim edhe në ndonjë pohim apo interpretim që nuk përputhet plotësisht me këndvështrimin tonë, por as nuk bie ndesh me të. Në këto raste madje vlen të çmojmë faktin që autorët kanë shprehur mendime origjinale duke u munduar t’i argumentojnë.
Si përfundim kam të drejtë të pohoj se ky punim, – ashtu si ai që shkroi dhe botoi para një viti ambasadori Perpelea, – këtë herë përgatitur nga dy intelektualë të zgjedhur, përbën një ndihmesë me vlerë për njohjen e realiteteve historike në rajonin e Ballkanit, duke marrë shkas nga marrëdhëniet tradicionale dhe vllazërore ndërmjet popujve rumun e shqiptar.

Nje shkrim i nivelit te larte kulturor, i denje per maredheniet miqesore kulturore shqiptaro-rumune. Ndoshta nje pershkrim konkret i permbajtjes se kapitujve te librit mund te ishte i domosdoshem.