Në kuadër të luftës kundër informalitetit, Drejtoria e Tatimeve i ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve subjekte të mbrojtjes së të drejtës së autorit që të deklarojnë të ardhurat personale. Ky institucion ka publikuar edhe tabelat ku përcaktohet një metodologji fikse e cila do të shmangë abuzimet me tarifat.
Tatimpaguesit qe janë subjekte të mbrojtjes së të drejtës së autorit duhet që të deklarojnë sa më parë të ardhurat personale të përftuara nga veprimtaria.
Ky paralajmërim është bërë nga Drejtoria e Tatimeve.
Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare thuhet se regjistrimi, deklarimi dhe pagesa e detyrimeve lidhur me të ardhurat personale të përfituara është detyrim ligjor dhe për këtë i kërkohet të gjitha subjekteve që të plotësojnë sa më parë këtë detyrim.
Kjo masë është marë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vijim të formalizimit dhe shmangies së evazionit fiskal në zbatim të ligjit nr. 35, datë 31.03.2016 “Për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e tjera të lidhura me to”.
Tatimet kanë publikuar edhe metodologjinë dhe masat e tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv, vendim i miratuar nga Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit.
Në këtë mënyrë sipas Drejtorisë së Tatimeve, shmangen abuzimet duke vendosur çmime të paarsyeshme ose të angazhohen në praktika diskriminuese, të tilla si aplikimi i tarifave të ndryshme për përdoruesit e ngjashëm që veprojnë në të njëjtat tregje.
Tarifat në këtë metodologji janë transparente, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizmin e tregut, duke siguruar në këtë mënyrë konkurencë të lirë dhe duke i dhënë fund abuzimeve dhe problematikave të mbartura ndër vite.
