Pas shumë debatesh është miratuar nga Këshilli Bashkiak buxheti për vitin 2014. Një shkëputje nga e kaluara e ka cilësuar kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi miratimin e buxhetit. “Ndahemi nga e kaluara dhe japim votën pro. Për buxhetin jemi bashkëpërgjegjës” është shprehur Dalipi. Më herët Këshilli miratoi edhe rritjen e taksës së gjelbërimit dhe tarifës për kopshtet dhe çerdhet. Çështja e vendosjes së emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit” në një prej rrugët e Tiranës ishte tema që hapi mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Propozimi erdhi nga këshilltarët e LSI-së. Shezai Rrokaj theksoi se ka kaluar një vit dhe nuk ka asnjë rrugë me këtë emër. Ndërkohë, Aldrin Dalipi kërkoi që të mblidhet administrata, të raportojë dhe më pas të votohet në Këshill. Nga ana e tij, Këshilltari Ferdinand Poni kërkoi që të vlerësohen përpjekjet e popullit për liri. Ai theksoi se vendimi për vendosjen e emrit “Ibrahim Rugova” të njërës prej rrugëve ishte i drejtë. Më pas anëtarët e Këshillit diskutuan për sistemin e taksave dhe tarifave vendore. Dhori Kule kërkoi që të miratohet paketa fiskale e ardhur nga ekzekutivi. Ai u shpreh se mbledhja e Këshillit Bashkiak është e vonuar. Ndërkohë Adriana Berberi propozoi rritje të tarifës së pastrimit dhe të çmimit të ushqimit në çerdhe. Nënkryetari i Bashkisë Eno Bozdo theksoi se do të ketë rritje të nivelit të taksës për ndërtimet për biznes. Ai bëri me dije se është i detyruar të paraqesë një paketë me rritje taksash. “Nga 1 Janari ne nuk mbledhim më taksa në territorin tone. Të detyruar të paraqesim paketë me rritje taksash. Rritja e tarifave për çerdhe, nuk ka ndodhur që prej 2007. Taksë nga biznesi i vogël 460 mln lekë më pak se viti i kaluar,” u shpreh Bozdo. Këshilli Bashkiak miratoi rritjen e tarifës për kopshtet dhe çerdhet. Sipas ndryshimeve të miratuara tarifa për kopshtet nga 160 lekë në ditë do të jetë 180 lekë në ditë. Ndërkohë që tarifa për çerdhet ishte 130 lekë në ditë dhe u bë 145 lekë në ditë. Me propozimin e PS-së taksa për pasurinë për bizneset do të ulet me 30%.
Miratohet buxheti i Bashkisë Tiranë, Dalipi: Ndahemi nga e kaluara bllokuese
