Miratohet kandidatura për hapjen e dosjeve, Opozita kërkon lustracion

Saimir Lleshi
KOMISIONI I LIGJEVE - Kryetari i Komisionit Parlamentar te Ligjeve Fatmir Xhafa, duke folur gjate nje mbledhje te ketij komisioni, ku deputetet e opozites kane braktisur kete komision, menjehere pasi ka ndodhur nje vrasje ne Shkozet te Durresit, ku u vra nje nxenes 17 vjecar brenda ne shkolle.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për propozimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të një anëtari të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”.

E pranishme në mbledhjen e komisionit ishte kandidatja Gentiana Sula, e cila aktualisht mban postin e Zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Deputeti i opozitës z. Arben Ristani theksoi se opozita nuk është kundër kandidaturës, por kundër projektligjit për hapjen e dosjeve të sigurimit të ish-sistemit komunist. “Znj. Sula është propozuar për të kryer një detyrë shtetërore dhe parimisht personalisht do t’i uroja punë të mbarë, por duke qenë se ne si opozitë kemi qenë kundër ligjit që kur ai është miratuar do të jemi të detyruar të votojmë kundër”, tha Ristani.

Ai shtoi se nëse ligji nuk shoqërohet me një ligj për lustracionin, çka do të përjashtonte nga administrata publike njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, ligji aktual është i padobishëm. “Ne do votojmë kundër këtij ligji, sepse ky ligj është një farsë. Ligji të shoqërohet me procesin e lustracionit. Sot ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit janë në administratë. Simbolet e diktaturës po shfaqen rëndom çdo ditë. Bunkerët po i ndërtoni në mes të Tiranës”, deklaroi Ristani.

Kryetari i komisionit z. Fatmir Xhafaj theksoi se kandidatura e propozuar nga Këshilli i Ministrave nuk ka kontestime. “Mesa shoh, për kandidaturën nuk ka vërejtje, por ka vërejtje për ligjin. Ky është një diskutim që ne e kemi bërë për ligjin. Këtu ndahemi. Është e drejta e opozitës ta gjykoj në mënyrë ne saj por e rëndësishme është që kandidatura e sjell nga Këshilli i Ministrave nuk ka konstatime dhe ndahemi për çështje ligji dhe jo çështje kandidature dhe kjo është e rëndësishme”,tha Xhafaj. Në fund znj. Sula u votua nga komisioni si anëtare e Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *