Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Ministri i Shtetit për qeverisjen vendore, Bledi Çuçi sqaroi edhe arsyen e hartimit të kësaj nisme.
“Esenca e reformës së Pushtetit Vendor në Shqipëri, sipas programit politik të Këshillit të Ministrave të miratuar nga Kuvendi, sintetizohet në dy objektiva strategjikë: E para të maksimalizojë eficencën operacionale përfshirë dhe standardet e performancës, kujdesit ndaj qytetarit dhe komunitetit, cilësisë së shërbimit , së dyti të fuqizojë efektivitetin e përfaqësimit demokratik, përfshirë kontrollin demokratik të drejtimit politik të bashkive dhe të këshillave, përgjegjshmërinë e tyre, transparencën dhe reagimin e përfshirjen e komuniteteve lokale.
Synimi i përgjithshëm i ligjit është arritja e një sistemi që performon dhe siguron shërbime sa më efektivisht që të jetë e mundur, për qytetarët dhe komunitet. Kërkesa themelore e reformës është bërja e njësive të qeverisjes vendore sa më të përshtatshme pikësëpari në bazë legjislative për të përballuar sfidat”, tha z. Çuçi.
Nënkryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Ridvan Bode, shprehu kritikat e tij për këtë ligj, duke e cilësuar si të nxituar dhe të motivuar politikisht.
“Ligji është i nxituar dhe kushtëzohet nga fakti që disa zëra, tituj në projektbuxhetin 2016, janë programuar që t’i kalojnë qeverisjes vendore. Në nxitim e sipër, sigurisht është i pakonsultuar dhe nuk merr në konsideratë, nevojën për një stad të ri, në decentralizimin e pushtetit të funksioneve dhe të financave. Ky ligj demaskon dhe qëllimin e asaj të quajtur, Reformë territoriale administrative , që mazhoranca e shpalli si hapin e parë të decentralizimit thelbësor të qeverisjes”, tha Bode.
Më pas, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e raporteve te komisioneve parlamentare për projektbuxhetin. Ministria e Financave ka bindjen se ndryshimet e paraqitura sigurojnë një eficiencë më të lartë të përdorimit të fondeve publike, veçanërisht atyre të investimeve, pasi realizon kalimin e fondeve nga projekte me ecuri të ngadaltë në projekte me ecuri më të lartë, duke ndikuar në shlyerjen në kohë të detyrimeve kontraktuale, por edhe duke ndihmuar në mënyrë modeste ekonominë e vendit. /Dita/
