Komisioni i Sigurisë miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për Shërbimin e Inteligjensës së Mbrojtjes. Mbledhja, e shoqëruar me debate të ashpra mes palëve, nisi me akuza të deputetëve të opozitës për mosparaqitjen përpara deputetëve të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili sipas socialistëve, ka marrë superkompetenca me ndryshimet që po i bëhen ligjit. Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni ka ngritur pretendimin se ky projekt ligj po tentohet të kalohet me emergjencë ndërkohë që e ka cilësuar atë si të rrezikshëm. Po ashtu deputetët opozitës kanë kërkuar tu vihet në dispozicion dokumentacioni sekret që Inteligjenca shqiptare ka shkëmbyer me DIA-n gjë e cila është kundërshtuar nga deputetët demokrat dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tyre, këto janë dokumente sekrete që nuk mund t’u vihen në dispozicion deputetëve. Për këtë arsye, anëtarët e këtij komisioni, përfaqësues të PS-së, u shprehën se SHIU-t po i jepet kompetencë dhe veprim jashtë fushës ushtarake. Por sipas mazhorancës pas anëtarësimit ne NATO, ka lindur si detyrim që Shërbimi Informativ Ushtarak të shndërrohet në agjencinë e inteligjencës së mbrojtjes. Më pas debati është fokusuar në dokumentet dhe korrespondencat sekrete që grupi i punës ka pasur me agjencitë ndërkombëtare dhe sugjerimet e dhëna nga NATO.