Miratohet nisma për vullnetarizmin, Mehmetaj: Ligji promovon punën vullnetare

Elton Tafaruci

Kuvendi miratoi të enjten me 74 vota projektigjin “Për punën vullnetare”, propozim i grupit parlamentar te Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, e cilësoi nismën për vullnetarizmin një nga më të dobishmet dhe që ndihmon në shëndoshjen e shoqërisë sonë.

“Nisma e sotme, që vjen pas konsultimit me disa institucione ndërkombëtare, rregullon dhe vendos në shina ligjore një veprimtari, që në dy vitet e fundit ka shënuar një rritje të dukshme ne vend. Vullnetarizmi duhet konsideruar një aktivitet që ndihmon në shëndoshjen e shoqërisë dhe nxit angazhimin civil”, theksoi Vasili.

Po ashtu, theksoi ai, nisma orienton vullnetet e forcave më të mira të shoqërisë drejt një veprimtarie të devotshme duke larguar, vecanërisht të rinjtë, nga fenomenet negative.

“Nisma duket minore por ajo mobilizon vullnetet e mijëra të rinjve tanë të orientohen në një veprimtari që është e rregulluar tashme me ligj”, tha Vasili. Ai vlerësoi rolin e parlamentit në këtë drejtim, qe me kete nisme ligjore ‘demonstroi produktivitetin legjislativ dhe intelektual duke dëshmuar se prodhon mendim dhe jo vetëm debate’.

Ndërsa deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, një nga iniciueset e këtij projektligji, tha se në hartimin e tij shtysë kanë qënë organizatat e shoqërisë civile, te interesuara për rregullimin e marrëdhënieve mes aktorëve pjesëmarrës në fushën e vullnetarizmit.

Projektligji, tha Mehmetaj, është i destinuar për ata njerëz të cilët ndihmojnë dhe janë pjesëmarrës aktivë në komunitet. Nisma qartëson gjithashtu rolin e institucioneve që do te jenë të lidhura me punën vullnetare, tha ajo.

Ajo tha se janë ndjekur modele të ngjashme ne rajon duke zbatuar edhe udhëzimet e Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, të cilat i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme politikat mbi vullnetarizmin.

“Kemi një shtim të ndërgjegjësimit të komunitetit, por me shumë pak orientim, me shumë pak lidhje, me shumë pak komunikim dhe me shumë pak informacione se si duhet kryer ky proces. Vlen për t’u theksuar fakti se ka një mungesë të të dhënave statistikore zyrtare. Megjithatë, nga studime të organizatave serioze rezulton se së paku një në pesë të rinj në Shqipëri angazhohet në punë vullnetare”, tha deputetja e LSI-se.

Gjithashtu, theksoi ajo, organizatat që funksionojnë në bazë të vullnetarizmit thonë se punojnë me një numër të konsiderueshëm vullnetarësh nga të gjitha bashkitë e vendit dhe se puna e tyre dhe pse e papaguar është e çmuar për komunitetin.

Me gjithë dëshirën për të kontribuar për shkak të mungesës së një rregullatori, institucionet tona i kanë dyert e tyre të mbyllura për vullnetarët, ata nuk vlerësohen dhe puna e tyre nuk është e mbrojtur dhe as e kontrolluar”, tha deputetja Mehmetaj. Miratimi i këtij projektligji, sipas saj, do t’i japë të gjitha palëve të interesuara në vullnetarizëm, sigurinë e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, por njëkohësisht edhe mundësinë e promovimit të punës vullnetare.

Share This Article
3 Comments
  • Vullnetarizmi per pune te pa paguar asht e rrendit te komunizmit.Si ndergjegje per interresin ne sherbim te pergjithshmes.
    Kapitalizmi cdo pune qe kryhet paguhet me para.Keshtuqe mos ngatrroni vullnetin e monizmit per t’ia pershtatur origjinal dhe sistemit kapitalist.Mos pagesa asht zhvatje vjedhje zyrtarisht e pa drejt qe i behet vullnetarve.
    Sistemi kapitalist asht i kenaqur nese cfaqin vullnet rinia per te kryer nji pune.Po puna duhet paguar.Ose nuk ka vullnetarizem.
    Ne keto kushte sistemi kapitalist vjedh me ligje idet dhe forcen e krahut te rinise(qytetarise) padrejtesisht.E kjo te bind qe ju ne Shqiperi nuk e njihni kapitalizmin.
    Mesa ma siper rendi monist siguronte vullnetarve fjetjen dhe kostumin e punes se vullnetarit,po keshtu dhe paisjet e domosdoshme per higjen vetjake dhe sanitare.Pra dhe vete rendi bante deri diku nji fare pagese.

  • Ky ligj eshte sa MASHTRUES aq edhe PROPAGANDE BOSHE!
    Po deputetet,gjyqtaret,doganieret,mjeket etj A PUNOJNE VULLNETARISHT???
    Cfare jane keto ligje skandaloze!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *