Premtimi taksa më të ulëta, mbetet vetëm në letër. Ashpërsohet klima Ministri e Financave-Biznes
Paketa e re fiskale ashtu sic ishte paralajmëruar u miratua dje nga kryeministri Sali Berisha, pa zërin e reflektuar të biznesit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë pjesa më e madhe e vendimeve i përkisnin paketës së re fiskale për vitin 2013, ku evidentoheshin një sërë ndryshimesh, por që nuk reflektonin zërin e biznesit, i cili preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto ndryshime fiskale. Ishte gazeta “Dita” që në zbardhjen e projketligjeve që kishin mbërritur tek biznesi vetëm pak ditë më parë për reflektim ndryshimesh, që zbardhi kërkësat e sipërmarrësve për të parë projektet në një këndvështrim më ekonomik.
Por ajo cka deklaroi shefi i qeverisë dje ishte vecse miratimi i drafteve fillestare të dala nga Ministria e Financave.
Kryeministri demokrat u shpre se “një vendim shumë i rëndësishëm është projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare. Sipas këtij projektligji, vendosen eksporte për lëndën drusore dhe kjo masë propozohet të jetë 30 përqind. Kjo taksë do të mblidhet nga administrata doganore, në momentin e eksportimit dhe komisioni i agjentit tatimor propozohet të jetë zero”. Ai e pranon faktin se kjo masë nuk përputhet me filozofinë “liberale”. “Por mjedisorët e kanë ngritur me të madhe këtë, duke kërkuar ta ndalojmë për pesë vjet. Fatkeqësia e mjedisorëve është se u bashkohen edhe antiglobalistët, pasi p.sh Shalsi i bashkisë [Tiranë] është antiglobalist, nuk është mjedisor, pasi vetëm nga mjedisi nuk merr vesh”.
Por tej dimensionint politik, kompensimi për sipërmarrësit do të vijë sipas shefit të qeverisë me ndryshimin për tarifat doganore për kafenë, për të cilën tarifa doganore nga 10 përqind bëhet zero. “Në të gjitha këto masa ka një synim që të ndikohet edhe në formalizimin e plotë të këtij tregu. Ne e kemi gjetur me 1500 tonë të zhdoganuar dhe tani është tre-katërfishuar. Kjo është një industri me përdorim shumë të gjerë në Shqipëri. Kafeja është hobi e mund të them se jemi ndër vendet që e përdorim më shumë dhe kjo është shumë interesante, sepse ne nuk e rrisim as vetë”.
Nga 140 lekë që importuesit paguajnë për këtë produkt, me vendimin e ri parashikohet të paguajnë 60 lekë. Përmes një vendimi tjetër, qeveria ka vendosur të heqë edhe taksën e importit prej 10 për qindësh për kafen që importohet, duke lehtësuar ndjeshëm barrën fiskale për këtë industri. Referuar të dhënave të deklaruara nga kryeministri, nga ky vendim, kjo industri përfiton rreth 300 milionë lekë.
Një pikë tjetër e paketës fiskale është ajo për rritjen e nivelit të gjobave për bizneset që mbajnë punonjës që punojnë në të zezë. Vendimi i paralajmëruar edhe nga Ministria e Financave, parashikon 5 fishimin e gjobave. Ky vendim, referuar deklaratës zyrtare të qeverisë, synon të ulë informalitetin në sektorin e punësimit. Një vendim tjetër i miratuar nga qeveria është ai që heq tatimin mbi disa kategori të ardhurash, mes të cilave, të ardhurat nga dëmshpërblimet apo shpërblimet. Sipas kryeministrit, ky vendim nuk ka si qëllim që të rrisë nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit por vetëm të ulë informalitetin. Ndaj, kreu i qeverisë kërkoi që në këtë rast, Ministria e Financave dhe organet tatimore të mos veprojnë me arbitraritet, por t’u japin mundësinë bizneseve që të vetëdeklarojnë edhe elektronikisht numrin dhe ndryshimet në staf.
Por nëse qeveria e konsideron këto ndryshime si një ndihmë për zhvillimin e biznesit dhe ulje të evazionit fiskal, një mendim krejt të kundërt ndan biznesi, mendim që e reflektoi pak ditë më parë në Këshillin Konsultativ të biznesit. Lidhur me një pikë të nxehtë atë të aplikimit të nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, sipas sipërmarrësve do të shkojë në falimentimin e tyre. Por tashmë vendimi ka marrë formë dhe pritet që debati të zhvendoset në komisionet parlamentare, duke e lënë të rëndduar sipërmarrjen e duke krijuar një pabarazi të theksuar midis shtetit dhe privatit.
Paketa e ndryshimeve fiskale:
Heqja e akcizës për kafen e papjekur. Nga 30 lekë për kilogram bëhet zero.
– Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.
– Tarifa doganore për kafenë nga 10 përqind bëhet zero.
– Rritet pesëfish masa e gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar, apo në rastet e mosdeklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin.
– Nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale.
– Përjashtohen nga detyrimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ardhurat e përfitimit nga dëmshpërblimet e marra me vendim të formës së prerë të gjykatave, si dhe të kompensimit të kostove gjyqësore, të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë.
– Qartësohet nocioni i të ardhurës bruto për të vetëpunësuarit, sipas të cilit, e ardhur bruto për këtë kategori do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar apo shërbimi.
– Regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor do të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, si aktualisht.
Rriten kreditë me probleme
Aktivet e sistemit bankar arritën në fund të shtatorit 2012 në 1,189 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore rreth 8.6 për qind, ndërkohë që përgjatë tremujorit të tretë 2012 u rritën me rreth 2.7 për qind ose 18.4 miliardë lekë. Të dhënat deklarohen nga raporti më i fundit i Shoqatës së Bankave, ku evidentohet rritja e kredive me probleme, kjo kryesisht për biznesin.
Ndërkaq paradoksi në sistemin bankar vijon. Sipas këtij raporti sektori bankar e ka mbyllur 9-mujorin me një fitim prej 3.1 miliardë lekësh. Rezultati financiar i bankave vazhdon të qëndrojë pozitiv dhe më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, kur për 9-mujorin fitimi i bankave ishte 1.3 miliardë lekë. Megjithatë, fitimi i bankave ka pësuar një rënie me rreth 500 milionë lekë krahasuar me 8-mujorin.
Në nivel bankash të veçanta, shumica prej tyre e mbyllën 6-mujorin me rezultat financiar pozitiv. Nga 16 banka, 13 prej tyre deklaruan rezultat fitimprurës, vetëm një deklaroi humbje ndërsa dy banka nuk i kanë publikuar rezultatet e tyre. Bankat më të mëdha vazhdojnë të jenë fitimprurëse në vlera të larta. Raiffeisen për 9-mujorin raportoi një fitim 4.5 miliardë lekë, Banka Kombëtare Tregtare 2.5 miliardë lekë, Intesa Sanpaolo 1.4 miliardë lekë, Credins 627 milionë lekë, Tirana Bank 442 milionë lekë dhe Societe Generale 316 milionë lekë.
Depozitat e vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të tretë 2012, arritën në rreth 995 miliardë lekë, me një rritje prej 33 miliardë lekë përgjatë tremujorit dhe rreth 10.2 për qind në bazë vjetore. Rritja e stokut të depozitave u mbështet kryesisht nga rritja e depozitave të individëve që ka ruajtur një ritëm vjetor prej rreth 11 për qind në fund të shtatorit, duke qenë 2.8 për qind më të larta se në tremujorin e dytë të vitit 2012. Ndërkohë, në linjë me sjelljen e tyre sezonale, rritje kanë pasqyruar edhe depozitat e bizneseve të cilat vetëm gjatë tremujorit të tretë u shtuan me rreth 9.6 miliardë lekë ose 7.8 për qind më shumë se fund-qershori 2012.
Teprica e kredisë së dhënë nga bankat për ekonominë u rrit përgjatë tremujorit të tretë me rreth 5.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.4 për qind. Vërehet se teprica e kredive për individë përgjatë tremujorit pati një rritje prej 1 për qind përkundrejt rënies përgjatë tremujorëve të mëparshëm. Në të njëjtën kohë fluksi i kredive të reja të akorduara nga bankat përgjatë tremujorit ishte rreth 59.2 miliardë lekë. Rreth 85 për qind e këtij fluksi shkoi drejt kreditimit të bizneseve; 43 për qind e kredive të reja të disbursuara ishin në monedhën vendase, 49 për qind në Euro dhe 8 për qind në Dollarë Amerikan.
Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.9 për qind në fund të tremujorit të tretë, nga 15.7 për qind që ishte në fund të tremujorit të dytë. Në të njëjtën kohë, ecuria e mirë e depozitave konfirmon se ai ka likuiditet të bollshëm për të rritur rolin e tij si ndërmjetësues të fondeve në ekonomi. Ndërkaq kushtet e dhënies së kredive për individëd dhe sipërmarrësit sa vijnë dhe ashpërsohen, duke patur një mungesë të theksuar kredidhënie.