Mirditë, vritet një 30-vjeçar. Plagoset dhe bashkëshortja e tij

Bledar Lumani

Xhelozia e sëmurë dhe dyshimet se bashkëfshatari i ngacmonte gruan, ka çuar deri në krimin makabër një të ri nga Mirdita.

Në sherr e sipër ekzekuton 30-vjeçarin me automatik “Kallashnikov” dhe i plagos bashkëshorten, ndërsa është arrestuar nga policia brenda pak minutash.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Lufaj të këtij rrethi. Viktima është Roland Kaçorri, dhe e plagosura Orjeta Kaçorri.

Kjo e fundit ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e motiveve të krimit, që janë të dobëta dhe në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Azem Uka, 29 vjeç.

Policia konfirmon se edhe më parë dy burrat kanë pasur zënka dhe përplasje po për motive xhelozie, ndërsa u përjashtua pista e një hakmarrjeje të mundshme.
Sipas hetimeve të policisë së Mirditës dhe specialistëve të dërguar nga drejtoria në Lezhë, autori i krimit Azem Uka ka thirrur dje për sqarime afër shtëpisë së tij viktimën Kaçorri.

Ai e ka akuzuar atë se kishte raporte intime me bashkëshorten e tij dhe se e takonte fshehurazi, apo e ngacmonte seksualisht. Vetë 35-vjeçari sipas policisë, ka ndjekur lëvizjet e gruas së tij, por nuk ka pasur prova bindëse për tradhtinë bashkëshortore.

Edhe më parë ishte përplasur me Kaçorrin për këtë shkak, duke e paralajmëruar. Edhe dje i ka shkuar herët afër shtëpisë, ku është përfshirë në një debat të shkurtër dhe më pas e ka vrarë në sy të gruas. Por edhe këtë të fundit, Orjeta Kaçorrin, e ka plagosur me armë, duke u larguar me vrap. Nuk dihet ende nëse qëllimi ka qenë për t’i vrarë të dy bashkëshortët dhe që 26-vjeçarja të ketë shpëtuar për mrekulli.

Pas të shtënave me armë, banorët e fshatit Lufaj, disa prej të cilëve edhe në dijeni të sherrit, njoftuan policinë dhe shkuan te banesa e familjes Kaçorri. Ata kanë gjetur të pajetë, me disa plumba në trup 30-vjeçarin, kurse të plagosurën e dërguan në spitalin e Mirditës fillimisht dhe më tej drejt Tiranës me helikopter.

Ajo nuk ka rrezik për jetën sipas mjekëve, ndërsa ka dëshmuar menjëherë për autorin Azem Uka, bashkëfshatar i tyre dhe për motivin e krimit, xhelozinë e sëmurë të të dyshuarit se viktima i ngacmonte gruan. Vetë Orjeta është përpjekur të shuajë sherrin, por autori nuk e kurseu edhe atë.

Blutë e Mirditës arritën ta arrestojnë autorin e krimit vetëm disa orë pas vrasjes, teksa po tentonte të arratisej nëpërmjet zonës malore. Ai u dorëzua pas thirrjes së forcave policore, ndërsa ka pranuar se shkak ishte pikërisht xhelozia dhe ngacmimet e gruas së tij nga 30-vjeçari.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka shkaqe të tjera pas krimit, rrethanat e plota dhe mbledhjen e dëshmive të të dy palëve.

Ndaj Ukës u ngrit akuza e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *