Letër e nënshkruar,
Evdal Nuri
Bota e kishte dëgjuar, por tashti e pa konkretisht në Paris harmoninë e bashkëjetesën fetare në vendin tonë. Ky mesazh themelor për ekzistencën e botës së lirë pavarësisht nga bindjet fetare flet se është
koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes dhe harmonisë, lirisë, barazisë, vëllazërimit.
Por ç’ka ndodhur tek ne? Politika na ka ndarë, feja na bashkon! Kishim kohë që politikanët e majtë e të djathtë, s’i kishim parë bashkë, dhe ai që i bashkoi quhet Papa Françesku. Rruga e jetës s’është dhuna, theksoi Papa, por dialogu. E pikërisht, kjo na mungon e për këtë kemi nevojë, jo për ta kuptuar por për ta zbatuar. Politika konfliktuale na ka dëmtuar shumë këto 24 vjet. Si s’ka ndodhur qoftë dhe një herë që opozita t’i thotë pozitës: Po, këtë e bëre mirë! Ose anasjelltas.
Ne kemi ndarje politike V-J . Kemi ndarje midis krahinave, qyteteve, lagjeve e fiseve. Zihemi vetëm për “Politikën”! E kemi dëmtuar, mohuar e dhunuar njëri- tjetrin. Por ka dhe nga ata që e dredhin sipas situatave. Herë me socialistët e herë me demokratët. Pse s’përqafojmë të mirën, por të keqen? Pse kur ndryshojnë qeveritë, fillon fshesa për para ardhësit? Pse tërë jetën duhet të jetojmë me frikë? Do jem në punë, apo do më heqin?
Unë jam mysliman. Por më kujtohet se babai na binte vezë të kuqe kur ishin pashkët. Edhe pse me bindje myslimane, jam martuar me një të krishtere. Kjo s’më ka penguar për një harmoni fetare e familjare! Në familjen time gjendet Kurani, por dhe Ungjilli. Festohet Pashka e Bajrami. Mbahet Ramazan e Kreshmë. Mos ka ardhur koha për një politikë më të moderuar?
