Letër e nënshkruar
Vasil Puci
Kryeministri e quan shpesh qeverinë tij një skuadër. Zoti Rama! Bëtë (dhe bëmë) një blerje të mirë 2 milion vota me 23 dhe 21 qershor. “Harxhuan” shumë të gjitha palët. Në portë vutë zotin Cani, në mbrojtje vutë Tahirin dhe ministrin e drejtësisë të “blerë” nga një klub tjetër me Gjoshën. Në mesfushë Ahmetaj si mbrojtës i lirë. Vazhduat me krahët. Ministria Nikolla në sulm majtas, qendra e sulmit Bushatin e në të djathte Harito. Këtu duhet ta mbaroj alegorinë se kthehem në gazetar sportiv.
Ne ju duam si skuadër. Po kush do shënojë? Prisni të bëjë gol Tahiri, por ai është “i shkurtër”, Canit i kalojnë topat pranë dhe mezi i kapi, Ahmetaj bërtet dhe u bën me shenjë anësorëve. Kundërshtarin e kini kaq të dobët sa mezi mbahet në këmbë. Trajneri i kundërshtarit ka bërë vrasje; ka bërë fajdet, Gërdecin, 21 Janarin, rrugën e Kombit. Bëri kundërgoditje më 1998 me grusht shteti.
Pra është një kundërshtar politik i diskredituar tek ne që të besuam si skuadër. Pra, fushën e ke bosh, por shëno.
Ç’të të themi ne që shkruajmë. Duam fitoren e skuadrës tënde. Po kjo nuk arrihet me llafe. Ti thua që neve nuk na e ha qeni shkopin. Nuk na e ha or jo, por shohim lojën or burrë. Qorto skuadrën në pushim të pjesës së parë.
