Mirënjohja e gjatë… (e aktorit me shtatin më të shkurtër në Shqipëri)

redaktor

Nga Alfred Zeneli

 

Mirënjohja është virtyt i njeriut që e njeh këtë mrekulli njerëzore. E një nga këta njerëz që e njohin këtë mrekulli, jam unë aktori, laboranti i klinikës biokimike dhe student i Histori-Filologjisë (në sistemin me korrespondencë), i pa mbaruar ky i fundit për arsye të miat. Jam aktor profesionist, kuptohet, me arsimin e lartë. Jam i vetmi njeri me shtatin më të shkurtër në këtë fushë që ka mbaruar arsimin e lartë që kur është hapur ajo shkollë e deri në ditët e sotme për historinë e Shqipërisë.

Mirënjohje deri në vdekje mjekut kardiolog, birit të Vlorës, doktor Sabit Brokajt, që më ka ndihmuar në çastet e ndryshimit të sistemeve për çeljen e rrugës për shkollimin tim.

Po e tregoj në vazhdim historinë time.

Më 1991 shefi i shëndetësisë Bardh Asllani më dha të drejtën e studimit për laborant të klinikës biokimike. Vij në Tiranë, po drejtoria e asaj shkolle nuk më pranonte. Pse-në e dinin ata. Me këmbënguljen time i them tim eti të më shoqëronte. Roja i Ministrisë së Shëndetësisë na kthente mbrapsht. Detyrohem t’i them tim eti se nuk do më shoqëronte më. Marr motrën, se të dy jemi shumë këmbëngulës dhe s’ka bir nëne të na kthejë mbrapsht. Hymë në ministri pa kokëçarje dhe na pret ish-ministri i Shëndetësisë doktor Sabit Brokaj.

I tregojmë dokumentet dhe pengesat që na nxirrte drejtoria e arsimit mjekësor, Laborant Rontgen, Biokimi, Infermieri.

Firmos dokumentet se i kisha brenda rregullave që më çonte rrethi im i Dibrës (vendlindja Peshkopi), po unë kokën dhe mendjen i kisha në Teatër të Kukullave që të luaja në këtë teatër. Përsëri me motrën shkuam në Teatrin i Kukullave. Rastësisht para këtij teatri shoh aktoren e mirënjohur të filmit “Horizonte të Hapura” në rolin e Artës, Mirketa Çobanin. I them motrës: ky njeri do na ndihmojë e ti duhet të bisedosh me të. Bisedojnë bashkë dhe me shkathtësinë e Mirketës sa hap e mbyll sytë, del nga teatri dhe na thotë se na kërkon drejtori. Hymë që të dy e na pret fisniku i Labërisë, i ndjeri Skënder Hasko, shkrimtari i shquar për fëmijë. Ëndërr më dukej çdo realitet, pasi m’u hapën dyert e teatrit dhe unë u ngjita në skenë. Kam luajtur me shumë turp sepse ata aktorë të gjithë ishin profesionistë dhe me arsim të lartë në aktrim. Po u kënaqa dhe u lumturova. Falë këmbënguljes së Mirketës luajta dhe një pjesë tjetër. E i ndjeri Skënder i thotë Ketës:

-Mirket, e paparë je. E di që s’më zhgënjeve për Alfredin…

Pas disa kohësh më thërret në zyrë të tij drejtor Skënderi e më thotë:

– Alfred, po qesh drejtor unë këtu në Teatër të Kukullave do të të ndihmoj që të bësh shkollën e lartë për aktor, se të ndihmon shumë ty. Nuk kisha besim te ty, po më befasove.

Për fatin tim të keq, zgjedhjet e viteve 1991-1992 më detyrojnë të kthehem në Peshkopi. Kërkoj të punësohem, po prapë i masakruar. Nga viti 1992 deri në 1995, i papunë. Vendosëm të largohemi nga Peshkopia në 1995 familjarisht. Kemi vuajtur shumë në Tiranë, pasi humbëm lekët në firmat e “famshme” piramidale. Nuk më hapeshin rrugët. Pa arsimin e lartë ishte e kotë që unë të kërkoja ndonjë punësim.

Vendos të regjistrohem në dy fakultete, Histori-Filologji, dega histori dhe Akademia e Arteve për aktrim. Shkoj të regjistrohem dhe takoj kryesekretaren e Histori-Filologjisë, të nderuarën Xhuli, zonjë grua. Konkurroj më 1998, po kisha dizavantazhe me maturantët e vitit 1998, pasi unë kisha mbaruar të mesmen më 1987. Programin mësimor të pas ndryshimeve të sistemeve nuk e njihja për periudhën 1991-98, pasi unë i përkisja periudhës së viteve ‘80. Programe mësimore komplet të kundërta në letërsi, histori e lëndë të tjera shoqërore. Pasi takoj të mrekullueshmen njeri, kryesekretaren Xhuli, ajo më pyet e shprehimisht më thotë:

“Fred, e kemi lexu testin tënd dhe jemi shpreh si ka mundësi që dhe maturantë të vitit 1998 nuk kanë kapur kaq pikë sa ti…”

Po prapë unë s’fitoja.

Ajo më thotë:

Fredi Kukulla“Pa të fyer, do gjesh shoqatën e njerëzve me aftësi të kufizuara, do i marrësh një vërtetim dhe je i futur në këtë shkollë, pasi juve ua jep ligji si i tillë që je”.

Falë nënës time që shkon te shoqata e të përndjekurve për të kërkuar një të drejtë studimi për mua, pasi nga ana politike kam qenë me biografi të keqe e me status. Nuk i japin gjë për të drejtë studimi nga kjo shoqatë që e drejtonte një pseudo i përndjekur.

Po në këto ambjente nëna ime gjen shoqatën e njerëzve me aftësi të kufizuara që e drejtonte Abdulla Omuri, i cili e ndihmoi e i jam shumë mirënjohës. Regjistrohem e vazhdoj shkollimin. Po në këtë vazhdimësi regjistrohem për të konkurruar për aktor në Akademi të Arteve. Kisha shumë dëshirë t’i vazhdoja të dyja paralelisht.

Pasi isha përgatitur për konkursin e aktrimit nga e mirënjohura aktore Mirketa Çobani, hyj në konkurs. Mirketa më thotë shprehimisht:

– Fred, me këto materiale që ke do fitosh, po pa keqkuptime, edhe do të të paragjykojnë, se je i vetmi deri më sot me këtë fizik që konkurron.

Vjen dita e konkursit, paraqitem e konkurroj. E di që kam dalë shumë mirë sepse ma tha pas konkursit i madhi pedagog e artisti Mario Ashiku. E shprehimisht më thotë:

– Të lumtë, se na kënaqe. Po ne u ndamë si komision, dy ta dhamë ty, dy nuk ta dhanë. E kupton vetë, se je dibran i zgjuar.

Shkurt e saktë, më kishin paragjykuar si njeri shumë i shkurtër. Nga një bisedë shumë miqësore me një njeri të mrekullueshëm, ai më thotë:

– Fred, dikur i kam ndihmuar këta njerëz që drejtojnë këtë Akademi. Po njerëzit ndryshojnë.

E fjalët e tij më dolën. Dy vjet e gjysmë e kam bërë rrugën Akademi e Arteve, Kryeministri dhe Ministri Arsimi. Natës së varrit do ia tregoj. Në vitin 1999 kërkova të regjistrohem prapë, po nuk më regjistruan. Vazhdoja me provimet e historisë. Shumicën i merrja, disa i lija. Po komplet e kundërta në këtë fakultet. Edhe pedagogët ishim shumë njerëzorë me mua. Më 1999 konkurroja për Juridik, po bëra një budallallëk, sepse gjatë konkursit me shkrim për të marrë tre pikë më shumë bëra dy shigjeta. E denoncoj se quhej shenjë. Ma pranuan kërkesën, por më skualifikuan. Im atë më thotë atëherë: “për hatrin tim do regjistrohesh prapë në Arte”.

– Po nuk më regjistrojnë më, se nuk duan,- i them.

Ai këmbënguli e ia plotësova dëshirën. Bëra habi se si më regjistruan. Konkurrova, por isha bosh nga shpirti. Prapë i njëjti skenar në komision me mua. Si në 1998-ën, po prapë s’u dorëzova.

Dhe falë çiftit Ilir Meta e Monika Kryemadhi unë u regjistrova në atë shkollë. Të dy më ndihmuan kur Iliri ishte kryeministër e më dha të drejtën e studimit nga fondi i kryeministrit.

Në dhjetor të vitit 2000 unë filloj shkollën e lartë. Isha një kufomë e gjallë, sepse isha shumë i lodhur duke kërkuar nëpër ministri e kryeministri takime, po s’ia dilja dot. Sa të kem frymë do i jem mirënjohës çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Gjatë shkollimit nuk mund të rri pa përmendur dy pedagogët e mi të mrekullueshëm Ermira Gjata dhe Gulielm Radoja, të cilit më jepnin të folurit skenik.

Më përpara kisha luajtur në filmin e pedagoges time Ermira, “Unë, ti dhe Kasandra”. Dua të përmend Elida Raptin, pedagoge e Psikologjisë, Esmeralda Selitën, zyshën e frëngjishtes, Kozeta Dulen, pedagogen e kantos që më ka bërë të këndoja, Met Gjelilin, të ndjerët Adratik Kallulli e Kudret Velça. Kënaqësinë shpirtërore që më jepte e madhja Drita Pelingu, i qeshuri Mario Ashiku, i egri në portret Andon Qezari, të cilët mbushnin shpirtin tim bosh. Durrsakun Gjergj Prevazi. E si mund ta harroj veprimin fisnik të pedagogut tim Gulielm Radoja që më bëri të ngjitem e të luaj në Teatrin Kombëtar, ku kolegë kisha pedagogun tim e aktorët Bert Ndrenikën, Edi Luarasin, Liza Xhuvanin etj., ku regjisor ishte Kastriot Çipi. E si mund ta harroj bashkëpunimin me studentët e regjisë Mikel Kalemi, Aurora Qazimin? Rikthim në Teatër të Kukullave ku drejtor ishte Romeo Çani. Më rikthen Jorida Meta pasi më beson rolin e Ufos. E si mund të harroj? Pasi mbarova arsimin e lartë takoj rastësisht doktor Sabit Brokajn e i them se kam mbaruar për aktor. I bëhet qejfi pa masë. Ulemi në kafe diku nga Presidenca e më pyet se si i kam planet. I them se kam qejf punësimin në Teatrin e Kukullave. E ai më thotë shprehimisht:

– E pse jo në Teatrin Kombëtar?

I përgjigjem:- Gjithë pikësynimin tim që mbarova shkollën e lartë për aktor e kisha për në Teatër të Kukullave, pasi është vetë fiziku im për aty, pasi kam luajtur e prapë po luaj, e kam me pasion. Më jep numrin e telefonit dhe më thotë ta merrja në telefon. Të them të drejtën, u lumturova nga shpirti. Se si e qysh e tek takoj rastësisht Jorida Metën, regjisore, e më thotë:

– Fred, shyqyr që të pashë, se do vish në Teatër të Kukullave e do rifillojmë provat, pasi shfaqja ime do shkojë në Greqi.

– Hë, mos u tall?!- i them.

E më thotë:

– E kur jam tallur ndonjëherë? Ec e mos na bëj llafe.

Shkoj të nesërmen takoj titullarin Elvira Diamantin që drejtonte Teatrin e Kukullave. Seç ka një magji shpirtërore ky njeri që as sot nuk e kuptoj. Të bën për vete. Më sqaron për gjithçka që duhet të bëja. Të them të drejtën u zgjata dhe pak. Ishte mrekulli për mua.

Pasi jemi kthyer nga turneu nga Greqia i kërkoj një takim titullares Elvira Diamanti. Siç ka mbiemrin, ashtu ka edhe shpirtin, diamant vezullues. Më pret shumë mirë e më thotë:

– Do takosh ministrin e Kulturës Blendi Klosin, se ai e ka në dorë.

Të them të drejtën, kur u largova nga zyra e titullares Diamanti, u kënaqa, po dhe turp më vinte, se si unë të shkoj të takoj ministrin e Kulturës, sepse ai ishte djalë i gjatë e unë shumë i shkurtër. Shko andej e shko këtej, i bie numrit të telefonit të doktor Sabit Brokaj e ai më lë takim në Presidencë.

E takoj, i tregoj se si ndodhem e ai më nxit për ta takuar.

Pas shumë mëdyshjesh me veten time, shkoj e takoj ministrin Blendi Klosi. Më pret shumë mirë. Pasi kam dalë, kam takuar në Ministrinë e Kulturës Piro Milkanin, Sajmir Kumbaron, Elvira Diamantin, të cilët kishin takim me të. Më thanë që t’i prisja pas takimit që ata kishin me ministrin Klosi. Di të them që kanë bërë një debat konstruktiv për mua, Alfredin. Po debat ama, ku të dy palët do ndihmonin Alfredin.

Por, mund të them me bindjen më të plotë se doktor Sabit Brokaj ka qenë ai që ka bërë mrekullinë për mua, Alfredin, së bashku me Blendi Klosin, që ndihmuan një njeri shumë të veçantë e të shkurtër shumë.

E si mund t’ua harroj këtyre njerëzve që më ndihmuan?

Si mund t’ua harroj ndihmesën shoqatës së Shërbimit Ligjor Falas, që drejtohej nga Adriana (mbiemri nuk më kujtohet). Më pas kjo shoqatë u drejtua nga Rajmonda Bozo, e cila gjatë periudhës që unë vazhdova shkollën e lartë, i troket Edi Ramës në zyrë, i cili ishte kryetar bashkie, që të më jepnin bursë, se s’kisha mundësi ekonomike. E si mund t’ua harroj ndihmesën këtyre njerëzve që më hapën të gjitha shtigjet për teatër e film.

Në Teatrin e Kukullave kam epitetin “kukulla lëvizëse” nga e mirënjohura Mirketa Çobani. Epitetin tjetër e kam nga Klaudia Hila, “basketbollisti i Teatrit të Kukullave”. Dhe një epitet tjetër nga aktorja Florinda Mazreku, “ministër pa portofol”. Dhe epitetin më të bukur nga aktorja Shegushe Bebeti, “Apuths”. Kam punuar me shumë pasion. Në shumicën e rasteve jam kënaqur aq shumë sa i pata harruar të gjitha vështirësitë e përbuzjet. Shpreh gjithashtu mirënjohje për regjisorin Sajmir Kumbaro, i cili siç ka mbiemrin ka edhe shpirtin.

E si mund t’ua harroj këtyre njerëzve?

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *