-Nderim për studiuesin Avdyl Sula –
Nga Prof. HAJRI SHEHU*
Një muaj më parë ndërroi jetë në Bajram Curri zoti Avdyl Sula, qytetari dinjitar i Malësisë së Gjakovës, bashkëpunëtori i jashtëm më i zellshëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë Tiranë, hulumtuesi e studiuesi i përkushtuar i leksikut popullor, prozatori dhe poeti i admiruar. Homazhet për përcjelljen e tij u bënë përpara Muzeut Historik të qytetit. Me dhembjen e thellë për këtë humbje të bashkëpunëtorit dhe të shokut tonë, u shprehim ngushëllimet më të përzemërta e më të çiltra familjes së nderuar të Avdylit dhe gjithë të afërmve të tij.
Avdyl Elez Sula lindi në fshatin Begaj të Gashit të Gurit (Tropojë) më 1.7.1945. Shkollën e mesme e kreu pa shkëputje nga puna. Vitin e saj të fundit e ndoqi duke ecur tri orë më këmbë. Një dashuri e jashtëzakonshme për shkollën dhe për dijen. Në vitin 1974 shkoi student në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. U diplomua në vitin 1978 me rezultate të shkëlqyera.
Në tërë jetën e tij Avdyli ka provuar rreth njëzet punë, mjeshtëri, profesione dhe detyra – shembullor në të gjitha: bujk; ushtar dhe karrocier në ushtri; buldozerist e skrepist në ndërmarrjen e bonifikimit në Has; brigadier i makinerisë së rëndë; mekanik, saldator dhe axhustator në ndërmarrjen e bonifikimit në Tropojë; mësues e nëpunës në qytetin Bajram Curri; kryeredaktor i gazetave lokale “Shkëlzeni” e “Rrezja e Shkëlzenit”; sërish mësues i letërsisë në shkollën e mesme “Asim Vokshi” të qytetit Bajram Curri; studiues, publicist, poet e prozator në krijimtari të lirë. “Një biografi e jashtëzakonshme, për të cilën kam mjaft respekt e simpati”, – do të shprehej intelektuali i njohur gjerman, përkthyesi nga shqipja dhe nga disa gjuhë të tjera në gjermanisht – Hans Joachim Lanksch. Abdyl Sula qe bashkëpunëtori i jashtëm më i devotshëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë që nga viti 1983 deri më sot. Në të gjitha ato punë e profesione, ndërrime punësh e profesionesh, ai nuk i rreshti asnjëherë hulumtimet e studimet gjuhësore, sidomos në fushën e leksikut të shqipes. Mirënjohje e nderim për Avdyl Sulën!
Avdyl Sula e nisi veprimtarinë në fushën e letrave më 1979, veçse një vit pas mbarimit të Fakultetit. Edhe kjo ka domethënien e vet të madhe. Që atëherë, ai ka botuar rreth 40 artikuj publicistikë (në shtypin qendror e vendor të Shqipërisë, të Kosovës e të diasporës shqiptare), rreth 20 artikuj gjuhësorë, historikë e folkloristikë, mbi 10 artikuj letrarë e kritiko-letrarë. Avdyl Sula ka botuar dhjetë libra: publicistikë, gjuhësorë e letrarë (tregime e poezi) etj.: Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Tiranë 1999; Në planetin shqiptar me emrin Kosovë (publicistikë), Tiranë, 2015; Visare gjuhësore-kulturore, I, Tiranë, 2000; Visare gjuhësore-kulturore, II, Tiranë, 2003; Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009; Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë, 2012; Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013; Kristale alpine (poezi), Tiranë, 2006; Krokodili mallëngjen fqinjët (Fabula dhe anekdota), Tiranë, 2013; Rrëfimi i një shitësi bananesh (tregime), Tiranë, 2015. Kishte në plan të botonte librin e njëmbëdhjetë. Ai do të ishte për folklorin e folkloristikën.
Para gjuhësisë shqiptare, Avdyl Sula ka ardhur me pesë libra. Ata janë katër fjalorë me fjalë e shprehje popullore nga të folmet krahinore (me rreth 20 000 fjalë). Libri i pestë, “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”, Tiranë, 2012 është me artikuj studimorë për leksikun, sidomos për leksikun popullor, për gjuhën letrare, për kulturën e gjuhës, për fjalët e huaja të panevojshme, për leksikografinë, për dialektologjinë, për onomastikën etj. Shih, psh.: Të vjelim visaret gjuhësore të trevës; Malësia e Gjakovës ndryn thesare të mrekullueshme kulturore; Publicistika po shfytyron gjuhën shqipe; Gjuha letrare – proces i hapur në zhvillim; Shqipja letrare përballë papërgjegjësisë së fjalës publike; Çështje të gjuhës letrare në mediat e Kosovës; Gjuha letrare e pambrojtur me ligj; E folmja e Malësisë së Gjakovës; Onomastika e Tropojës; Leksikografia dhe koha. Ai ka botuar edhe rreth 20 artikuj gjuhësorë në revistat shkencore “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe”, “Gjurmime albanologjike”, “Malësia” etj. Studimet dhe fjalorët e tij janë promovuar në një veprimtari shkencore, organizuar posaçërisht për Avdyl Sulën në Tiranë, në vitin 2013.
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ka njohur dhe vlerësuar gjurmimet e hulumtimet e Avdyl Sulës në fushën e fjalës dhe të shprehjes popullore që në vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Vetëm për një udhëzues dhe një letër të parë të profesor Androkli Kostallarit – drejtor i Institutit, me fjalë falënderuese e stimuluese pati nevojë Avdyli. Letrat e tjera – të gjitha me fjalën, emrin dhe nënshkrimin e profesor Androkli Kostallarit dhe më pas, të profesor Jorgo Bulos qenë letra miratimi, vlerësimi dhe falënderimi të përzemërt. Sepse Avdyli e bënte punën të përkryer. Sepse Avdyli e njihte shumë mirë edhe leksikun popullor krahinor, edhe leksikun e gjuhës letrare. Avdyli asnjëherë nuk e bëri gabimin që të sillte fjalë popullore, thjesht se pasqyronin ndonjë dukuri fonetike krahinore. Shpjegimet e fjalëve kanë qenë të mjaftueshme e të plota, si për një fjalor, që mund të dilte nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Ai ka synuar gjithnjë fjalën shqipe ose me burim e formim shqip dhe jo fjalën e huaj, të paintegruar në sistemin e shqipes.
Leksikografia shqipe, ashtu si edhe fushat e tjera të shkencës, është tërësi hallkash. Njëra nga këto hallka është mbledhja e leksikut në popull. Leksikografi Avdyl Sula qe ai që e rroku aq mirë këtë hallkë. Deri më sot ai ka sjellë prurjet më të mëdha në këtë fushë – mbi 20 mijë njësi numërohen në Fjalorët e tij. Në këto vite, kur puna për mbledhjen e visarit popullor ka rënë, Fjalorët e Avdyl Sulës janë një rizgjim dhe një udhërrëfyes edhe për të tjerë dashamirës të gjuhës sonë të përbashkët.
Fjalorët e Avdyl Sulës zënë vend nderi ndër të gjithë fjalorët e tjerë me fjalë e shprehje popullore nga të folmet krahinore, botuar deri më tani. Merita e parë e fjalorëve të tij është lënda e tyre shumë e pasur leksikore e frazeologjike, e qëmtuar, e vjelë dhe e kërkuar me kujdesin, dashurinë e ndezullinë e një leksikografi të formuar dhe trajtimi i saj leksikografik shkencor. Për arsye gjuhësore dhe jashtëgjuhësore që dihen, fjalorët me fjalë e shprehje popullore nga të folmet e shqipes nxjerrin në dritë lëndë leksikore me vlerë letrare potenciale për pasurimin e mëtejshëm të gjuhës standarde. Fjalorët e Avdyl Sulës e përmbushin mjaft mirë këtë synim. Kjo është merita e dytë e fjalorëve të tij. Për këta fjalorë e për këto vlera të tyre janë botuar recensione në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj. Fjalorët janë zakonisht libra referimi e jo libra leximi. Por fjalorët e Avdyl Sulës, sidomos ato me njësi frazeologjike, fjalë të urta, urime, eufemizma e tabu mundet mirëfilli të lexohen me kënaqësi të veçantë për përmbajtjen e tyre, për mënyrën e motivimit të tyre, për vlerësimin e tyre për dukuri të realitetit etj. Shih, p.sh.:
Ai miell atë brumë qet; Bani nder në mulli, se e gjan në shpi; Borxhi i huej asht lak në fyt; Bunari i mirë njihet në verë; Burrin e prish huji, kosin uji; Çka thur gjuha, s’muj e shthurin duert; Doka të kallëzon kush je, puna ç’vleftë ke; Droja asht rojë; Dhia e zgjebosun, zgjebos gjithë tufën; Fytyra nuk blehet me pare; Gozhda del e ndryshku ngel; Hunda përpjetë, hendeku të pret; Kalin shite, kërpeshin rueje; Krandet bajnë flakë, po jo prush; Kur shkon pa u thirrë, kthehesh pa u përcjellë; Kush flen me dhi, rriqna bjen në shpi; Mos u ban kryeplak në katund të huej; Nderi asht si syni që nuk duron shibla; Njeriut s’i hahet mishi, po fjala; Qeni i çartun ha edhe të zotin; S’lue Shkëlzeni pse bie borë në të; Shpia pa fëmijë si qengja pa bletë; Thiut i thonë thi për zbuçkë e jo për qime; Ufulla gërryen enën, idhnimi zemnën; Ujët shtohet te ama e jo në presë të jazit; Vesha mbulon shtatin, gjuha shplon mendjen; Zengjini ka frikë se fiket, fukaraja ka frikë se koritet etj.
Po t’i kenë shkrimtarët në dorë këta fjalorë, me siguri do t’i vjelin për t’i futur në skedarët e tyre të punës. Avdyli i ka emërtuar fjalorët e tij “Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”. Ata janë, vërtet visare, nga të cilat mundet vetëm të marrësh. Ai pruri para gjuhësisë shqiptare thesarin popullor, për t’ia rikthyer popullit si mjet të vyer kulture. Kësisoj, Avdyl Sula kishte arsye të ndihej i lumtur në atë heshtjen dhe modestinë e tij shembullore dhe tashmë, ai e ka siguruar vendin e tij të nderuar në historinë e leksikografisë shqiptare.
“Puna e leksikografit mund të krahasohet me punën e gjahtarit”, – shkruan Avdyli në Parathënien e veprës së tij “Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore” (Tiranë, 2009). “Ai, – shkruan Avdyli më tej, – ashtu si gjahtari, që ruan prenë t’i vijë në shteg, është i detyruar të presë, të gjurmojë subjektet në gjendje të ndryshme ligjërimore, në takime, kuvende, dasma, vdekje etj. dhe të shënojë fjalën e rrallë, shprehjen a proverbin”. Vërtet, kështu është. Dhe Avdyli qe vërtet gjahtari. Ai qe më shumë se kaq. Ai qe leksikologu dhe leksikografi që nuk ndenji me shimatës përpara ujëvarave. Ujëvarat janë në popull e te populli.
Avdyl Sula qe mësues e metodist i aftë në klasë, organizator i zoti i bibliotekës e i punëve të bibliotekës, mbledhës i shkëlqyer i leksikut popullor, studiues i thellë i këtij leksiku. Por Avdyli qe edhe politolog i admiruar. Shkrimet e tij për Kosovën e çlirimin e Kosovës janë të pazëvendësueshme. Avdyli qe edhe poet e prozator. Avdyli qe gjithnjë i mirëpritur edhe në shtyp. Rrallë, shumë rrallë mund të ndodhë që te një njeri të kemi edhe mësuesin, edhe studiuesin; edhe leksikologun, edhe dialektologun; edhe folkoristin, edhe toponimistin; edhe historianin, edhe publicistin; edhe politologun, edhe bibliotekistin; edhe poetin, edhe prozatorin. Dhe ku? Larg Tiranës e Instituteve shkencore. Pa mundësinë për të mbrojtur doktoratura.
Në vitin 2013, për punën dhe veprën shkencore të Avdyl Sulës është bërë, siç u tha një veprimtari shkencore në Tiranë. Besojmë se nuk mjafton. Avdyl Sula punoi për gjuhën shqipe e për Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë po aq sa punoi aty ku ishte caktuar shtetërisht. Në korridoret e Institutit ka ecur pak. Por ka prurë shumë. Kësisoj, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i mbetet borxh Avdylit. Dhe këtë borxh mund t’ia kthejë në njëfarë mënyre me një veprimtari të gjerë shkencore dhe me një “Dr. Honoris Causa”. Ani, edhe pas vdekjes.
*Ish – punonjës shkencor në sektorin e Fjalorit, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë