Flamurtari ka larguar trajnerin pas humbjes me Bylisin në Kupë, ndërkohë që në kampionat s’ka më pretendime
Julian Rubio është shkarkuar nga detyra si trajner i Flamurtarit, një ditë pas humbjes 0-1 me Bylisin, për grupin çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Vlonjatët u mundën në shtëpinë e tyre, duke kompromentuar shanset e kualifikimit, ndërkohë që në kampionat kanë hequr dorë me koha nga pretendimet për titull. Vetë spanjolli deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen, por ishte klubi që e mori vendimin, i cili u konfirmuar fillimisht nga shefi i klubit, Geri Çipi. Motivacioni i shkarkimit ishte i thjeshtë, dështim në arritjen e objektivave. Aventura e Rubios tek Flamurtari filloi më 31 gusht në sfidën Flamurtari-Laçi të përfunduar me rezultatin 0-1. Në tre muaj e gjysmë qëndrim, Rubio drejtoi kuqezinjtë në 17 takime, 12 në kampionat dhe 5 në kupë, duke regjistruar 8 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje, një ecuri që është konsideruar negative nga drejtuesit e skuadrës. Për më tepër, Flamurtari nën drejtimin e Rubios është kritikuar edhe për nivelin e dobët të lojës së treguar. Ndryshe nga aventura tek Tirana, në Vlorë, Rubio nuk pati mbështetjen e lojtarëve të cilët larg kamerave kanë shprehur pakënaqësi ndaj spanjollit. Çështja “Zeqiri” përpara ndeshjes me Apoloninë është një shembull i mirë që 60-vjeçari nuk kishte mbështetjen e plotë nga grupi i lojtarëve. Që pas kalimit në Vlorë, Rubio ka qenë gjithnjë i sulmuar edhe nga media sportive, pasi është konsideruar trajneri më i paguar në Shqipëri, në drejtimin e skuadrës më të paguar dhe me rezultate aspak të kënaqshme. Spanjolli hyri në futbollin shqiptar nëpërmjet Tiranës, të cilën e drejtoi në sezonin e kaluar. Në krye të bardhebluve, Rubio fitoi një herë Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën. Në të tre rastet, trofeun e ka marrë duke mundur në finale Skënderbeun.
Aktualisht, situata te Flamurtari është tejet konfuze, pasi edhe kryebashkiaku Shpëtim Gjika ka përsëritur se nuk do të jetë më president i skuadrës.