Misionarët e pajtimit të gjaqeve ngrenë alarmin për rritjen e gjakmarrjes, nga e cila tashmë nuk përjashtohen as gratë. Komiteti Mbarëkombëtar i Pajtimit të Gjaqeve mbajti sot një konferencë mbi analizën vjetore të punës së tij. Kreu i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Marku, tha se mungesa e politikave shtetërore për të luftuar këtë fenomen ka bërë që numri i gjakmarrjeve të shënojë rritje, ndërkohë që vitet e mëparshme ka qenë më i vogël.
“Fatkeqësisht në këtë mision plot sakrifica ne nuk kemi pasur në krah qeverinë shqiptare. Ne duam t’i themi sot qeverisë se udhëhiqemi vetëm nga një parim, për të bërë sakrificën me sublime në shërbim të atdheut dhe shoqërisë në këtë kohë të vështirë që po rrojmë dhe nuk kemi asnjë synim tjetër dhe as një interes nëse qortojmë ashpër keqqeverisjen. Qëndrimi ynë oponent ndaj qeverisë ka qenë dhe do të jetë i palëkundur kushdo qoftë në krye të saj se duam të përçojmë zërin e një njeriu që ka nevojë, zërin e atyre me halle dhe lot tek veshi i udhëheqësit që populli e ka votuar”, deklaroi Gjin Marku.
Duke u ndalur në shifrat e gjakmarrjes, Marku tha se 6500 persona rezultojnë të fshehur ose të ngujuar si pasojë e gjakmarrjes dhe 6011 fëmijë nuk shkojnë në shkollë.
“Ndërprerja e këtij bashkëpunimi nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë si dhe Policia e Shtetit për shkak të kritikave që Komiteti i bëri keqqeverisjes së vendit dhe lidhja e këtyre institucioneve me sekserët ka dyfishuar numrin e vrasjeve duke arritur në 152 në fund të vitit 2012. Vrasjet e femrave në vitin 2012 janë 10 herë më të larta se mesatarja vjetore gjatë viteve të tranzicionit. Nga 2-3 vrasje në ditë kjo shifër ka arritur në 25 në vitin 2012”, u tha gjatë konferencës.