60 vite nga botimi i librit Imagjinata Sociologjike (C. Wright Mills)
Nga Prof. Fatos Tarifa
Gjashtëdhjetë vite më parë, më 1959, u botua një prej librave më të famshëm, më të lexuar, më të ribotuar, të përkthyer në më shumë gjuhë e më të cituar në fushën e shkencave shoqërore, i titulluar Imagjinata sociologjike (The Sociological Imagination). Autori i tij është sociologu i shquar amerikan C. Wright Mills. Në këtë libër, Mills vinte në dukje se deri në atë kohë, kërkimi sociologjik ishte influencuar më shumë nga kërkesat që buronin prej preokupimeve burokratike, sesa nga preokupimet intelektuale të shoqërisë. Sipas tij, studimet sociologjike e kishin përqendruar vëmendjen e tyre në mbledhjen e fakteve që synojnë lehtësimin e vendimeve administrative dhe fare pak u kishin kushtuar vëmendje problemeve reale të shoqërisë, sidomos, preokupimeve teorike lidhur me to.
Mills krijoi një vizion të ri mbi sociologjinë, si një disiplinë e angazhuar moralisht dhe politikisht në mënyrë kritike për zgjidhjen e problemeve reale të shoqërisë, arsye kjo për të cilën ai u bë sociologu publik më me influencë në kohën e vet dhe, së bashku me sociologët e njohur David Riesman dhe Robert Bellah, konsiderohet pararendës i asaj që Michael Burawoy e ka cilësuar “sociologji publike” (public sociology).
***
Koncepti mbi sociologjinë publike u bë një temë qëndrore në debatin sociologjik bashkëkohor në mesin e viteve 2000, kur Michael Burawoy, në fjalën e tij të inagurimit si president i Shoqatës Sociologjike Amerikane (American Sociological Association), më 2004, e popullarizoi këtë frazë duke e bërë pjesë të një projekti të gjerë intelektual, si asnjë sociolog tjetër qysh nga koha kur C. Wright Mills, circa 1950-1960, e projektoi atë për here të parë. Debati mbi sociologjinë publike mori shkas nga një kuptim dhe vlerësim i ri i kushteve të shoqërisë bashkëkohore, tipare të së cilës janë bërë zhvillimi i parregulluar i kapitalizmit dhe një globalizim asimetrik, të cilët krijojnë tiraninë e tregut dhe pabarazi të skajshme në të gjitha anët e globit. Ndërkohë, demokracitë e reja që krijohen në rajone të ndryshëm të botës shumë herë nuk janë veçse një vello për të mbuluar interesa të fuqishme, deprivimin dhe tjetërsimin e masave të gjera të popullsisë. Në këtë kuadër, ky debat sjell në vëmendje çështjen e vlerave të sociologut dhe të rolit që duhet të luajë sociologjia në kohën tonë.
Edhe pse debati në fjalë ka nisur qysh kur Max Weber artikuloi idenë e një shkence sociale të “çliruar nga vlerat”, ishte C. Wright Mills, “kampioni i sociologjisë publike klasike”, siç e ka cilësuar atë vetë Burawoy, ai që shënoi kthesën e parë nga sociologjia instrumentaliste në sociologjinë publike. Mills kritikoi ashpër sociologjinë profesionale të viteve 1950 për irrelevancë, për përpjekje të dështuara në krijimin e një “grand theory” dhe për empiricizëm të pakuptimtë, që i ndante të dhënat empirike nga konteksti i tyre. Në dallim prej saj, argumentonte Mills, sociologjia e vërtetë ka e duhet të kryejë një mision: të shërbejë si një medium për një debat shoqëror kritik, në të cilin të angazhojë publikun e informuar. Detyra e sociologjisë, sipas tij, është të ofrojë një vështrim kritik mbi realitetin shoqëror aktual, për t’u shërbyer qytetarëve që të kuptojnë kushtet sociale të shoqërisë së tyre.
Mills i çmonte sociologët klasikë europianë (Marx, Durkheim dhe Weber) si modele të sociologjisë publike. Ata, sipas tij, ofruan këndvështrime të tilla të historisë që ndihmojnë për të kuptuar pasojat e zhvillimeve të sotme lidhur me shkallën e lirisë së individit dhe me zhvillimin e demokracisë. Edhe pse sociologët klasikë europianë, pothuajse pa përjashtim, e vinin theksin në objektivitetin e dijes sociologjike, Mills e shihte këtë si vlerësim nga ana e tyre për realitetet empirikë. Vetë ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga bindja se analizat sociale nuk mund të zhvishen nga vlerat dhe angazhimet politike e morale të sociologut. Sipas tij, që të jetë efektive, sociologjia duhet të jetë njëherësh e fokusuar ndaj realiteteve empirike të jetës shoqërore dhe pasionante në rolin e saj kritik në shoqëri.
***
Mills mendonte se ajo që e dallon mendimin sociologjik efektiv nga ai mendim, i cili dështon të pasqyrojë vërtetësisht realitetin shoqëror, është imagjinata sociologjike. Në të vërtetë, ai e cilësonte sociologjinë si një akt të imagjinatës sociologjike. Por ç’kuptonte Mills me “imagjinatë sociologjike”? Sipas tij, imagjinata sociologjike është thjesht ajo “aftësi e mendjes” sonë, e cila na lejon të kuptojmë “historinë dhe biografinë si edhe marrëdhëniet midis tyre në shoqëri”, si një kusht për të kuptuar se çfarë ndodh në botën shoqërore që na rrethon dhe për të shpjeguar atë që ndodh. Ai argumentonte se imagjinata sociologjike i mundëson individit që e zotëron atë të kuptojë kontekstin e gjerë historik në të cilin ky individ jeton e vepron, si dhe rëndësinë që ka vetë ky kontekst në jetën e individëve të ndryshëm dhe në veprimtarinë e tyre.
Shumë herë, në vorbullën konfuze që krijojnë eksperiencat tona të përditshme—individuale e shoqërore—mund të ndodhë që çdonjëri nga ne të formojë një përfytyrim iluzor mbi pozitën e vet në shoqëri dhe, ipso facto, të mos kuptojë vendin që ai zë realisht dhe rolin që luan në shoqërinë e tij. Faktin që ne të gjithë jemi njëherësh qenie individuale dhe sociale, unike dhe të zakonshme, private dhe publike dhe, si individë, zëmë një pozitë të caktuar në strukturën e shoqërisë, na ndihmon ta kuptojmë pikërisht imagjinata sociologjike, të cilën Mills nuk e shihte si një atribut vetëm të njerëzve që merren me studimin e shoqërisë, por si një cilësi që mund ta zhvillojë kushdo. Përmes saj, ne arrijmë të kuptojmë lidhjet dhe ndërveprimin mes biografisë së çdonjërit prej nesh dhe zhvillimeve e tendencave historike kryesore të kohës sonë, mes preokupimeve tona personale dhe çështjeve sociale bashkëkohore. Mills shkruante: “Fryti i parë i kësaj imagjinate dhe mësimi i parë i shkencës sociale që mbështetet në të është ideja se individi mund t’i kuptojë eksperiencën dhe fatin e tij vetëm duke e vënë veten në kontekstin e kohës së tij; se ai mund t’i kuptojë shanset që ka në jetë vetëm nëse kupton shanset që kanë edhe individë të tjerë në kushte të njëjta me të”.
Mills argumentonte se, për të përmbushur premtimin e saj, sociologjia kërkon nga ata që merren me studimin e jetës së shoqërisë që të fokusohen në problemet esenciale të saj dhe t’i trajtojnë këto probleme të lidhura me tiparet strukturore dhe historike të sistemit sociokulturor që studiojnë. Këta tipare kanë kuptim për çdo individ dhe ndikojnë jashtëzakonisht shumë në vlerat, në karakterin dhe në sjelljen e individëve konkretë, të cilët janë pikërisht ata që, me karakteristikat e tyre, përbëjnë një sistem të dhënë sociokulturor. Sociologjia, siç shprehej Mills, synon ta vendosë arsyen në shërbim të çështjeve humane dhe të problemeve reale të shoqërisë. Për të përmbushur këtë rol dhe mision publik të sociologjisë, ai sugjeronte që të “evitohet burokratizimi i mëtejshëm i arsyes dhe i diskutimeve”, pasi kjo mund të çojë në një kontroll gjithnjë e më të madh si mbi individin, ashtu dhe mbi organizatat në shkallë të gjerë dhe të krijojë një “racionalitet pa arsye” (rationality without reason), i cili “nuk është i barabartë me lirinë, por është shkatërruesi i saj”. Mills shkruante: “Ajo që unë sugjeroj është se, duke u marrë me çështje e shqetësime sociale dhe duke i formuluar ato si probleme të shkencës shoqërore, ne kemi shansin më të mirë, madje, unë besoj, të vetmin shans, për ta bërë arsyen demokratikisht të dobishme për çështjet humane në një shoqëri të lirë, për të realizuar në këtë mënyrë vlerat klasike që frymëzojnë atë çka premtojnë studimet tona”.
***
Vepra e C. Wright Mills ka qenë dhe mbetet frymëzuese për shumë sociologë dhe studiues të tjerë të jetës shoqërore kudo në botë. Idetë e tij kanë frymëzuar edhe autorin e këtyre radhëve që nga koha kur u njoha për herë të parë me to, më shumë se një çerek shekulli më parë. Ato vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si unë e imagjinoj sociologjikisht realitetin shoqëror dhe në këndvështrimin nga i cili i qasem atij për ta studiuar. Natyrisht, cilido nga ju, lexues të nderuar, e ka këtë “aftësi të mendjes”, të cilën Mills e quante “imagjinatë sociologjike”, për të kuptuar “historinë dhe biografinë, si dhe marrëdhëniet mes tyre në shoqëri”. Kjo “aftësi e mendjes” na ndihmon që të kuptojmë e të shpjegojmë se çfarë ndodh në realitetin shoqëror në të cilin jetojmë. Biografitë personale, sociale e intelektuale të gjithsecilit prej nesh nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit historik të zhvillimit sociokulturor të shoqërisë shqiptare, në të cilën jemi rritur e socializuar.

Je bere si Zeqo.o Tarife!
Kujt i duhen textet e profesionit tend?
Kujt lexuesi te gazetes se nerume Dita i duhen sociologet,patologet,psikologet dhe psikopatet?
Prof. Tarifa !
Thjesht si per nje sygjerim te vogel.Ne se i drejtohemi Wikipedias auf Deutsch : K.Marks cilesohet si nje Teoricien i fenomeneve sociale krahas si Filozof apo Ekonomist etj ( Geselschaftstheoritiker ) por jo Sociologe.Max Weber dhe Emil Durkheim dihet qe i takojne Sociologjise.Ne mjeket psikiater jemi te lidhur ngushtazi me fenomenet sociale te nje shoqerie apo ceshtjet e filozofise ne Shkencen e Psikiatrise
.