Misteri ra me gjethet!

redaktor

 

Nga Artan Xh. Duka

 

Tirana po vihet me shpejtësi në “hartë” si një vënd ku ke nga shkon dhe ke çfarë sheh, turist a vëndali qofsh. Janë të shumta vëndet me interes, mes tyre dhe muzetë e kujtesës së diktaturës (Bunkeri, Shtëpia me Gjethe etj) që spikasin për larminë dokumentare dhe krijimtarinë e estetikën e ekspozimit në to.

Roli i muzeve është dramatik dhe unik në informimin publik sepse aty nuk ekspozohet opinioni por fakti, në respekt të inteligjencës së vizitorit kurioz. Sfida mbetet objektiviteti, veçanërisht kur periudha e referimit u takon brezave që janë gjallë (monizmi) dhe këtu demokracia është dinjitoze dhe superiore si sistem sepse pavarësisht emocioneve të ditës,  nuk lejon karshillëkun por mundëson ballafaqimin e lirshëm të fakteve dhe opinioneve. Ndaj dhe sot, tre dekada pas përmbysjes së monizmit, pritshmëria është që prezantimi historik i tij të jetë larg atij bardhë e zi.

 

Dritë-hijet e Shtëpisë me Gjethe

Por retrospektiva bardhë e zi mbetet ende në “modë” dhe Shtëpia me Gjethe duket sikur “filtrohet” më shumë nga sensi ideologjik sesa ai historik duke u perceptuar si monumenti antikomunist i radhës teksa shndërrohet në simbolikë të mbarë Sigurimit të anatemuar të Shtetit. Perceptim ky, që e ka një bazë por që kur absolutizohet dhe fut gjithshka në një thes, ngre pikëpyetje plot. E sa për nam, ka plot godina hije-rënda të tjera para saj (nga Parlamenti, godina e qeverisë, ministritë, Presidenca etj, që zor se do gdhihen në muze ndonjë ditë).

Muzeu është tepër i arrirë nga pikpamja funksionale dhe estetike (ndoshta bileta më ekonomike, libër përshtypjesh etj) ndërkohë që pasuria e madhe dokumentare e materiale duhet të synojë një prezantim sa më të plotë të dritë-hijeve të asaj godine të zymtë. Kjo, sepse muzeu e vë theksin tek përgjimi (Dega 8 apo Teknika Operative – T.O.) i cili nisej me kërkesën e sektorit agjenturial për të përgjuar e verifikuar me fakte veprimtarinë e shtetasve nën dyshim. Por nëse kështu, i bie që T.O. të verifikonte njëkohësisht edhe besnikërinë, aftësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të agjentëve në terren. Ndaj, kur përgjimi nuk konfirmonte dyshimet e nxirrte të paqëna apo false pretendimet e agjenturës, potencialisht ai shndërrohej në një “filtër” që i vinte fre zellit të abuzimit e shpifjes pa fakte të bazuar tek llafi i gojës që shpikte armiq kudo. Dhe nëse kjo qëndron dhe është e verifikueshme, duhet të ekspozohet në muze.

 

“Mëkati” i përgjimit  

Ndonëse nga këndvështrimi demokratik aktiviteti i Sigurimit të Shtetit etiketohet abuziv, duhet bërë dallimi midis abuzimit ndaj qytetarit korrekt dhe profesionalizmit të shumë punonjësve të tij në interes jo thjesht të pushtetit por të shtetit e kombit. Kronologjikisht, Shtëpia me Gjethe nuk ka lidhje me tragjeditë njerëzore të viteve të para të pasluftës – grupi deputetëve etj, sepse ajo u krijua aty nga mesi i viteve 50. Abuzimi ndërkohë kufizohej më tej edhe nga natyra e aktivitetit të saj dhe puna prej teknicieni e atyre që e krijuan dhe e konsoliduan si sektor të mirëfilltë teknik atë (muzeu duhet të ekspozojë edhe këtë aspekt kronik) dhe që nuk ishin pjesë e rutinës agjenturore, as dëshmitarë gjyqesh farsë ndaj dhe nuk ka pse puna e tyre të etiketohet në ekstrem.

Ndërkohë, nuk shkon të anatemosh Sigurimin për përgjim kur çdo sistem përgjon! Sot bile ca më shumë (shteti, individi, media, sateliti, biznesi, i huaji etj, për ironi vetë “Big Brother” argëton në TV). Ndarja bëhet tek motivi i përgjimit. Ndërsa sot është siguria publike, terrorizmi, korrupsioni, përballimi i agjenturave armiqësore etj, dje ishte mbijetesa e diktaturës së proletariatit (domosdo e dënueshme në demokraci), abuzimi me pasurinë socialiste e qytetarin, agjentura armike në rajon etj.

Objektiviteti i muzeut e do që të ekspozohet aktiviteti i Sigurimit në përgjithësi dhe Shtëpisë me Gjethe në veçanti, në përballimin e agjenturave në rajon (përgjimi ishte dhe do të mbetet domosdoshmëri sa kohë mbetet aktive agjentura në rajon). Patriotizmi është mbi ideologjinë dhe ky muze duhet të theksojë këtë veprimtari ashtu sikurse ekspozon faktin që ambasada jugosllave ka qënë nën përgjim(!), ndërkohë që thuhet se selitë tona diplomatike jashtë përgjoheshin po ashtu dhe kundër-zbulimin e bënte kjo Shtëpi.

Në Ballkan, shërbimet inteligjente janë jetike për shtetet e rajonit. Sa kohë të përgjojnë, do përgjosh dhe për fatin e keq, 1913 e tjetërsimi i trojeve shqiptare, kanë motivuar parreshtur fqinjët tanë të de-faktorizojnë Shqipërinë (me avantazhin historik njëshekullor si shtete para nesh). E në këtë kontekst, kur edhe në vetë perëndim e botë, mediat përflasin përplasje diplomatike (lexo agjenturore), përjashtime apo shpallje non-grata, akuza reciproke për përgjime etj, në Ballkanin e trazuar historikisht dhe ende jo të plotë në BE, e shkuara ende merr peng fqinjësinë e mirë dhe tranzicioni ynë problematik e dëshmon këtë gjë.

 

Nuk ka sistem pa “priza”

Përgjimi nuk kursente kënd por ndërkohë, si çdo sistem, edhe monizmi kishte ligjet e kohës apo “prizat” e tij për të cilat paralajmëronte të mbaje “duart” larg. Ndaj dhe ata, që me vetëdije dhe në emër të idealit demokratik, futën “duart” në to, mbeten qytetarë të respektuar dhe dinjitoz teksa rrezikuan për idealin demokratik. Këta disidentë, të fajshëm sipas kohës, edhe sot nuk është se kërkojnë pafajësi, bile ndjehen krenar që u shpallën fajtor dikur dhe sesa shpërblimi financiar, ata i nderon vlerësimi moral (duke filluar me një monument dinjitoz për disidencën pa kompromis) dhe njohja si tribunë të qytetarisë në këtë vënd.

Disidenca e vërtetë shqiptare është një aset për demokracinë dhe ajo nuk ka pse futet në një thes me syresh që teksa kapnin “prizat”, ose ishin nën hyqmin e agjenturave antishqiptare në Ballkan (në dallim nga agjenturat e shteteve që ishin kundër komunizmit por jo kundër Shqipërisë), motivoheshin nga trashëgimia kuislinge, abuzonin si ordinerë me pasurinë publike dhe qytetarin etj për të cilët edhe vetë ligji demokratik sot në perëndim mban qëndrim. Muzeu duhet ta ekspozojë këtë gjë, sikurse ekspozon dhe Xoxen në gjyq. E sa për qytetarët e pafajshëm, jeta e të cilëve u rrënua për një llaf goje apo luftës ekstreme klasore, shoqëria u ka një borxh të madh. Ata ndoshta nuk u nisën të bënin heroin, ndaj dhe u kemi borxh ndjesën e madhe dhe të pafund si dhe kompensimin dinjitoz moral e financiar si gjëja më e pakët për ta.

Sot, është në meritën e dinjitetin e shtetit demokratik që duke iu lënë hapësirë historianëve, të synojë objektivitetin në ekspozimin e historisë. Zbardhja e atyre që nxiu monizmi nuk shkon me nxirjen pa vend dhe absolute të tij. Ai duhet parë me realizëm dhe ndërsa e keqja duhet denoncuar dhe mos harruar kurrë, nuk ka pse rëndohen qytetarët punëtorë e idealistë që bënë sa mundën në interes të Atdheut në çdo sektor.

E kaluara nuk duhet të na ndajë më si deri dje. Një Atdheu dhe një flamur kemi e fatin të gjithë e kemi në këtë vend. Çlirimi i shoqërisë nga makthi e pengu i ndasive të së shkuarës përmes vështrimit objektiv të saj, do të krijojë kohezionin e duhur social që do sjellë shpresën e shpirtin e bashkëpunimit për një qytetari të denjë në një Shqipëri Zonjë.

Share This Article
5 Comments
  • duke lexuar pak fragmente nëpër të,mendoj se është një shkrim realish dhe i afrohet objektivietetit!!

  • nuk do bejme rehat kur cdo gje te shihet me qetesi duke i dhene hakun kujtdo. Media vete ka rol te madh sepse jo rralle i fryn zjarrit te ndasive. Per shtepine me gjethe, tek njera prej tyre paraqiteshin veglat e punes, trapanot, qe perdornin me siguri te hapnin vrima per pergjuesa, si instrumenta torture!! Injorant mos e beni kete popull, se aty vertet jane bere tortura, por jane bere ne kohen e Gestapos, apo sic thuhet direkt pas clirimit kur jane meruar grupi i deputeteve etj. Me vone kjo si godine ka qene me siguri vetem zyra dhe pajisje. Pastaj boll te kene pergjuar kelyshat e serbit dhe grekut mire kane bere. Se CIA ishte vertet kunder komunizmit por jo Shqiperise ndersa te behesh pale me grekun e serbin kunder vendit tend!!!! Mos e donte me shume Shqiperine serbi e greku se sa Enveri? Po hajt mo, tani e kane bere shtepine me gjethe si shkolle partie, vazhdon propaganda por ne krahun e kundert, ne shqipot kete avaz kemi, ne ate malin rripa-rripa…. e pastaj ankohemi se nuk bejme dot shtet!!!

  • Z. Duka! T’u lumte pena! Ke ber nje shkrim realist dhe, per pasoje, dinjitoz. Duhet “t’i jepet Çezarit ajo qe i takon”. Vleresimi i njerezve, i strukturave dhe i qeverive, me ngarkesa emotive, veçse e demton shoqerine tone. Ti e shpreh drejt kete. Mbyllja qe i ben, eshte e denje per gjithe permbajtjen e shkrimit. Pergezime.

  • Eshte e drejte fryma e artikullit. Shtepia me gjethe dhe tekniket qe punonin ne te ishin mjeti. A duhet te fajsohet mjeti sepse dikush e perdor per qellime te mbrpshta? Veglat e punes,p.sh. sopata, mund te perdoret per pune pra per te prere dru por mund te perdoret per te prere koa njerzish. Mos duhe ta akuzojme kriminel ate qe me sopate priste koat e te denuarve me vdekje ne mesjete?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *