Nga Dr. Hekuran A. Rapaj
Parlamenti shqiptar, rrethuar nga thirrjet e përsëritura të ambientalistëve dhe më gjerë, “Nuk i duam plehrat”, miratoi në mënyrë të pabesë, e duke shkelur kontratën referenduese të firmave të siguruara në vitin 2013. Votuesit parlamentarë, “lëpinë” pa turp atë që kishin vjellë vetë dhe ne që i mbështetëm tre vite më parë. Votimi në këtë mënyrë me 63 vota pro, 24 kundër dhe 4 abstenime, të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, na rikujtoi parlamentin e marsit 1997, kur Shqipëria digjej dhe “palaçot” kriheshin, rivotuan Sali Berishën President të Republikës. Ironia dhe ofendimi i bërë shqiptarëve, duke i mashtruar në rrugën referenduese, është një drejtëz paralele që tregon brutalitetin e politikës përballë aspiratave të shqiptarëve dhe interesave të mëdha të Shqipërisë. Madje, gënjehet, kur thuhet se ligji është diskutuar për më shumë se një vit me radhë me grupet dhe shoqatat e interesit, duke marrë për bazë dhe argumentet e ambjentalistëve. Mund të kenë marrë miratimin e skutave të zeza, pa transparencë, të të ashtuquajturve ambientalistë, apo të ndonjë “intelektuali” pa vlerë dhe sens profesional, që së bashku me bizneset e interesuara kanë dhënë pëlqimin, duke marrë “shpërblimet” përkatëse.
Grupet, shoqatat apo Aleanca Ambientaliste Kundër Importit të Plehrave, duke mos pasur “akses” formal në qeveri, janë të detyruara të jenë publike. Me shpresën që të ushtrojnë ndikim të tërthortë në procesin e parandalimit, deri në bllokimin e plotë të mosfunksionimit të këtij ligji. Këto grupime në mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve, nuk kanë mundësi tjetër, përveç protestës demokratike e argumentimit logjik dhe shkencor. Kjo lëvizje duhet dhe është në të mirën e Shqipërisë, të vazhdojë më me forcë, sepse synimet nuk përputhen me përparësitë e qeverisë, por dhe pse pjesa më e madhe e anëtarëve dhe mbështetësve të tyre, vlerësojnë faktin se janë të tillë, që nuk kanë asnjë lidhje as me politikën dhe as me qeverinë.
Efektet negative të aktivitetit human mbi mjedisin shqiptar janë shtuar progresivisht në vite. Shkatërrimi i mbulesës bimore në mijëra hektarë për të përftuar tokë bujqësore, moskujdesja dhe shfrytëzimi pa kriter i sipërfaqeve ujore (lagunat, kënetat, liqenet artificiale), emetimi dhe shkarkimi i mbetjeve urbane dhe substancave toksike në mjedis (tokë, ujë, ajër) janë efekte disavjeçare të industrisë shqiptare. Në Shqipëri vazhdojnë dhe krijohen ende zona potencialisht të ndotura, si në Vlorë, Fier, Elbasan, Tiranë, apo rasti i fundit në Marinzë e në vende të tjera, të cilat kanë sjellë rritjen e hidrokarbureve, metaleve të rënda, pesticideve dhe substanca të tjera me rrezikshmëri të lartë.
Një problem tjetër madhor mjedisor në Shqipëri janë mbetjet urbane, mbetjet industriale dhe ujërat e zeza. Ende është evidente ndotja e ujerave nëntokësore, shkatërrimi i ujërave bregdetare dhe sipërfaqeve detare, pejsazhi, rrënimi i maleve nga një shfrytëzim barbar i bizneseve të pakontrolluara siç janë gurët, pllakat dhe mermeri, ndërtimi dhe më pas legalizimi i ndërtimeve pa leje e pa kritere, konçensionet e pa kontrolluara dhe shkatërrimtare, si dhe mjaft shembuj të tjerë, të cilat shpesh janë shoqëruar me infeksione dhe epidemi të ndryshme. Të dhënat dhe vrojtimet e ndryshme kanë treguar se në zonat e ndotura, ose në afërsi të tyre, vërehet një rritje e numrit të rasteve me sëmundje kancerogjene, nervore ose të sjelljes, të frymëmarrjes, sëmundje lëkure, alergji, rakitizëm tek fëmijët, anomali gjenetike njerëzore dhe në kafshë.
Fauna e lumenjve është dëmtuar barbarisht nga bizneset fantazmë, nga erozioni dhe nga industria e pakontrolluar, e pacertifikuar, e vjetër, nga ujërat e zeza, si dhe zinxhiri i prodhimit ushqimor në këto zona është i rrezikuar. Ndotja atmosferike, tymi, ajri me përmbajtje të metaleve të rënda, zjarret e ndryshme, lëndët radioaktive, patogjenet, era e keqe, karburant-lubrifikantet, ushqimet e pa certifikuara pothuajse në të gjitha llojet, mbeturinat hekurishte, ndërtimet pa masat e nevojshme të elementeve ndotëse, zhurmat, erërave dhe tymrat e ndryshme, etj., përditë ndotin ambientet. Shtohen këtu tregtia apo papërgjegjshmëria e funksionimit të kujdesit dhe kontrollit shtetëror ambientalist. Nisur nga kjo gjendje, duket shumë komode të përmendim ndotjen akustike, mjediset natyrore sensitive, zonat e mbrojtura, monumentet kulturore, ndërtesat historike etj.
Po çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe me popullin? Pse nuk reflektohet për sa më sipër, vetëm një sekondë në ditë qeveria apo ministria e Mjedisit? Pse nuk funksionon dhe është vrarë e ashtuquajtura “kontrata sociale”? Pse gënjehemi kaq shpejt dhe shpesh nga politikanët tanë? Kush e mban përgjegjësinë për këtë shkatërrim mjedisor, social e shëndetësor? Pse paguhet me lekët e fukarait një ministri Mjedisi? Çfarë thotë e çfarë duhet të thotë ky institucion për të tashmen dhe perspektivën? Kush i bën dhe kush duhet t’i bëjë politikat ambjentaliste që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë njerëzore? Mjaft pyetje të tjera gjithkush mund të bëjë. Prandaj janë krijuar dhe funksionojnë shoqatat apo partitë e “gjelbra”. Ato institucionalizohen, duhen mbrojtur dhe mbështetur në luftën që bëjnë.
Në mjaft vende evropiane, ku dhe ne me slogane politike aspirojmë, ministrat e mjedisit janë pjesë dhe pjellë e lindur, pikërisht nga aspiratat, idealet dhe ideologjia e të “gjelbërve”. Ata janë profesionistë, shkencëtarë dhe luftëtarë të çështjes ambjentaliste, jo militantë partiakë apo deputetë listash.
Gjithë kjo lëvizje dhe shqetësim i shoqërisë për një ligj që nuk pastron, por i shton plehrat në Shqipëri, që nuk riciklon por ndot, sytë dhe mendjen e drejtuam tek platforma, qëndrimet programore, ligjore e shkencore në rrugëzgjidhjen aktuale dhe të perspektivës që jep ministria e Mjedisit. Objektivat kryesorë të oponencës mjedisore, në rastin konkret të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, është veprimtaria humane, është ruajtja e mjedisit, është shëndeti i njerëzve, është qëndrueshmëria mjedisore dhe shëndetësore e Shqipërisë. Zhvillimi dhe funksionimi i këtij ligji së bashku me aktet e tjera nënligjore, duhet të realizohet në kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm ambiental dh të programeve të miratuara nga mistria e Mjedisit.
Ministria e Mjedisit, nevojitet që të sqarojë saktë, shkencërisht, me përgjegjësi dhe risk qoftë dhe politik, të identifikojë pasojat e efekteve negative që sjell ky ligj, karakterizimin dhe vlerësimin sasior të tyre. Së bashku me profesionistët dhe shkencëtarët përkatës që ka ministria e Mjedisit (po s’e besoj se ka, ata janë rrugëve), të publikojë studimet dhe propozimet alternative që synojnë zbutjen, kompensimin e efekteve për pastrimin e Shqipërisë nga plehrat. Janë të shumta rastet e arsyeshme kur gjatë një procesi të vlerësimit të ndikimeve mjedisore, pa paragjykim apo presion politik, janë gjetur zgjidhje alternative jo vetëm në interes të mjedisit, por edhe me leverdi ekonomike.
Këto reagime priste qytetaria nga ministria e Mjedisit. Por, ministri theksoi se ka studiuar faktin, duke siguruar qytetarët se “nuk ka asnjë rrezik në futjen në vend të mbetjeve jashtë listës së miratuar”. E keni seriozisht i nderuari Ministër që plehrat nuk sjellin plehra dhe që plehrat nuk ndikojnë tek njeriu dhe ambienti? Më transparente do të ishte bërja publike e këtij studimi, për të na mbushur mendjen ne të “marrëve”, që para zgjedhjeve të vitit 2013, ishim krah për krah në rrugën demokratike për një referendum. Kush ndryshoi nga ajo kohë dhe cili fakt? Në të gjitha vendet e qytetëruara ministrat e mjedisit, dhe në rastin e një ligji “perfekt” mbi mbetjet, është në opozitë. Ky është misioni i kësaj ministrie. Më pak e ndershme do të ishte heshtja. Kur të gjitha sa thamë kanë ndodhur dhe janë prezente në këtë vend, atëherë pse nuk jepet përgjegjësia konkrete e fajtorëve?
Ministri garanton transparencën për të shmangur çdo rrezik të futjes në vend të mbetjeve jashtë listës, duke tentuar të përfshijë në këtë mesele edhe shoqatat e shoqërisë civile. Çfarë ironie? Një shaka! Shoqatat ambientaliste nuk u pyetën kur u diskutua dhe u miratua ligji. Si mundet kontrollojnë doganat apo bizneset, kur ideali i tyre u degjenerua dhe u mashtrua së bashku me firmëtarët e referendumit. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi tregohet në tryezat e punës dhe në platformat programore për të njëjtën kauzë. Ministria e Mjedisit as vetë nuk ka akses për një kontroll të tillë doganor. Kemi mbi 25 vjet që nga doganat tona janë futur për konsum ushqimor mbeturinat e skaduara e jashtë standardit të Evropës dhe më keq, nga Rusia, Azia e Lindja e Mesme. Ne i kemi konsumuar dhe vazhdojmë të jetojmë në “paqe” me një fenomen të tillë. Atje është pika jetike e korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, pasurisë dhe parasë. Atje humbasin, shterojnë dhe tjetërsohen të ardhurat kombëtare. A ka guximin dhe sigurinë të shkojë atje një ambientalist?
Ministri nuk qan hallin e detyrës dhe ligjit për të cilën i shërben shoqërisë dhe është betuar, por merakoset deri në “qarje” se “industria e përpunimit të mbetjeve urbane ka disa vjet që ndodhet në situata të vështira, pasi nuk është në gjendje të sigurojë lëndën e parë, të cilën është e detyruar ta sjellë nga jashtë”. Nga që nuk kemi mundësinë e kësaj “logjike” po shtrijmë disa pyetje shqetësuese. Kush i ka licensuar, stimuluar me leje ambienti, mbi çfarë bazash, kapacitetesh pune dhe infrastrukture u bënë këto biznese? Kujt do t’i shërbenin, Shqipërisë apo vendeve që duan të pastrojnë vetveten nga plehrat drejt Shqipërisë. Zgjedhja e zonës nga investitori është bërë nga kushtet e nevojshme për zhvillimin me efektivitet të projektit nisur nga burimet, infrastruktura, fuqia punëtore, sasia e plehrave në atë rajon, apo u është premtuar që do t’u bien plehrat e Evropës në mirëkuptimin e ndarjes së pazareve.
Ministria e Mjedisit, duke u bërë zëvendëse e ministrisë së Ekonomisë e të qeverisë, “loton” se këto biznese mund të falimentojnë. Po kapitalizmi e njeh falimentimin, e pastaj? Pse nuk u shqetësua ky ministër për qindra biznese të falimentuara, apo do të rrisë punësimin e të papunëve në plehra? Kjo tregon që lejet përkatëse u janë dhënë duke marrë garancitë e kartës teknologjike për pastrimin e riciklimin e plehrave në Shqipëri, nëpërmjet një teknologjie që do të ndotë sa më pak mjedisin, si dhe për të cilën është ndërtuar. Pse është dhënë leja pa bërë vlerësimin e kapaciteteve të mbetjeve urbane dhe ndotjes kombëtare? Kush ngelet primare për ministrinë e Mjedisit, falimentimi i një apo dhe disa bizneseve, apo jeta e njerëzve, shëndeti i mjedisit dhe i gjësë së gjallë? Dhe po qe se janë të vërteta të tilla shpjegime, atëherë le të bëhet riciklimi i ligjshëm kombëtar i industrisë së përpunimit të plehrave.
Ky argument tregon edhe një herë paaftësinë profesionale dhe intelektuale të administratës shtetërore. Nuk kemi pasur dhe as kemi një plan-veprimi konkret në perspektivë e të ndarë në vite, nuk sqarohet konkretisht gjendja se si do pastrohet vendi jonë nga plehrat që kanë mbuluar e grumbulluar në zona të tëra; rrugët, malet, fushat, lumenjtë. Kudo plehra të hedhura dhe qen pa zot ka në ambientin shqiptar. Miratimi i këtij ligji tregoi se Shqipëria rreshtohet “krenare” në 20 vendet më të varfra të botës që importojnë plehra, duke mos përfillur protestën popullore, e duke mos pastruar as vendin nga këto mbeturina.

Sapo u be minister Lefi i ‘LSISE’, nisi te birin ne guroret e krujes dhe te lezhes. Ai u thoshte hapur pronareve;-Qe te vazhdoni te punoni, duhen 105.000 Euro. 100 per babin e 5 mije per mua. Hekurani kerkon edhe…MJEDIS!!!