Merr të tjera përmasa shqetësuese konflikti ndërmjet dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë dhe Rektoratit të Universitetit Mjekësor të Tiranës. Në prag të nisjes së vitit të ri akademik 2013-2014, dekani Bajram Hysa thotë se zhdukja e fondeve që është konstatuar në llogarinë e fakultetit, është bërë shkak edhe për bllokimin e pagave të pedagogëve, veçanërisht stafit akademik me kohë të pjesshme që prej muajsh nuk kanë marrë pagat. Referuar akuzave të publikuara dy ditë më parë edhe në gazetën “Dita”, dekani Hysa thotë se me fondet që ndodhen në llogarinë e fakultetit, jo vetëm që nuk flitet për realizim investimesh, por shumica e pedagogëve vazhdojnë të mos paguhen për muaj të tërë. Akuzat e ngritura në drejtim të universitetit janë mohuar nga vetë rektorati. Kancelari i këtij institucioni Mirjel Dollani ka reaguar gjatë ditës së djeshme duke pohuar se fondet janë rishpërndarë dhe nuk janë shpërdoruar. Ndërkohë sa i takon ngërçit në pagesat e pedagogëve Dollani shfajëson rektoratin, duke thënë se për dy muaj Qeveria nuk ka mbuluar me buxhet zërin e pagave, çka ka detyruar drejtuesit e këtij institucioni që të përdorin fondin e të ardhurave të fakultetit, (që grumbullohen nga regjistrimet e studentëve), për të mbuluar pagat e stafit akademik. Ndërkohë që konfirmon se stafi nuk ka pësuar rritje në numër. “Sipas shkresave që kemi edhe nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, në datë 19/09/2013 ka qenë një fond prej 113 milionë lekësh, i cili është mbledhur nga tarifat e shkollimit. Me krijimin e Universitetit të Mjekësisë u bë një rishpërndarje dhe një rialokim fondesh, sepse siç e dini nga Fakulteti i Mjekësisë lindën tre fakultete të reja. Normalisht është logjike që të gjitha pjesët, fondet, materialet, pajisjet u shpërndanë në fakultetet, të cilat deri dje ishin departamente të këtij fakulteti. Deri tani, pavarësisht vështirësive që ne mund të kemi pasur nga ana financiare është bërë e mundur që çdo muaj pagat të jenë prioriteti ynë kryesor”, citon Mirjel Dollani.
Akuzat për shpërdorimin e fondeve të fakultetit
Hysa ka rikonfirmuar edhe gjatë ditës së djeshme mendimin se fondet janë shpërdoruar, çka po e çon këtë fakultet drejt falimentimit. Sipas tij, fakulteti ndodhet në vështirësi absolute financiare. Kjo për shkak të faktit se të ardhurat e fakultetit që vijnë nga tarifat e regjistrimit të studentëve, specializantëve fatkeqësisht janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që në asnjë rast nuk është kërkuar mendimi i fakultetit, apo të jenë kontaktuar në lidhje me përdorimin e këtyre fondeve. Hysa sqaron se dekanati është përjashtuar plotësisht, sikundër edhe Këshilli i Fakultetit nga ana e Rektoratit. Situatë kjo, e cila sipas tij, mund të çojë drejt falimentimit fakultetin. “Të fillosh që në qershor-korrik të paguash pagat e pedagogëve dhe të gjithë stafit me të ardhurat e fakultetit është absurde, kjo ne na ka vënë në vështirësi të tilla që sot ne nuk paguajmë mbi 180 pedagogë part-time të jashtëm. Ne sot kemi afër 600 mijë lekë të reja në arkën tonë” deklaroi dje Bajram Hysa, duke shtuar se fakultetit i duhen fonde për të bërë investime në drejtim të përmirësimit të cilësisë. Ndonëse mësimi do të nisë gjatë ditës së hënë, dekani Hysa shton se është kërkuar ngritja e një grupi auditi, për sqarimin e gjithë këtij kaosi dhe rrëmuje, që mund të lërë pasoja të rënda në zhvillimin e procesit mësimor të këtij fakulteti.
Emërimet abuzive të stafit akademik
Një tjetër problematikë e ngritur nga dekani Hysa është edhe abuzimet që kërkohen të bëhen në rekrutimet e reja të stafit akademik. Me një vendim të qeverisë së mëparshme, në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë, si dhe rregulloren e fakultetit Hysa shton se janë emëruar pedagogë pa respektuar kriteret dhe pa iu nënshtruar konkursit. Por, pavarësisht këtij fakti, dekani Hysa vijon t’i mëshojë idesë se gjatë nisjes së vitit të ri akademik, nuk do të pranojë asnjë pedagog të ri që nuk është përzgjedhur nëpërmjet procedurave të konkursit. Kjo pavarësisht faktit se dosjet e tyre janë depozituar, dhe se ata tashmë duhet të punësohen në bazë të vendimit të qeverisë së mëparshme.

Per cfar qeverie te meparshme flitet ? Ju duhet urgjentisht nje kontroll te rrepte se ku kane shkuar leket dhe mbasi te jene verifikuar dhe nqs eshte abuzuar, tja beni publike abuzimet qe ka bere qeveria e meparshme,se si shum po ha mender M.. Saliu.
Krijimi i Universitetit Mjekesor ishte idiotesia shqiptare e radhes. Ne ShBA dhe BE nuk ekziston nje Universitet i tille. Ky universitet i krijua ne nje kohe kur pothuajse Fakulteti i Mjekesise kishte falimentuar. Persa i takon parave si vene e vine, me mire se e di Bajram Hysa, asnje nuk e di,