Një nga arritjet më të mëdha në historinë e njerëzimit është ajo e artit te Mjeksisë. E quaj art sepse, përmban një kompleks vetish që një person duhet të mbarti për ta aplikuar atë. Disa prej këtyre përfshin: njohuri të sakta mjeksore, kujtesë të fortë, durim, dhembsuri dhe dashuri për njerëzit, komunikim etiko- profesional etj.
Për të aplikuar të gjitha këto cilësi, një mjek duhet të ketë kushtet e domosdoshme (mundësisht të nevojshme) si dhe organizimin e duhur për të patur mundësinë e realizimit të detyrës konform kërkesave që ka e deshiron shoqëria. Në këtë aspekt duhet të bëhet një vlerësim objektiv e në vazhdimësi i gjithësecilit që ka marrë përsipër të mbajë emrin e nderuar të mjekut. Ky vlerësim nuk duhet lënë vetëm në opinionet e pacientve por të jetë i fokusuar nga një kontroll i rreptë i një organizmi kontrollues i cili ka si mision e detyrë mbrojtjen e pacientit.
Kushtet e mjeksisë shqiptare mbeten akoma nën nivelin e kërkesave të kohës jo se nuk është investuar për përsosjen e tyre, por sepse është shpërdoruar investimi taksapaguseve ndër vite. Në Shqipëri çdo zyrtar sillet si pronar me paratë e popullit dhe ky është fenomen që ka prekur gjithë zhvillimin ekonomiko-shoqëror. S’është dëgjuar që dikush të përgjigjet për vjedhje , shpërdorime, investime pa cilësi, pa efektivitet apo investime mbi kostot preventive. Duhet të bëhet një bilanc i investimeve në mjeksi për këto 22 vite dhe të evidentohet tabloja e zezë e korrupsionit që po gërryen përditë jo vetëm ekonominë por edhe dinjitetin e shqipëtarëve.
Mjeksisë shqiptare i mungon parimi themeltar i shërbimit mjeksor që është barazia ndaj pacientit. Krahasoni shërbimin që i bëhet një politikani, personi publik, personi me funksione apo një personi që paguan rrushfet te majmë, me një pacient pa përkrahje shoqërore e me ekonomi të dobët dhe do të shihet ç’ndodh realisht. Këtu duhet filluar, tek parimi i barazisë ndaj pacientit, jo me fjalë, por aplikim konkret . Këtu duhet të nis reforma e përgjithshme në mjeksi.
Kushtet e mjeksisë në Shqipëri janë produkt i politikave të shtetit dhe i organizimit e drejtimit direkt i stafeve drejtuese në këtë sektor jetik për gjithë shoqërinë. Do të ishte e mangët reforma vetëm në përmirsimin e politikave të përgjithshme shtetërore ndaj këtij sektori, pa reformuar edhe piramidën e organizimit direkt të punëve që nga sanitari deri tek drejtori i përgjithshëm ku të përzgjidhen njerëzit e duhur me cilësitë e lartëpërmendura. Por dhe kjo nuk mjafton nëqoftëse mbi ta të ushtrohet nje kontroll korrekt e pa kompromis ku vlerësimi apo ndëshkimi të jenë bashkëudhëtarë të veprimtarisë së tyre dhe do të shihet ndryshimi.
Jo më, mjekë që këmbët i kanë në spitalet shtetërore e kokën në ato private duke bërë rolin e sekserit, mjekë që me trup jane përballë pacientit e me sy e mendje tek paraja, mjekë që të dendin me ilaçe pa kriter duke të caktuar dhe farmacinë, mjekë që të kërkojnë të shkosh në të gjitha aparaturat e klinikave private e laboratorë selektivë të tyre dhe s’të japin një diagnozë të saktë, dhe jo rrallë, mjek që ngrenë mirëqënien e tyre mbi fatkeqësinë e pacientit. Në spitalet shqiptare ka mpleksje interesash të njerëzve të fuqishëm ku gjoja në emër të zhvillimit janë tjetërsuar objektet publike të spitaleve kur ky sektor nuk I është nënshtruar privatizimit dhe janë shndërruar në spitale private me gjithë lloj emra shtetesh, ku vetëm mjek nga këto shtete nuk kanë, me çmime të pa përballueshme për qytetarët.
Pas disa eksperiencash me shërbimet mjeksore në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe kam arritur të ndaj një hendek të madh të ndryshimeve që këto dy shtete paraqesin.
Shërbimi nacional i shëndetit (NHS) në Britani ka 65 vjet që është në ngarkim të mbarvajtjes së shërbimit mjeksor në të tërë shtetin. NHS ka një avancim tepër të lartë në krahasim jo vetëm me Shqipërinë por edhe shtetet e tjera europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është arritur nga një fond prej £108 bilion në vit e mbledhur nga taksat e qytetarëve e për pasojë, shërbimi mjeksor në Britani është falas, staf i kualifikuar, komunikim I menjëhershëm midis spitaleve dhe specialiteteve të ndryshme, dhe një supervizim tepër strikt për të mbajtur një standart te njëllojtë në të gjitha spitalet e shtetit.
Pika e parë, fondi, mundëson pagesën e mjekëve, blerjen e ilaçeve të nevojshme në kohë, mjeteve dhe aparaturave të duhura. Pagesa e lartë e mjekëve mundëson një devotshmëri ndaj punës dhe mos marrja e rryshfeteve nga pacienti. Doktorëve u kërkohet që t’u shërbejnë pacientëve në të njëjtin standart pa marrë parasysh gjininë, rracën, apo të ardhurat financiare të pacientit. I gjithë stafi mjeksor është i kualifikuar dhe mjekët janë të ndarë në 3 shkalla: të sapo dalët nga universiteti që punojnë në këtë shkallë për 2 vjet, më pas ata quhen doktorë në kualifikim dhe shërbejnë në këtë shkallë nga 4-6 vjet derisa të marrin specialitetin që ata do të vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Shkalla e tretë janë këshilluesit të cilët kanë mbi 10 vjet që ushtrojnë profesionin. Konsultimet për pacientet bëhen duke përfshirë të gjitha shkallat e mjekëve duke u dhënë mundësi shkallave më të ulëta të mësojnë nga specialist dhe të shprehin mendimet e tyre nëse kanë ndonjë mendim më efikas për shërimin e pacientit.
Gjithashtu, duke pasur një shërbim mjekësor që është falas, u jep mundësinë mjekëve të kapin sëmundjet në hapat e para dhe ta kurojnë atë pa shkaktuar probleme në sisteme të tjera të trupit dhe pa përdur procedura të shtrenjta.
Organizimi falas i sistemit shëndetësor në Britani ka shfaqur dhe anët e veta negative të cilat do hasen edhe në Shqipëri si:
1- Pacientët ankohen për probleme që nuk ekzistojnë ose janë shumë të vogla që mund të zgjidhen pa ndihmën e mjekut. Kjo shkakton rradhë të gjata dhe harxhim to kohës se mjekëve me raste më kritike.
2- Një anë tjetër negative e të qënit falas është se në fillimet e saj, u paramendua se sëmundjet do të ishin të limituara dhe fondi do të ishte i mjaftueshëm, por me shtimin e sëmundjeve dhe kërkesave nga pacienti, kanë bërë që fondi i planifikuar ndonjëherë të mos jetë i mjaftueshëm
Së dyti, komunikimi midis spitaleve dhe specialiteteve është shumë efektiv dhe i nevojshëm. çdo pacient duhet të paraqesi problemin e tij te mjeku i familjes, i cili përgjigjet për rreth 2000 pacient te një zonë të caktuar. Nëse mjeku i familjes nuk e zgjidh dot problemin, ai i drejtohet spitalit duke lënë takim për pacientin dhe tu transferoj librezën mjeksore mjekëve të spitalit që të mos bëhen analiza të kota për të dytën herë. Kjo mundëson një shkurtim të kohës së mjekimit të pacientit dhe uljen e kostos.
Së treti, shërbimi mjekësor supervizohet rreptësisht nga një bord i veçantë i cili analizon shkaqet dhe rrethanat e vdekjeve në spitale, numrin e sëmundjeve, shërbimi që ofrohet nga spitali etj. Kjo mundëson që mjekët të japin maksimumin në punën e tyre dhe të ndalohen nëse procedurat e tyre nuk kanë sukses.
Si përfundim, Britania ka gjetur një zgjidhje shumë efikase të shërbimit mjekësor ku problemet mjeksore janë më të pakta sepse parandalohen pa ndodhur ose zgjidhen shumë shpejt nëse ndodhin papritur. Gjithashtu, ky shërbim mjeksor mundëson jetesën e personave me sëmundje kronike që nëse do të ishin në një vend si Shqipëria nuk mund të jetonin për një kohë të gjatë pa patur një gjendje të mirë financiare.
Ky sistem do të ishte i përshtatshëm për një vend të vogël si I joni sepse do të mundësonte asgjesimin e korrupsionit, do të rrisë kënaqësinë e punës tek specialistët, do te rrisë besimin e pacientëve dhe më e rëndësishme do të zgjasë jetën e popullsisë. Mjeksia shqiptare ka një resurs të çmuar mbasi ka akoma specialist të formuar teknikisht dhe kjo përbën një bazë të mirë për reformën.
*Autori është student i mjeksisë në universitetin e St. Andreës, Britani

iluzione te humbura
I nderuar doktor,
A ka ne Britani nje ligj te plote mbi Sherbimin Shendetesor?
A ka ne Britani nje ligj qe mbron personelin shendetesor nga dhuna fizike dhe ajo verbale pergjate kryerjes se detyres?
Sepaku keto 30 vitet e fundit ligje te tilla kane qene teresisht te anashkaluara nga ligjberesit tone. Nuk i intereson.
Per anet negative te Sherbimit Shendetesor Britanik qe ju flisni, ne Shqiperi te rrahin paq apo edhe te vrasin. Po te keni parasysh pyetjet qe une shtroj, besoj se do te gjykoni me me objektivitet Sherbimin Shendetesor ne Shqiperi.
Pershendetje.