Foshnja vdes pas operacionit të lindjes në Maternitetin e Korçës, familja denoncon mjekët për neglizhencë. Vdekja e foshnjës ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kurse policia vendore konfirmoi se nisi hetimet dhe procedimin penal në gjendje të lirë për bluzat e bardha, deri në verifikimin e plotë të ngjarjes dhe kartelës mjekësore. Denoncimi është bërë nga nëna 30-vjeçare e foshnjës me inicialet D. Th., dhe familjarët e saj, që kërkuan zbardhjen dhe drejtësi.
Ngjarja sipas policisë vendore ndodhi rreth orëve të para të mëngjesit, 02:45, ku pas kryerjes se operacionit, mjeku konstatoi se foshnja ishte i pa jetë. Familjarët pretendojnë se mjeku anestezist ka shkuar 45 minuta me vonesë, nga momenti kur nëna 30-vjeçare me inicialet D. Th., ka hyrë në sallën e operacionit. Burime nga materniteti thanë se mjeku anestezist ka qenë në një tjetër operacion në spitalin e Korçës dhe për këtë shkak ka ndodhur vonesa e paparashikuar. Po të njëjta burime thonë se ka pasur debate të forta mes dy mjekëve që janë kujdesur për 30-vjeçaren dhe anestezistit që kishte një pjesë të përgjegjësisë për operacionin.
Sipas informacioneve nga policia, nëna është paraqitur për lindje rreth orës 02:00, në kushte normale për lindje. Në orën 02:15 është paraqitur mjeku që ndiqte nënën e re për procesin e lindjes. Rreth orës 02:45 mjeku ka vënë re komplikacione tek foshnja dhe ka vendosur për të kryer operacion, ku me lindjen e foshnjës u konstatua se ishte pa jetë.
Pas denoncimit të familjarëve, grupi hetimor dhe ekspertë mbërritën në maternitet dhe bllokuan të gjitha kartelat që tregojnë ecurinë e shtatzënisë dhe lindjes së foshnjës. Foshnja ndodhet në morgun e spitalit, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Gjithashtu një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë do të ndjekë rastin nga afër për të mësuar të vërtetën, nëse shkak për vdekjen e foshnjës është bërë neglizhenca e kirurgëve në detyrë apo thjesht ngarkesa e tyre në punë.
Policia pritet të marrë edhe dëshmitë e mjekëve, anestezistit, infermiereve dhe drejtuesve të maternitetit, pasi më herët kishte regjistruar denoncimin dhe dëshmitë e familjarëve të 30-vjeçares që humbi foshnjën. Paraprakisht sipas spitalit, gruaja shtatzënë mund të ketë pasur komplikacione të mëparshme sepse mbërriti në gjendje jo të mirë në maternitet.
