Mjekët e infermierët përfitojnë rritje page 2-5 për qind

anazapta

Shfaqin rezultate të larta në punë, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore aprovon rritjen e pagave për spitalin e Durrësit

 

Përfshirja e spitalit të Durrësit në skemën e sigurimeve shëndetësore ka rezultuar tepër pozitive. Konstatimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore Elvana Hana, e cila ka konfirmuar edhe rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin tjetër mbështetës të spitalit të Durrësit. Aprovimi është bërë nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, pas verifikimit të rezultateve të punës së bërë nga ky spital. Rritja e pagave do të jetë e përshkallëzuar nga 2 deri në 5 për qind në varësi të postit të secilit punonjës. Vendimi për rritjen e pagave që ka hyrë tashmë në fuqi i shtrin efektet nga muaji korrik, çka do të thotë se i gjithë personeli do të marrë rritjen e pagës edhe për muajt e kaluar (nga korriku i 2012-ës), e në vijimsi.

 

Në mbledhjen e dy ditëve më parë Këshilli Administrativ  i ISKSH-së, miratoi ndryshimet në pagat e punonjësve të spitalit të Durrësit, duke nxjerrë vendimin përkatës, që parashikon rritjen e pagave të sistemit shëndetësor dhe joshëndetësor mesatarisht 2 deri në 5  për qind për 701 punonjësit e këtij spitali. Nga këto rritje përfitojnë punonjësit me arsim të lartë për 161 poste,  351 punonjësit e infermieristikës, si dhe 189 punonjësit mbështetës të spitalit. Efektet financiare të këtyre rritjeve mbulohen nga buxheti total i dhënë për spitalin e Durrësit. Rritja e pagave të punonjësve të këtij spitali është bërë në vazhdën e Vendimeve të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë, e në gjithë sistemin buxhetor. Sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se efektet financiare shtesë në total arrijnë në 6.429.000 lekë. Lajmin e mirë të rritjes së pagave Hana e ka deklaruar gjatë përurimit të qendrës së re të telemedicinës në këtë spital.

 

“Duke ju përgëzuar për këtë qendër të re që po vihet në funksion në spitalin e Durrësit, dëshiroj gjithashtu t’ju lajmëroj për vendimin e miratuar nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së për rritjen e pagave tuaja d”, deklaroi Hana.  I pranishëm në përurimin e  qendrës sëre të telemedicinës ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Vagjel Tavo.  Falë kësaj teknologjie, gjatë kohëve të fundit ekipe mjekësh të huaj kanë kryer operacione të vështira tek pacientët shqiptarë, nëpërmjet telemjekësisë. Gjithashtu në nisje të vitit 20130ës, spitali i Durrësit do të kthehet në qendër universitare, dhe do të jetë qendra e dytë e traumës në vend, pas spitalit ushtarak. Gjatë përurimit të kësaj qendre janë ndarë certifikata mirënjohjeje për disa prej mjekëve kirurgë të njohur si profesor Besim Elezit, Shaban Dedej, Thanas Gucaj, Taulant Baku etj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *