Mjekët e shpallin të vdekur, gruaja “ringjallet” në frigoriferin e morgut

DITA Online

 

Një grua nga Afrika e Jugut është dërguar për trajtim mjekësor në spital, pasi është zbuluar se ishte e gjallë në një frigorifer morgu.

Gruaja u dërgua në morgun e Carletonville, në provincën e Gauteng, pasi u shpall e vdekur nga mjekët e ndërhyrjes së shpejtë pas një aksidenti rrugor.

Kompania e ambulancës që mori trupin e saj “Distress Alert”, në një reagim zyrtar tha se ajo nuk kishte shfaqur “asnjë formë jete” gjatë transportimit për në morg. Por kur një punëtor i morgut u kthye për të kontrolluar trupin në frigorifer, ai pa se gruaja po merrte frymë.

Një zyrtar i ka konfirmuar BBC-së se gruaja është duke u trajtuar në një spital në lindje të Johanesburgut pasi u është referuar oficerëve të forenzikës.

Është i panjohur identiteti i saj, por një hetim mbi incidentin po kryhet, me familjen që insiston për një përgjigje.

“Si familje nuk do të flasim për këtë, përveç nëse policia, paramedikët dhe zyrtarët e morgut janë të pranishëm. Ne kemi nevojë për përgjigje”, i tha një anëtar i familjes BBC-së duke folur në kushtet e anonimitetit.

Menaxheri i operacioneve për “Distress Alert”, Gerrit Bradnick tha se nuk kishte “asnjë dëshmi të ndonjë neglizhence” nga ana e kompanisë së tij.

“Kjo nuk ndodhi sepse paramedikët tanë nuk janë të trajnuar siç duhet,” i tha ai TimesLive.

Kjo nuk është hera e parë këtë vit që dikush është zgjuar në një morg, pasi u shpall i vdekur. Në janar, një i burgosur në një burg në rajonin e Asturisë së Spanjës u “ringjall” disa orë para se të kryente një autopsi.

Tre mjekë e kishin certifikuar atë të vdekur.

Gjithashtu nuk është hera e parë që kjo ka ndodhur në Afrikën e Jugut. Shtatë vjet më parë, një burrë 50-vjeçar u zgjua duke ulëritur në një morg. Në vitin 2016 një tjetër viktimë e aksidentit rrugor, nga KuaZulu Natal, u shpall i vdekur, por ditën tjetër u gjet i gjallë.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *