Mjekët në shkolla: Fëmijët probleme me shikimin

redaktor

Qëndrimi me orë të tëra para kompjuterit po u dëmton sytë dhe po shëndosh fëmijët shqiptarë. Shqetësimi ngrihet nga mjekët e shkollave, të cilët kohët e fundit kanë kryer depistime, kryesisht tek nxënësit e klasave të para. Një pjesë e madhe e tyre rezultojnë me probleme në shikim dhe probleme obeziteti, pasi qëndrimin në kompjuter e shoqërojnë dhe me ushqime hiperkalorike.

“Nga 79 nxënës të klasave të para mund të themi se dhjetë prej tyre janë me probleme okulistike. Ajo që kam vënë re ndër vite është që këta fëmijë që kanë problem të tillë,po janë dhe obezë, dhe menjëherë të shkon mendja te qëndrimi para kompjuterit, marrja e këtyre ushqimeve, karbohidratave, çokollatave dhe janë dhe obezë”, thotë Natasha Gjoka, Mjeke në Shkollën “Osman Myderizi”.

“Kemi dy klasa të para dhe kemi çuar më shumë raste tek okulisti. Sivjet për shembull ne kemi arritur që disa nxënës të cilët kanë qenë të padiagnostikuar që i kemi çuar tek specialisti kanë marr syze”, shprehet Teuta Pipa, Mjeke në Shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

Pjesa më e madhe e nxënësëve me probleme në shikim, pasi janë dërguar tek specialisti, janë pajisur me syze. Mjekët e shkollave thonë se ndërkaq kanë këshilluar edhe prindërit që të tregohen më të kujdesshëm lidhur me ushqimin e fëmijëve. Ata janë porositur të ndalojnë kategorikisht konsumimin e patatinave apo çokollatave, pasi si pasojë e obezitetit, tek fëmijët po shtohet ndjeshëm edhe diabeti./AS

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *