Kërkesa e bluzave të bardha që gabimet mjekësore të mos gjykohen më si një vepër penale, por si një çështje administrative është pasqyruar në kërkesën për ndryshime të kodit penal që u dërgua sot në kuvend. Ky ndryshim do të bëjë ndarjen mes neglizhencës dhe gabimeve mjeksore.
Zëvendës Ministria e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se ky ndryshim u bë pas një konsultimi me mjekët dhe persona kompetentë të ministrisë së drejtësisë.
Ajo shtoi: “Gabimi mjekësor është atëherë kur mjeku pa dashje duke zbatuar protokollet mjekësore bën një veprim ose nuk ndërmerr një veprim që ka sjellë për pasoje një dëmtim të të sëmurit, ndërsa neglizhenca është kur nuk merresh me pacientin, nuk vepron sipas protokolleve të përcaktuara më parë për mënyrën se si të trajtohet , diagnostikohet dhe mjekohet (pacienti). Gabimi mjekësor do të gjykohet administrativisht dhe neglizhenca penalisht”.
Sipas ndryshimit, neglizhenca e mjekut do të dënohet penalisht dhe dënimi do të jetë në bazë të shkallës së dëmtimit që neglizhenca ka shkaktuar. Është propozuar që dënimi të shkojë nga gjobë deri në dy vite burg, ndërsa nëse si rezultat i neglizhencës mjekësore pacienti ka humbur jetën dënohet me burgim deri në 4 vjet.
Kujtojmë se sipas ligjit akoma në fuqi, mjekët u dënonin deri në 5 vite burg edhe për gabime mjeksore, pavarësisht shkallës së dëmtimit të pacientit. Në tre vitet e fundit numërohen mbi 20 mjekë të arrestuar për shkak të gabimit mjekësor.
Burimi: Klan
e.ll./dita
