Ish-deputeti Fatmir Toçi, në një lidhje me “Skype” në News24, tha se është prekur shumë rëndë nga virusi COVID-19 dhe ka kaluar një periudhë 55 ditë në regjim shtrati, ku 45 ditë ka qenë i shtruar te spitali “Shefqet Ndroqi”.
Toçi tha se trajtimi i virusit në kushte shtëpie, kur skaneri të nxjerrë se je prekur sadopak, është një gabim fatal. Sipas tij, brenda 10 ditësh që ai qëndroi në shtëpi, mushkëritë iu prekën nga 30% në 70%, prej ku pati dhe humbje të vetëdijes.
“Kam kaluar një periudhë 55 ditë në regjim shtrati, 45 ditë te ‘Shefqet Ndroqi’. Pas kësaj, nuk është se jam akoma në gjendje fare normale, që të bëj aktivitete të zakonshme. Covid ka dhe një periudhë tjetër që nuk është shumë e shkurtër, kur pacienti kërkon të rehabilitohet pas një kohe të gjatë në kushte spitalore.
Edhe unë po kaloj këtë periudhë. Gjatë kohës që ishte në spital kam humbur 20 kg. Sot lëviz normalisht të dal me familjarë e miq, bëj jetë normale, por jo që të ushtroj aktivitete. Unë jam prekur në kushte shumë të rënda. Nuk mund ta vë gishtin ku e kam marrë këtë sëmundje. U preka nga ky virus në momentin kur nuk do ta besoja kurrë”, tha ish-deputeti.
h.b/dita
