Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Baz të Burrelit, Shpend Shahini, firmos borderotë nga kryeqyteti. Në qendrën që drejton me letra, farmacia private vjedh energjinë elektrike.
“Fiks Fare” zbulon abuzimet në qendrën shëndetësore në Baz të Burrelit. Drejtori i qendrës merr vazhdimisht rrogën, por qëndron fizikisht në Tiranë.
Ndërkohë, mjeku përgjegjës në këtë qendër shëndetësore është me emërim në një tjetër qendër, në Macukull. Shkelja e radhës ishte, që në ambientet e qendrës shëndetësore, kishte një farmaci private. Kjo farmaci vidhte energji elektrike nga sahati i qendrës.
Në Fiks Fare u ankua mjeku Haziz Molla, i cili ka qenë drejtor në këtë qendër, por e kanë transferuar në Macukull. Ai shprehet se, jo vetëm çështja e sahatit është e paligjshme, por edhe farmacia vetë nuk duhet të jetë aty, pasi sipas ligjit, ajo duhet te jetë 100-150 në distancë me qendrën shëndetësore dhe jo brenda saj.
Vjedhjen e energjisë elektrike e konfirmojnë edhe teknikët e OSHEE-së, Burrel. Sipas tyre, kjo është një shkelje, pasi sahati i farmacisë është jo funksional dhe energjinë e marrin përmes sahatit të qendrës shëndetësore.
Gazetarët e Fiksit iu drejtuan edhe farmacisë, ku farmacistja Hanke Cakoni pranon se është e vetëdijshme që ka kryer një shkelje dhe rrëfen se nuk e kishte menduar gjatë, sepse kishte bërë një marrëveshje me gojë me mjekun përgjegjës pasi vetëm një dritë do shpenzonte.
Ndërkohë, mjeku Haziz Molla ngre një tjetër akuzë se në atë farmaci tregton burri i saj që nuk ka lidhje fare me medikamentet. Sipas mjekut kjo është e rrezikshme për jetën e banorëve, pasi një dozë më të lartë të jap ai, personi në fjalë nuk e kupton dhe do t’ia japë.
Ai shprehet se kur ka bërë kërkesë për spostimin e kësaj farmacie në 2009-ën, kur mbante posti e drejtorit si përgjigje mori largimin nga puna.
Mjeku tregon se aktualisht drejtor është Shpend Shahini, i cili prej dy vitesh nuk ka ardhur asnjëherë në qendrën shëndetësore dhe borderotë i firmos në Tiranë atje ku ai jeton.
Pas denoncimit, Fiks Fare iu drejtua institucioneve. Drejtoresha e Shëndetit Publik në Burrel, Drita Lalaj shprehet se mjeku Haziz Molla nuk duhet të ishte fare në atë qendër, pasi ai është me vendim në Macukull dhe ai qëndron aty dhe bën të gjitha punët aty. Ajo shprehet se faji është i Fondit Rajonal Dibër që kanë lejuar këtë gjë si dhe lejimin e farmacisë brenda qendrës që nuk lejohet të jetë aty.
Ndërkohë, drejtori i Fondit të DRSKSH-së Dibër, Blendi Gurra, shprehet se përsa i përket vjedhjes së energjisë ai nuk e ka konstatuar deri më tani dhe po njihet me rastin përmes emisionit “Fiks Fare”, por menjëherë do ngrejë një grup për konfirmim dhe do marrë masat e tij.
Për sa i përket Drejtorit të qendrës shëndetësore, Shpend Shahini ai e ka autorizuar atë dhe jo emëruar pasi emërimet i bën ministria. I pyetur se ne ç’post paguhet zoti Shpend Shahini ai deklaron se edhe pse ai merr rrogën në postin e drejtorit.
