Mjeku “specialist” që çoi Shqipërinë në reanimacion

redaktor

Një ditëlindje që kaloi në heshtje

Në 28 gusht ishte pervjetori i ditëlindjes se një shqiptari të rrallë, por qe u kalua në heshtje totale! Ishte përvjetori i lindjes së At Zef Pllumit, françeskani i vetëm i mbijetuar nga regjimi komunist. Pas 26 vitesh burg, At Zef Pllumi lirohet në 1989 pak para rënies së komunizmit në Shqipëri. Ai u arrestua në moshën 22 vjeçare në 14 Dhjetor të 1946 dhe u dënua më vjet burg si sekretar personal i Anton Harapit. Pas lirimit i’u rikthye jetës së tij françeskane dhe shërbeu si prift në Shosh dhe Dukagjin. Por në 1967 u arrestua sërish duke kaluar 23 vite në burgjet e Spaçit, të Repsit, Vlorës, Ballshit, dhe Tiranës. Pas lirimit nga burgu, rilindi “Hyllin e Dritës” dhe ju dedikua shkrimit të kujtimeve të jetës së tij.

Ishte nga të parët që nuk foli me patetizëm për demokracinë e brishtë të viteve -90. Nëse lexon shënimet e tij, aty gjen zërin e një shqiptari që ka paralajmëruar fatkeqësi të sotme, zërin e një shqiptari që na thotë të vërtetën për disa dritëhije të forta të historisë tonë 100-vjeçare. Ai sqaron se nuk është historian, por shënimet e tij janë të vërteta sepse nuk u kompromentuan nga asnjë tirani. Vdiq në 25 Shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, Itali. U varros në 30 Shtator 2007 në Shkodër. DITA sjell sot per lexuesit disa shenime te rralla te tij:

*****

Histori kurrë e shkrueme

Nga At Zef Pllumi

Me 30 mars 1991 u zhvilluen “zgjedhjet e para të lira”, ndër të cilat Partia Socialiste e Fatos Nanos (ish-Partia e Punës) fitoi rreth 70% të votave. Partia Demokratike e Sali Berishës muer pjesë në parlamentin e ri, pra i njofti legale zgjedhjet. Ndërkaq nuk i njofti populli shqiptar. Ky, i bashkuem rreth flamurit të sindikatave të pamvaruna, e shtërngoi Nanon me dhanë dorëheqjen dhe me zhvillue mbrenda vitit të tjera zgjedhje.

Qeveria e mjekëve

U formue “Qeveria e Stabilitetit Kombëtar” me Ylli Bufin në krye. Me 22 mars 1992 u zhvilluen “zgjedhjet e para të lira” ndër të cilat fitoi Partia Demokratike e Sali Berishës me mbi 60% të votave. U formue “qeveria e parë e mjekëve”. Këta kishin teprue si intelektualët ma të pamvarun. Regjimi i Hoxhës këtyne u kishte lanë me i këqyrë hallet e popullit me nji vizion ma human; disa bile i kishte nxjerrë jashtë shtetit për specializim…

Mos të çuditemi, prandej, që intelektualët ma liberalë të dalun nga shkollat komuniste ishin mjekët. Kishte prej tyne që e kaluen jetën edhe ndër burgje të tmerrshme. Në të vërtetë, mjekët duhen nderue si grupi ma i zgjedhun i inteligjencies shqiptare në kohën e tiranisë, por…

Por ata duhet të jene të vetëdijshëm për njoftunitë që kanë, dhe jo me hi n’e huejën, ku dijnë pak ose aspak. Këtu kje nji gabim i madh. Tue marrë pushtetin, politikanët shqiptarë menduen se kishin fitue edhe dije të reja politike. Qeveria e mjekëve i dha aq liri popullit, sa nuk e njofti ma qeni të zonë. Liri’ feje, liri fjale, liri’ ndërgjegje, liri shtypi, liri tregu, liri… Populli rob shqiptar a ishte i pregatitun për aq liri? Për këtë nuk e çau kryet kush.

Liria e ndërgjegjes u kuptue se individi kishte të drejtë me përmbysë çdo ligjë morale e mos me iu bindë asnji ligje shtetnore. Kështu grupe mafioze të hueja gjetën terren të përshtatshëm për me organizue edhe në Shqipni grupe homologe për kontrabandën e drogës, të femnave, të fëmijëve, për prostitucionin dhe tregtinë e organeve trupore për transplantim. Tregu i vizave pushtoi të gjithë vendin. “Njeriu i ri” shqiptar, i dalun nga farka e kalitjes “të materializmit shkencor”, e gjet tash këtu te “fitimi”, te “parja” idealin e vet. Para këtij ideali materialist u zhdukën të gjitha tjerat e nuk pati ma atdhe, fe, as popull, as kulturë, as përparim, as dije e as art, as ndjenja njerëzore. Administratorët e rij të shtetit shqiptar menduen se kjo kje rrugë e mbarë.

 

Kur kjoska “u ba simbol i lirisë…”

Vetëm Tirana u mbush me tetë mijë kioska. Këto u banë qendrat zyrtare të biznesit, madje të “politikës së re” shqiptare. Këtu u puqën si liderët e partive, si “pushtetarët” edhe “opozitarët”, këtu parlamentarët, këtu gazetarët e thashethemeve, këtu kontrabandistat e këtu kriminelat, këtu bahej korrupsioni i madh shkatërrues. Për t’u lëshue vend këtyne kjoskave u prishën parqet e natyrës dhe lulishtet zbukuruese të kryeqytetit. Kjoska u ba simbol i lirisë demokratike shqiptare. Në ketë situatë të bukur lirije u themeluen edhe “Firmat e mëdha rentiere” ose, si po thirren sot, “skemat piramidale”; vështrimi i vërtetë i këtyne emërtimeve, i thanun shqip, asht shoqata mashtruese.

Shembullin e parë të këtyne firmave e pruni në Tiranë “Iliria Holding SA” (Hajdin Sejdia) në vitin 1990-91 e cila, si kujtim të vogël, na la të hapun gropën e madhe në mes të Tiranës, simbol profetik që të tregonte se ku e ma zi se aq do ta çonte popullin shqiptar nji “ekonomi” e tillë.

Këto firma u themeluen me dije e miratim të qeverisë, u mbështetën prej saj dhe iu ba propagandë në RTV shqiptar; disa kjenë pjesëmarrëse edhe ndër delegacionet qeveritare ekonomiko-financiare, kulturore, madje edhe ushtarake, ndër shtete të hueja; veprimtaritë e tyne u inaguruen nga krenët e demokracisë; “Miss Europa” kje manifestimi ma triumfal i këtyne firmave që nganjiherë u nënshkruen edhe si “fondacione bamirëse”; muerën pjesë aktive edhe në blemjen e objekteve të ndryshme shtetnore, por që pothuej të gjitha dergjen aty gjithnji pa shpresë rimëkambje të ndonji vepre industriale me vlerë.

Këto firma nuk muerën ndonji kontratë të madhe me qeverinë për rindërtimin e vendit, për të çilin, me sa u pa, nuk interesohej fort qeveria e mjekëve demokratikë. Kështu deri rrugët e qytetit u shkatërruen ma zi se ato të katundeve; nuk u punue asnji urë, asnji qandër administrative shtetnore, tash pesë vjet vendi mbet pa dritë, pa ujë, pa telefona, pa shërbime komunale, pa pyje, pa miniera, pa banesa, pa shkolla, pa instituçione kulturore. Shqipnia u kthye jo vetëm politikisht e administrativisht, por edhe fizikisht në gjendjen e viteve 1921-1925, ndërsa buletinet statistikore të anuarëve ndërkombëtar raportonin se Shqipnia xente vendin e parë në progresin ekonomik mes shteteve ish-komuniste.

 

At Zef Pllumi
At Zef Pllumi

Mjeku “specialist” e çoi Shqipërinë në reanimacion

Por vepra ma e madhe e këtyne fondacioneve ishte akumulimi i të gjitha fitimeve e kursimeve personale të popullsisë shqiptare, tue fillue që nga paret e ndyta, fitue me trafikun e drogës, me grabitjen e shitjen e femnave, e deri te kursimet e vogla të punëve robnuese të emigrantëve. Mbas nji periudhe korrektësie mashtruese, nji pjesë e madhe e shqiptarëve filloi të mendojë seriozisht se kapitalizmi po ishte nji sistem ekonomik në të cilin çdo familje mund të jetojë pa punë, mjaft që t’i vendosë paret e veta ndër inkubatorët e këtyne fondacioneve. Kjenë shumë që shitën edhe shtëpitë e veta (të vogla) për me trefishue kursimet e kështu me jetue sot e me mendue për nesër. Pra, u duk nji shpikje e re, nji sukses i madh i ekonomisë kapitaliste të demokracisë së re shqiptare.

Ndokush hodhi fjalën e ngjalli dyshimin se ky veprim ishte riciklim paresh të ndyta, por Presidenti e siguroi popullin tue deklarue botnisht se parja shqiptare ishte “më e pastra në botë”. Por ja që nuk ecë gjithmonë kungulli mbi ujë.

Mashtrimi duel në shesh kur u fillue kontrolli i depozitave bankare. “Firmat rentiere”, “fondacionet bamirëse”, deklaruen falimentimin; ekonomija demokratike e fajdeve u shemb tue lanë duerthatë nji pjesë të madhe të popullsisë shqiptare. Ndonji nga krenët e mashtrimit u largue me pasaportë diplomatike në drejtim të panjoftun. Populli zbriti në rrugë e ndër sheshe me kërkue paret e veta. Partitë në opozitë gjetën çastin e përshtatshëm për t’i frye zjarrit dhe i banë thirrje popullit që të rrxohej qeveria. Kjo nuk gjeti ndonji rrugëzgjidhje të ndershme e as nuk pati kurajon e gjakftohtësinë për të dhanë dorëheqjen, por nxuer nga librat parimin dogmatik të Hoxhës: “Partia gabon, por ajo vetë i qorton gabimet e në asnjë mënyrë nuk ia lëshon pushtetin në dorë armikut”. Presidenti deklaroi se kurrë nuk do të pranonte koalicion me socialistët.

Presidenti e muer mbi vedi nji pjesë të fajit kur u zotue publikisht se shteti do të paguante nga 56% deri në 65% të depozitave të popullsisë. Çdo politikan asht njeri i gabueshëm si gjithë të tjerët. Por gabimet e politikanit kanë pasoja të mëdha shoqnore dhe nuk kalohen me nji “pardon”. Çdo politikan i ndershëm, kur pranon gabimin, jep dorëheqjen dhe e liron vedin nga politika. Të mos hequnit dorë nga pushteti nga ana e politikanëve të dështuem e ndezi zjarrin edhe ma shum. Partitë politike zbritën në sheshe për ta marrë pushtetin me çdo kusht. Populli i pezmatuem, se tashma kishte humbë çdo shpresë për me jetue pa punue, u çue në revoltë dhe në Vlonë e në Jug, mbas grevës, kapi armët. Parlamenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mobilizoi forcat ushtarake. Me 9 mars Partia Demokratike e pranoi koalicionin me opozitën. Në pragun e nji lufte civile shteti shqiptar u shemb krejtësisht mbrenda pak orëve të datës 12 mars 1997. Tue u zhdukë si krypa n’ujë qeveri, polici, ushtri, forca të ndërhymjes së shpejtë, administratë, zyrë, banka etj. Vijonin me punue vetëm kjoskat! U shkatërruen depot e armeve, deri edhe burgjet;

Pushteti demokratik i “mjekve specialistë” e dërgoi Shqipninë në repartin e reanimacionit.

 

Mos t’ia vemë fajin kurrkuj përveç vedit…

Veçantitë kryesore të karakterit shqiptar, me sa duket, janë: individualizmi i theksuem si edhe vandalizmi (dishiri për me shkatërrue) ose barbarizmi. Këto janë dy veçantitë ma negative, të cilat i kemi në gjak dhe na dallojnë nga popujt e tjerë, para këtyne dridhemi na vetë, në nji kohë kur nuk e vrasim mendjen aspak për të gjetë nji mundësi shërimi.

Tipari i parë i veçantë i yni (individualizmi) ka të mirat e të këqijat e veta; por shqiptarëve si komb u ka sjellë shumë të këqija. Formimi i shtetit, në vështrimin modern, ndesh tek individualizmi i theksuem nji rezistencë të pakapërcyeshme. Si rrjedhim, prirjet anojnë shumë nga anarkizmi, Kamba e të huejit e pushtoi vendin tonë për pesëqind vjet, por nuk e rrafshoi individualizmin e shqiptarit. Kush nuk iu nënshtrue pushtuesit, muer malet e jetoi i lirë, si uku, tue vuejtë të zezat e ullinit. Ai që bashkëpunoi me pushtuesin, kërkoi me u ba pashë, vezir e sadriazem. Kemi qindra shembuj, por ndër ma të fundit Vaso Pashën, që ndërsa kjante hallin e Shqipnisë, ai vetë bante ligjin në Liban si guvernator i sulltanit.

Fruti i parë i individualizmit asht përçamja, mbi te çilën venë theksin të gjithë shkrimtarët tanë të vjetër. Shumëkush shkakun e përçamjes e kërkoi te nxitjet e hueja e te mendësitë e ndryshme fetare. Por, kush i përçante shqiptarët atëherë kur besojshin në të njajtën fe?

Realitetin duhet ta keqyrim në sy dhe mos t’ia vemë fajin kurrkuj përveç vedit. Shkaku i përçamjes së shqiptarëve asht intrinsecus dhe joextrinsecus. Sigurisht që intrigat e jashtme e gjejnë derën hapun për me prishë unitetin kombëtar, sikur ky të ekzistonte.

Falë individualizmit të theksuem, çdo shqiptar nuk e pranon kurrë mendimin e tjetrit, aq ma pak sundimin. Për ketë na mungon shumë zhvillimi i ndjenjave sociale e gadi edhe i aftesisë shtet-formuese. Në ketë vështrim, mund të thohet se gjindemi gjithnji në fazën e nji primitivizmi shoqnor dhe duhet ende nji punë programatike, edhe për shumë kohë, shoqnue me nji etapë edukimi durimgjatë, për të mujtë me lavrue nji kulturë të shëndoshë e të gjithanshmen në rininë e ardhshme shqiptare, si edhe me formue ndjenjën e sociabilitetit.

Politikanët shqiptarë kanë ngut për kolltukë… Luftat e rrepta e plot inate për të xanë kolltukun qeveritar, i cili ka aq shumë punë e përgjegjësi, formon historinë e popullit shqiptar, që ndërlikohet kot ndër aventura të mundimshme, të frytshme për ate vetë dhe atdheun.

Të shumtën e herës, njerëz të caktuem, që thirren “lider”, formojnë klane e grupime, që thirren “parti politike”, por që mund kenë edhe substrat fisnor a lokal. Veprimtaria e devotshme e antarit të klanit ndaj këtij lideri shpërblehet o me post qeveritar ose me nji shtjelm dikund atje mbrapa. Klanet e partive zakonisht veshin petkun e nji programi ambicioz, të frymëzuem nga ndonji ideal tërheqës. Por realizimi i premtimeve dhe efektet shoqnore, gjatë periudhës sundimtare, janë treguesi ma i mirë nëse ato ideale janë me të vërtetë demokratike apo vetëm shprehje demagogjike; me dy fjalë të popullit: “dhandrit i shifet puna e jo guna”.

Sikur, në këtë prizëm, t’i lëshojmë nji sy vendit tonë çep e më çep, nuk asht nevoja me të tregue kush se ku asht kufini shtetnor, sepse ai dallohet që në pamjen e parë. Kurrnji vend i Europës nuk asht si yni: këtu ndryshojnë malet e fushat, katundet e qytetet, rrugët e zyret, shkollat e fabrikat e, po ashtu, edhe politikanët shqiptarë për faj të të cilëve vendi ynë asht nishan i shkretnuem tash tetëdhetë e pesë vjet.

Tipar i dytë i randesishëm ndër veçantitë tona kombëtare asht barbarizmi, vandalizmi ose qejfi me shkatërrue, ndoshta plaga ma e randë e kombit. Kjo na ka lanë pothuej pa kurrnji monument kulture, pothuej pa kurrnji monument arti, pothuej pa kurrnji monument qytetnimi. Ky truell u ba shkrum e hi vetëm prej nesh. Kush mujti nga ky popull, iku zemërplasun tue lëshue mallkime.

Ditët e Marsit ’97 do t’mbeten ndër ditët ma të zezat e ma të turpshmet e historisë kombëtare të shqiptarëve, sepse u shkaktuen, u udhëhoqën e u realizuen prej vetë politikanëve shqiptarë, të cilët me cinizëm e paturpësi gërvallen tue i lypë “votën e lirë” popullit të mjerë e të terrorizuem.

Për zhdukjen ose së pakut, ngushtimin e kësaj plage duhet nji punë e gjatë edukative, jo vetëm ndër shkolla, por në familje, në shoqatat rinore e deri n’ushtri.

Share This Article
15 Comments
  • Edhe antikomunizmi juaj At Zefi ka qene shume i dyshimte, pasi nese do ishit aq antikomunist nuk do pranonit dekoraten e te birit te Spiro Moisiut i cili i masakroi klerin shqiptare, dyshoj shum se eshte e vertete ajo qe tha nje dite nje ish i burgosur politik, se vepra jote Rrno per me tregue, eshte sherbimi i fundit qe i keni kryer Sigurimit te Shtetit, aty keni edhe shum kunderthenie dhe te paverteta qe keni shkruar.

    • lumi,

      Pike se pari, a e ke lexuar librin e Ate Zef Pllumit, pastaj a mund te specifikosh se per cilat “genjeshtra” e akuzon?
      Meqe kam pasur fatin ta njoh personalisht e te shihja nga afer miresine, shpirtin e madh dhe zemren e gjere te tij dhe, patjeter, te verifikoj edhe nga burime dokumentesh familjare, arkivore e te njohurish te tjere vertetesine e fakteve per te cilat ai shkruan.
      Ka qene nje nder te paret qe eshte interesuar per te ndihmuar studentet shqiptare me bursa studimi me qellim qe te vazhdonin shkollat ne Itali.
      Sa per akuzat mbi dekorimin nga Moisiu ndoshta ben mire te kujtosh se ne zemren e ketyre martireve ka ekzistuar i forte koncepti i faljes, dicka qe ti e shume te tjere ndoshta akoma nuk e keni e nuk do te mund ta kuptoni kurre.
      Mos hidhni kot balte mbi figuren e ketij njeriu te mire se pastaj ajo balte do t’ju perplaset fort ne fytyre.

  • Nje foto ku duket nje marredhenie e papare hipokrizie, e te gjalleve ndaj te vdekurve, dhe e te vdekurve ndaj te gjalleve.
    O njerez, perpiquni te beheni te mire o njerez! Jeta eshte shume e shkurter per te qene te ligj me njeri-tjetrin! Pastroni shpirtrat nga urrejtja, zilia, cmira, hakmarrja, xhelozia, intriga, ligesia. Behuni te mire o njerez, kenaquni me ato qe keni dhe mos lakmoni gjene e tjetrit! (Po kujt i flet, thuaj…).

  • Pse deformoni realitetin.Votimet e para jan bere me 31 mars dhe jan fituar nga partia e punes,se nuk e ka pas ndrruar emrin ala.Emri eshte ndrruar ne kongresin e 10 te PPSH me 11 qershor 1991.Votimet e tjera nuk u bene brenda vitit po u bene me 22 mars te vitit 1992,dhe u fituan nga e djathta 68% e jo mbi 60 si rreni qellimshem.

  • ku jane ata qe fituan o mark…..sa kane ngele, edhe ata armiq te popullit si ne kohen e merhumit.shume fanatik je per ata qe e kane shkerdhyer shqiperine, kush mban pergjegjesi per 25 vjet tranzicion afrikan……….une dua drejtesi kush do qofte, pse se bejne

  • mir.Vertet kan ngelur pak.Vetem Berisha nga PD dhe Gramos Ruci ish sekretar i komitetit te PPSH per Tepelenen.Si dhe minister i mbrendeshem i PPSH.Te PS jan te gjith bijt e bijat e nipat e mbesat e ish bllokut,besoj nuk ke nevoj me ti thene me emer.

  • Te PD jane te gjithe spiunat e Sigurimit.Pse nuk I hapen dosjet nga1992-1998? I kishin te gjitha Presidentin ,Qeverine ,gjykatat ,ushtrine.Lerini budallalleqet .

  • Ato çfar ka shkruajtur At Zefi jane te verteta ose e thene ndryshe romani i tij “mjeket çuan shqiperine ne reaminacion” eshte e mese e vertete.Ky njeri mgjs i burgosur ka nje mendje te kthellet dha pa urrejtje,analiza e tij per popullin e tij eshte i njejte me paraardhesit e tij te ndritur: Faik Konica,Fan Noli e shume te tjere qe i kane bere shqiperise dhe shqipetareve radiografine dhe skopine duke nxjerre te gjitha semundjet qe ka prej shekujsh.
    Une do thosha se nje popull qe ndron fene nuk eshte i denje per te drejtuar,ata jane thjesht “tregtare” te shpirtit e tokes se tyre.Ndaj kjo zvaritje deri ne dhimbje e ka bere kete popull fukara kur ka te gjitha te mirat materiale brenda kufijve te tij. Noli thote jo pa qellim: Anes detit i palare,anes drites i pa nxene etj,etj. At Zef Pellumbi do mbahet mend per thenien Rroj per te treguar…u prehte ne paqe dhe vuajtejet e tij dhe e shume patrioteve tane te behen mesim per brezat “analfebet funksional”

  • Emni i At Zefit mbetet lapidar i shqiptarizmes. Kushdo qe mendon ndryshe besoj e ka krejt gabim. nderim per franceskanin e madh! I ndritt shpirti ne parajse!

  • Pamja e fytyres, thone, tregon edhe shpirtin e njeriut.
    Nuk e di se sa shkon kjo me Zef Pellumbin. Nuk e di nese ky eshte emri i tij i sakte.
    Por kam nje pyetje?
    Perse eshte denuar ky zoteria, dhe a ka patur nje gjykim publik te tij?
    Kush e di te na ndriçoje.
    Mos harxhoni kohen me theniet ” e denoi diktatura etj, etj “

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *