Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Dhe loja parlamentare vazhdon e vazhdon pa u sosur kurrë. Ndoqa debatin e kompromisit “historik”. Pas shumë orë pagjumësie e sakrificash e në vigjilje festash, babagjyshët e kombit votuan “historinë”. Po ku konsiston kjo marrëveshje? Dekriminalizimi është një farsë bajate që tashmë i ka dalë boja. Cili deputet në këto 25 vjet është dekriminalizuar?! Cili prokuror a gjykatës do të guxonte? Utopi. Vërtet në Amerikë komisionet hetimore parlamentare janë efektive, por e njohim “suksesin” e tyre në Shqipëri. Mos votimi i ligjeve me shumicë absolute pa aprovimin e pakicës, pak kujt i duket i besueshëm, aq më tepër kur në krye të pakicës është një plak delirant e në panik nga ajo që e pret. Ky njeri nuk ka asnjë lidhje me aspiratën e të ardhmen tonë europiane. Mjerë opozita në cilat duar ka rënë. Së fundmi, për t’i vënë kapak asaj çorbe-marrëveshje, votuan me vota unanime për lloj pagesash e dietash, natyrisht për vete, në këtë fundvit festiv. Sidoqoftë më duket rastësi e bukur që kjo marrëveshje u arrit pikërisht kur po mbaronin mandatet babagjyshnore dhe kur u duheshin lekë për të paguar “energjinë”. Natyrisht që edhe BE-ja duhet të ketë gisht në këtë rastësi “fatlume”. Përshëndes DITËN! Profeti
