Gjendja në hekurudhën shqiptare është mjaft dëshpëruese. Drejtori i saj i sapoardhur në detyrë, Genc Alizoti, e quan gjendje katastrofike. Shifrat flasin për një situatë kolapsi total. Borxhet e trashëguara kanë arritur në shifrën e 4,5 milionë dollarëve. Dhe duke u nisur nga fuqia paguese, janë bërë herë pas here shkurtime drastike të numrit të punonjësve. Nga rreth 12 mijë punonjës që ka pasur më parë, numri i paradokohshëm ishte katandisur në rreth 1284 vetë. Sot, pas shkurtimeve të fundit, ky numër shkon në 1180 punëtorë. Priten edhe rreth 150 shkurtime të tjera.
Ndërkohë që e gjithë infrastruktura ka pasur vjedhje të mëdha, të cilat vazhdojnë akoma si në aksesorët hekurudhorë etj. Duke rrezikuar edhe trenat në linja. Rreth 80 për qind e infrastrukturës është e amortizuar tërësisht, duke përfshirë lokomotiva dhe vagonë. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Qendrore të Hekurudhës Shqiptare, Genc Alizoti, bën me dije për këtë situatë të rënduar. Ai vë në dukje situatën e keqmenaxhuar në vite, vjedhjet e ndryshme që janë bërë, por edhe për shkak të drejtuesve dhe njerëzve që janë marrë me hekurudhën. Alizoti thotë se që në momentet e para që ka marrë detyrën, është munduar që të marrë në dorë situatën e rëndë ku ndodhet ky sektor jetik i ekonomisë, por me keqardhje është i detyruar që ta thotë se situata është mjaft alarmante.
Ai thotë se infrastruktura është 70-80 % e shkatërruar, ndërsa makineritë dhe lokomotivat e vagonët janë të tejkaluar nga normat teknike të amortizimit, kurse mënyra e funksionimit të hekurudhës lë shumë për të dëshiruar. “Për të zgjidhur disi situatën aktuale, është duke u marrë mjaft seriozisht puna, duke u kërkuar rrugë të reja menaxhimi nëpërmjet gjetjes së tregut për të bërë transport nëpërmjet hekurudhës”, thotë Alizoti. Në këto momente, sipas informacionit të dhënë, hekurudha është në fazën e reformës, ku pritet që të kryhen rreth 150 shkurtime.
Shkurtimet kanë të bëjnë thjeshtë me problemin ekonomik të hekurudhës dhe jo me atë politik, pasi borxhet janë të mëdha. Ato përfshijnë borxhe në karburante, borxhe policive private, borxhe kohëqendrimi trenash të huaj në vend, si dhe borxhe të lëna për vite e vite më parë në harresë. Ndërkohë që po vazhdojnë vjedhjet në shumë zona të hekurudhës edhe aktualisht, duke iu referuar deklaratës së Alizotit, ndodhin në të gjitha linjat e vendit, pavarësisht nga bashkëpunimi i mirë me të gjitha policitë që ekzistojnë në rrethe.

“Përsëri, vjedhjet vazhdojnë duke krijuar probleme, pasi vidhen aksesorë të ndryshëm që krijojnë jo vetëm vështirësi financiare, por edhe krijojnë premise aksidentesh me pasoja tragjike për mjetet hekurudhore dhe njerëzit”, sqaron Alizoti. Kohët e fundit, me mbështetjen e Ministrisë së Transporteve, po shikohen projektet me donatorë të huaj për të ristrukturuar dhe riaktivizuar linjën Tiranë-Durrës-Rinas, si dhe për të rikthyer hekurudhën në funksionet e saja normale.
