Mjerimi i protestës në Kosovë

redaktor

Në Gjakovë protestuan kundër një deklarate të Ministrit serb në Qeverinë Thaçi – Mustafa. PDK – LDK. Dy parti më të mëdha shqiptare në Kosovë, që utilitarizmi i sëmurë i hodhi në një shtrat, edhe pse urreheshin në mes vete më shumë se sa mund të durohej. Ajo protestë nuk flet për një shoqëri të vetëdijesuar, por për një shoqëri të traumatizuar. Ndjeshmëria është shumë e madhe pse ka sharë një politikan serb.

Misogjinia dhe diskriminimi i grave, përbuzja dhe ofendimi i tyre, mësohet në shkollat e Kosovës. Edhe atë me përralla në “Librin e Leximit” për klasën e katërt të fillores, faqe 170-172. Paragrafin e mëposhtëm solli një zonjë në “fb” tek grupi “Feminizmi Shqiptar” themeluar për emancipim nga Shqiptar Oseku. Ja çfarë thuhet në atë përrallë, që duhet të jetë rrëfyer në shoqëritë patriarkale primitive misogjiniste për të përligjur diskriminimin gjinor:

“Një ditë Mbreti qiti e tha:

– Kur të ma bini fjalën se më ka lindur djalë, do të zbraz njëqind e një topa, e nëse më sillni lajmin se më ka lindur vajzë, unë do ta pres vajzën me gjithë të ëmën”.

Merreni me mend se çfarë mendojnë për gjininë e vet vogëlushet 10 apo 11 vjeçare. Merrni me mend se çfarë mendojnë djemtë e asaj moshe për gjininë e vet, fatin dhe si u ndërfutet në nëndijen e tyre gjinia femërore penale. Në fund të përrallës vajza ndryshon gjininë kriminale. Merreni me mend se si ndikon kjo tek ato goca të asaj moshe. Kundër këtyre librave mesjetarë, nuk proteston askush. Qeveria e Kosovës ka edhe Ministër për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Ky Ministër i Arsimit është edhe Ministër i plagjiatorëve nëpër fakultete dhe kujdeset për mos shqetësimin e tyre. Ky Ministër i Arsimit nuk din se ku prodhohen keqtrajtuesit e grave nesër. Kosova ka edhe Ministër të Kulturës, që në faqet e Kryeministrisë shkruhet: Kujtim Shala ministër me të vogël, ndërsa i Kulturës, me të madhe.

Diku mbi 50 për qind e burrave në Kosovë rrahin gratë dhe nuk del askush në protestë për të kundërshtuar trajtimin policor në shtëpi, por ndjehen aq sedër-hollë, pse një serb shprehet me pak respekt për ato; për ato gra që ata vetë përbuzin gati çdo ditë, që ofendojnë çdo ditë. Nuk është pra në pyetje dinjiteti i cenuar i gruas shqiptare – dinjiteti saj cenohet çdo ditë nga burrat shqiptarë- por pse e bëri një serb, pikërisht ashtu siç e bëjnë edhe vetë, kjo prek ndërgjegjen dhe sedrën tonë.

Mllefin nuk e shprehin kundër politikanëve milionerë, kundër hajnave shqiptarë, që po ua rrëmbejnë të tashmen dhe të ardhmen, por dalin në rrugë kundër një deklarate nacionaliste. Kjo flet për dalldi kolektive. Për dezorientim tërësor të shoqërisë. Për pengesat, handikapin në të gjykuar. Nuk doli askush në rrugë të protestojë kundër Vuçiqit që u soll aty si në shtëpi të vetën; që provokoi me deklarata, që u dëshmoi praktikisht serbëve dhe shqiptarëve se Kosova nuk ka sovranitet.

Nuk doli në rrugë askush kur ndërmarrjet kryesore u shitën me çmime të ulëta. Nuk del askush në rrugë pse Kosova nuk ka ushtri dhe pse Kosova nuk do t’ ishte në gjendje ta ushqejë ushtrinë e vet. Disa patriotë kosovarë vjedhin apo kanë vjedhur më shumë shtetin e Kosovës, se sa patën vjedhur dje komunistët shqiptarë shtetin e Jugosllavisë.

Në Kosovë nuk dalin në protesta kundër profesorëve që flasin e shkruajnë si çobanët e Sharrit. Kosova nuk del në protesta për të kërkuar aparatura të nevojshme nëpër spitale. Nuk del kush kundër gjykatave të korruptuara, nuk del në protesta kundër prokurorëve, që nuk kryejnë detyrën e tyre, por janë në shërbim të elitës pirate. Kosova nuk del në protestë kundër krimit të vet.

Jabllanoviqi nuk është imponuar si Ministër, por e kanë zgjedhur politikanët shqiptarë. Revolta kundër Ministrit serb, është kryengritje nga komplekset, nga hakmarrja, nga pamundësia për ta kuptuar gjendjen vetjake. Nuk është me rëndësi se politikani shqiptar i Kosovës gënjen dhe mashtron çdo ditë, por qenka tragjike nëse një serb ofendon. Thua se ka ofendim më të madh se sa sovraniteti serb në veri, se sa flamuri i Serbisë, që valon nëpër enklavat serbe apo sjellja e Vuçiqit.

Kosova po sillet si një vajzë tekanjoze në pubertet. Ajo lejon t’ i bëjnë çdo gjë, por jo ta definojnë si e përdalë. Kosova nuk proteston kundër shtetit privat. Nuk proteston kundër administratës fisnore. Nuk proteston kundër shndërrimit të bajraktarëve të partive në zë-zmadhues të klerit vahabist, që edhe në deklarata më të parëndësishme, nuk lënë pa futur një fjali për religjionin për t’ u dërguar mesazhe se kanë parasysh projektet e tyre. Kosova nuk proteston se ka lejuar të rekrutohen aq shumë të rinj, që sot vrasin myslimanë të devotshëm arabë apo që kanë shkuar për t’ u vrarë për bindje politike.

Kosova nuk ngrihet në protesta kundër Hashim Thaçit, i cili konstaton se radikalët fetarë po përpiqen të prishin miqësinë me SHBA, dmth. po përpiqen ta kthejnë Serbinë brenda. Kjo është e qartë, sepse nëse prishen marrëdhëniet me SHBA-të, ata largohen nga Kosova dhe kthehet Serbia. Alternativë tjetër praktikisht nuk mund të ketë e as nuk do të ketë. Nëse ata naivisht besojnë se sjellin Turqinë brenda, duhet ta dinë se Turqia mund të futet në Kosovë, vetëm pasi ta ketë pushtuar Rusinë. Këtë nuk e beson askush. As Erdogani. As Putini. Askush nuk u ngrit në protesta kundër Hashim Thaçit për tolerimin e radikalizmit dhe indoktrinimin e të rinjve. Por Hashim Thaçi na shfaqet në Paris si “je suis Charlie.”

Po a duhet t’ i falet Jabllanoviqit? Njeriut mund dhe duhet t’ i falet gabimi në mendim e gjykim nëse me atë çështje nuk duhet të merret gjykata. Duhet t’ i falet gabimi nëse ai ka kuptuar gabimin, por jo kur ai mendon se ka vepruar drejt, ashtu siç pret prej tij qeveria nacionaliste serbe në Beograd. Njeriut mund t’ i falet gabimi vetëm kur kërkon ndjesë.

Kosova çdo ditë po zbrazet, mu ashtu si në vitin 99 dhe askush nuk del në protesta. Shtetet perëndimore vazhdimisht marrin ekspertë nga jashtë, Kosova vazhdimisht humb ata pak intelektualë që ka. Të gjithë ata që kanë menduar se ai që din të luftojë, din të ndërtojë edhe shtet, tani kanë kuptuar se janë dy fusha krejtësisht të ndryshme. Për të luftuar nevojitet guxim dhe ideal. Për të ndërtuar shtet duhet dije, ideal dhe kontrollim. Mund të merret se në çdo popull ka më shumë guximtarë se sa dijetarë, por kur dijetarët zëvendësohen me guximtarët, atëherë aty ka shtet privat fisnor, ose anarki. Ata ndoshta edhe dëshirojnë shumë të bëjnë, por nuk mund të akuzohen pse nuk dinë. Nuk mund dhe nuk duhet sharë një njeri, pse nuk flet gjuhën kineze. Ndoshta i pëlqen, por nuk ka mundësi mendore. E as nuk duhet sharë pse dikush nuk din të ndërtojnë shtet ligjor, por ka vetëm dëshirë.

Kosova ka edhe Ministër të Ekonomisë, që nuk krijon asnjë vend të punës. Ka edhe Ministër të Drejtësisë, që duron të gjitha padrejtësitë e mundshme. Ka edhe Ministër të Financave, që nuk do të jetë në gjendje të ruajë buxhetin e shtetit. Ka edhe Ministër të Zhvillimit Ekonomik, që nuk do të dijë ta zhvillojë ekonominë. Ka edhe Ministër të Integrimeve Europiane, që beson se në këtë gjendje mund të aderojë në BE. Për serbët, jo për shqiptarët, ka edhe Ministri për Kthim. Çudia më e madhe është se ka edhe Ministër i Punës, ku gati 80 për qind janë të papunë, por ky Ministër, është edhe Ministër i Mirëqenies Sociale, merreni me mend ju këtë kompetencë në Kosovë. Pastaj ka edhe Ministër pa portofol, që nuk i duhen askujt, pos ambicieve të tyre. Ka edhe Ministër të Shëndetësisë, gjersa pacientët paguajnë në të zezë, ose mjekohen jashtë vendit. Ministri i Punëve të Brendshme nuk sheh shpërdorimin e detyrës, nuk njeh plagjiatorë, nuk njeh radikalë, nuk njeh korrupsion, por është Ministër i Punëve të Brendshme. Edhe pa një ministri të tillë, gjendja do t’ ishte mu ashtu si është sot.

Dhe kemi edhe Kryeministrin, që nuk mund të bëjë gjë qoftë i penguar nga Thaçi, qoftë nga Beogradi, kurse Hashim Thaçi nuk i tregon se si krijohen 200.000 vende të punës. Kemi Kryeministër që ankohet në facebook se televizioni publik, epror i së cilës është ky, është televizion partiak. Në vend se ta zëvendësojë drejtorin, Kryeministri çaraveshet në fb.

Askush në Kosovë nuk ka fuqi për ta ngritur popullin në këmbë kundër shtetit fisnor kleptokrat, por ngrihen të ofenduar për një mendim, duke shpërfillur faktin se politikanët e vet nuk bëjnë asgjë më mirë në krijimin e kushteve për t’ u arratisur, se sa bënte politika serbe. Shqipëria ka një shpresë akoma tek Edi Rama, në Kosovë për fat të keq janë konsumuar të gjithë despotët partiakë dhe riciklimi i tyre mund të bëhet vetëm për t’ua kënaqur egon e tyre, por jo se do të jenë në gjendje për të bërë diçka të mirë për popullin.

Meritat nuk mund t’ u minimizohen askujt, por as dëmet nuk duhet t’ i harrohen askujt. Për meritat le të shpërblehen, për dëmet le të japin përgjegjësi para gjykatave kosovare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *