Task-Forca i bën thirrje Policisë së Shtetit për bllokimin e automjetit dhe arrestimin në kushtet e flagrancës të punonjësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me inicialet I.Z.
Përmes një deklarate për mediat, Tasf-Forca thotë se “ky person, në kundërshtim flagrant me VKM 473, si dhe me urdhërat e Task-Forcës, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka përdorur në mënyrë të paligjshme automjetin e antikontrabandës me targë AA 214 LY, për arsye elektorale”.
Task-Forca kërkon gjithashtu që të procedohet edhe me personat përgjegjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për fshehje të fakteve dhe bashkëpunim në këtë aktivitet të paligjshëm.
Task-Forca paralajmëron punonjësit e administratës shtetërore se do të përballen me sanksionet që parashikon ligji në rast se konstatohet përfshirja e tyre në procesin zgjedhor.
