I ngjason thuajse bankomatit dhe prej andej mund të nxjerrësh brenda pak sekondash certifikatën e lindjes.
Makina që shihni në foto është inauguruar dje në Gjilan të Kosovës dhe veçanësia e saj ka shkaktuar jo pak reagim në rrjet.
“Sot Gjilani shënon hapin e pestë të modernizimit të administratës së saj të shërbimeve civile. “E-kioskat” janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj që dëshirojnë të kenë shërbime 24 orë. Falë këtij aplikimit edhe të këtij shërbimi, qytetarët nuk kanë nevojë as të presion e as të kontaktojnë sportelet tona.
Ky është test-program dhe do të zgjerohet në të të gjitha lagjet dhe fshatrat e mëdha të komunës së Gjilanit, në mënyrë që secili t’i ketë shërbimet sa më afër”, ka deklaruar kryetari i Komunës Lutfi Haziri, pasi e mori certifikatën.
Ai tha se në Gjilan do të vendosen dhe dy kioska informative për nevojat e qytetarëve, sikurse edhe një kioska që do të jetë një formë e kartelës shëndetësore që pacienti të lidhet me mjekun drejtpërdrejt.
“Janë programe që po i avancojmë e po i realizojmë me shumë sukses dhe besojmë shumë që Gjilani edhe këtë vit do të shënoj hartën e suksesit dhe efikasitetit të realizimit të programeve në shërbim më të mirë ndaj qytetarëve”, ka shtuar Haziri. /Dita/
