Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë sqaron ndryshimet dhe risitë që sjell ligji i ri për personat me aftësi të kufizuara. Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, MMSR e gjen me vend sqarimin e opinionit dhe personave direkt të interesuar lidhur me ligjin e ri,.
Sipas saj, ky ligj është një domosdoshmëri për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin e barabartë të të drejtave të të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e nënshkruar nga qeveria shqiptare në vitin 2012 dhe e ratifikuar nga Parlamenti.
Projektligji:
1. Ruan të paprekura të gjitha të drejtat e arritura deri më tani për personat me aftësi të kufizuara.
2. Jep një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.
3. Orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim përafrimin e legjislacionit të brendshëm me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
4. Përcakton konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), si standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
5. Ngre Këshillin Kombëtar për të diskutuar hapur mbrojtjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ku do të jenë anëtarë edhe 5 persona me aftësi të kufizuara/përfaqësues organizatash, si strukturë e ngjashme në legjislacionet e tjera si ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve” dhe ligji “Për barazinë gjinore”. Kriteret e përfaqësimit në këtë Këshill do të përcaktohen me akt nënligjor.
Projektligji është hartuar me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës.