Raporti i INSTAT tregon për ulje të prodhimit të mobiljeve deri në masën 12 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas raportit të “Statistikave Afatshkurtra” botuar nga INSTAT, prodhimi i mobiljeve ka rënë rreth 12 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ajo që vihet re, është fakti se sektori po shënon rënie përgjatë gjithë katër viteve fundit, me përjashtim të 2-3 tremujorëve. Më i ndjeshëm ky fenomen është tek mobileritë e vogla. Një tjetër minus shumë i madh për industrinë edhe rënia e investimeve publike në shkolla, spitale apo godina të tjera institucionesh publike. Tenderat për mobilimin e institucioneve shtetërore përbënin një peshë të rëndësishme në këtë sektor duke ndihmuar kompanitë të kishin një aktivitet në rritje dhe të qëndrueshëm. Edhe ky vit, pritet të mbyllet me shifra negative sipas operatorëve, pasi kriza është thelluar edhe më tej duke ulur ndjeshëm konsumin sidomos të artikujve që kushtojnë dhe kërkojnë investime më të mëdha.