Tregu farmaceutik në vend është përfshirë nga kaosi i vjedhjeve. Pas argjendarive, hajdutët i kanë vënë sytë drejt farmacive të cilat shihen si një minierë ari për ta. Të dhënat e deklaruara nga Urdhri i Farmacistëve dëshmojnë se në harkun kohor të një viti janë grabitur rreth 17 farmaci, pjesa dërrmuese e tyre në kryeqytet. Rreziku qëndron në faktin se pas vjedhjes këto barna, deri në momentin e shitjes, ruhen në kushte të papërshtatshme, e si rrjedhojë e këtyre kushteve barnat mund të bëhen të pavlefshme për t’u përdorur tek njerëzit, pasi humbasin efektin e tyre.
Sipas Urdhrit të Farmacistëve, ajo që të bie në sy është se në shumë raste grabitësit kanë marrë ilaçet më të shtrenjta, duke lënë dyshime, se e njohin mirë fushën e farmaceutikës. Duke vënë në dukje këtë fakt shqetësues, kreu i këtij Urdhri, Arjan Jaupllari, thotë se të gjitha rastet janë denoncuar nga vetë farmacistët në organet e policisë, por deri sot nuk rezulton të jetë zbuluar asnjë rast i “Kusarisë” ndaj farmacive.
Po përse vidhen farmacitë, për para apo për barna?
Kësaj pyetje Jaupllari i përgjigjet duke thënë se sigurisht qëllimi i hajdutëve është paraja, por më shumë malli që shitet për të fituar paratë. Fenomen i cili mund t’i kushtojë shumë rëndë shëndetit të shqiptarëve. Problemi qëndron në faktin se barnat nuk janë thjesht një mall i zakonshëm që shiten si ushqimet, frutat apo perimet. Barnat mbartin një rrezik të madh për popullatën kur janë në dorën e joprofesionistëve dhe aq më keq pastaj në dorën e hajdutëve.
“Tre janë rrugët e shitjes së paligjshme të këtyre barnave: importuesit ose shpërndarësit e barnave, farmacitë dhe populli. Rreziku qëndron në faktin se pas vjedhjes e deri sa të shitenm nuk respektohet asnjë kusht i ruajtjes së barnave, në këtë mënyrë ky kontingjent medikamentesh është i pasigurt për t’u përdorur. Nëse hajdutët e gjejnë tregun e shitjes në depo dhe farmaci, ky fenomen do të shtohet me përmasa të frikshme dhe tregu i barnave jo të sigurta do të jetë një problem shqetësues. Në rastin kur barnat do të shiten nga këta kusarë direkt në popull duke spekuluar me çmimin e ulët, rreziku është shumë më i madh dhe veprimi është me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e popullatës”, deklaron Jaupllari.
Sipas tij, në të gjitha rastet e destinacionit të këtij tregu famëkeq, ai që e paguan më shumë, është populli, të cilit i rrezikohet jeta dhe shëndeti, si dhe farmacistët të cilët janë të destinuar që të falimentojnë shumë shpejt, sepse “gjendja e farmacive është shumë më e varfëruar për shkak të konkurrencës së pandershme që ka ardhur si pasojë e shkatërrimit të plotë të kritereve teknike dhe zhvlerësimit të profesionit”.
Për këtë u është kërkuar organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë në parandalimin e këtij fenomeni. Jaupllari u bën thirrje organeve të rendit të vlerësojnë këtë fenomen jo thjesht si një vjedhje e ndodhur rëndom, por si një krim me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të tyre. “Gjithashtu u bëjmë thirrje importuesve, shpërndarësve dhe farmacistëve t’i thonë “Stop” blerjes së barnave nga kusarët e farmacive, sepse pikërisht ata do të jenë nesër viktimat e radhës së këtij fenomeni. Edhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë larg të gjithë atyre që ju ofrohen barna jashtë ambienteve të farmacive, nga persona jo profesionistë kundrejt çmimeve më të reduktuara”.
Frika nga përdoruesit e drogave
Frika dhe presionet që ushtrojnë personat e dehur dhe narkomanët detyrojnë shumë nga farmacitë që të bëjnë mbylljet herët gjatë orëve të mbrëmjes. Ky fenomen më shqetësues raportohet të jetë në zonat periferike të vendit. Jaupllari konfirmoi dje se shumë nga personat që janë përdorues të drogave, persona të dehur etj, ushtrojnë presion ndaj farmacistëve për të marrë disa lloj qetësuesish të fortë, si valiumët apo dhe ilaçe të familjes së opiumeve. Ky fenomen është më masiv gjatë orëve të vona të mbrëmjes, e veçanërisht në ditët e fundjavës. Kjo i ka detyruar drejtuesit e disa farmacive që punojnë kryesisht në zona periferike, të mbyllin subjektet e tyre më herët se oraret e parashikuara.
