Modeli holandez, në krizë

anazapta

Borxhe, papunësi dhe rritja e ulët ekonomike kanë mbërritur në një nga vendet kryesore që promovoi masat e kusimit. Shkaku: një flluskë në sistemin e pasurive të paluajtshme dhe politikat fiskale. Sipas konsulentëve të ministrisë së Ekonomisë, GDP-ja e Holandës në fund të 2013-s do të bjerë me 0.5%

Holanda bashkë me Gjermaninë, gjatë këtyre viteve të krizës, ka predikuar politikat ekonomike të reduktimit të shpenzimeve publike nëpërmjet shkurtimeve. Megjithatë, gjendja e llogarive të saj publike nuk është edhe aq e mirë dhe motivi kryesor është një “flluskë” e madhe në fushën e pasurive të patundshme, e stimuluar pjesërisht  prej politikave tatimore të qeverive në këtë vend.

Ekonomia holandeze është konsideruar gjithnjë e sigurt nga tregjet financiare, por gjatë vitit të fundit kriza e rëndë ekonomike është ndërthurur me një po aq të rëndë politike (e cila u zgjidh vetëm në fund të 2012-s me formimin e një qeverie koalicioni).

Duke filluar nga vitet ’90, bankat holandeze kanë dhënë kredi me bujari: nëse drejtoheshe në një institut kredie, ky shpesh tregohej i gatshëm të të jepte më shumë para se minimumi i kërkuar, njëkohësisht interesat mund të zbriteshin plotësisht nga deklarimet e taksave. Për pasojë, shumë holandezë blinin prona pa u shqetësuar shumë për interesat e huave, me mendimin se do t’i rifitonin të ardhurat brenda një viti duke i shitur pronat me një çmim më të lartë. Pjesë të huasë së marrë nga banka investoheshin në diçka tjetër.

Mekanizmi funksionoi deri në momentin kur tregu i pasurive të paluajtshme vazhdoi të rritej, por për ata që kishin blerë shtëpi për t’i rishitur më shtrenjtë u krijua një boshllëk:  kur vlera e pronave rritet aq shumë brenda një kohe të shkurtër, askush nuk mund t’i lejojë vetes blerje të tilla. Në Holandë, fluska plasi: vlera e shtëpive ra menjëherë dhe planet e investimit të holandezëve të bazuara në rritjen e çmimeve dhe rishitjen e pronave, ranë bashkë me të. Bankat kanë dhënë financime për vite me radhë pa i peshuar mirë risqet e mosshlyerjes nga ana e debitorëve, të cilëve as nuk u kërkohej të linin si garanci të tjera lloje pasurish.

Holanda përfaqëson ende sot një rast unikal në Evropë: vlera totale e pasurive të patundshme kaloi në pak vite nga 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në më shumë se 110%, niveli më i lartë në mbarë Kontinentin e vjetër.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Banka Qendrore Holandeze ka paralajmëruar rreziqet e sistemit të kreditimit, duke u përpjekur të reduktonte entuziasmin e investitorëve. Por këto paralajmërime u morën në konsideratë vetëm gjatë muajve të fundit, në veçanti nga qeveia e re, që aprovoi disa masa për të reduktuar mekanizmin e rënies fiskale. Problemi kryesor ka të bëjë mbi të gjitha me bankat, që me 650 miliardë euro që është totali i borxhit ndaj kredive hipotekare, ai arrin nivelin më të lartë të eurozonës. Mosshlyerja e kredive nga ana e qytetarëve që nuk mund t’i shesin pronat veçse me çmime të ulëta për shkak të zhvlerësimit të tregut imobiliar, ka pasoja mbi likuiditetin në dispozicion të bankave, që praktikisht nuk iu japin më para sipërmarrjeve, duke krijuar dëme në të ashtuquajturën ekonomi reale.

Kriza ka sjellë një shtim të shpejtë të papunësisë (që sot ka arritur në rreth 7.7%) konsumet janë pakësuar, ndërsa rritja ka ndaluar: pavarësisht 46 miliardë eurove të kursyera nga masat shtrënguese, këtë vit niveli i deficitit në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, do të tejkalojë kufirin prej 3% të vendosur nga BE dhe vlerësohet që do të arrijë në 3.6%. Ministri i Financave i Partisë Laburiste holandeze, Jeroen Dijsselbloem, ka lajmëruar për shkurtime të reja në sektorin publik dhe në shëndetësi, të cilat arrijnë në 4.3 miliardë euro e që do të hynë në fuqi në vitin 2014.

Sipas konsulentëve të ministrisë së Ekonomisë, GDP-ja e Holandës në fund të 2013-s do të bjerë me 0.5%. Vetëm në muajin shkurt 755 kompani deklaruan falimentimin dhe bëhet fjalë për numrin më të lartë që nga viti 1981. / D.Gjuzi

Share This Article
2 Comments
  • Qeveria Holandeze te mos humbasi kohe, por ti kerkoje ndihme per konsulence Zotnise se Tij Sali Birisha. Ky nxorri ne vend te dyte Shqiperine per rritjen e llahtareshme te ekonomise, pas Gjermanise, nuk e ka problem ekonomine hollandeze, i duket sikur do te pije nje kafe apo do te haje nje akullore me Kaush, perndryshe Hollanda do te perjetoje krizen me te thelle qe me instalimin e kapitalizmit, ne kete vend.

  • Mendoj se Holanda ndoqi rrugen e gabuar duke u pajtuar me modelin gjerman. Holandezet si duket i kapi paniku dhe kerkuan partneritet me nje vend qe reflektonte siguri sic eshte Gjermania. Edhe rasti i Holandes tregoi sa psikologjoke eshte kjo loja e ekonomise. Nese vendet e tjera u zhyten drejt humneres prej humbjes se besimit nga institucionet nderkombetare, Holanda humbi besimin ne vetvete! Po te njejtet mbeten keta holandezet si ne futboll edhe ne ekonomi, luajn vertet bukur por ne fund gjithmone humbasin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *