Xhani De Biazi ka hequr dorë (me siguri vetëm përkohësisht) nga projekti i tij për të ardhmen kuqezi, të cilin e ka proklamuar në çdo konferencë shtypi që nga shtatori i vitit të kaluar. Trajneri i Shqipërisë ka lënë jashtë kombëtares Armando Sadikun, i cili, sipas fjalëve të vetë italianit, konsiderohej “e ardhmja e sulmit të Shqipërisë, së bashku me Edgar Çanin. I pyetur në fillim të sezonit për lënien e Edmond Kapllanit jashtë skuadre, De Biazi ka shpjeguar se ai ka zgjedhur përvojën (me Bogdanin e Salihin) dhe të ardhmen, me Çanin e Sadikun, dy sulmuesit që i pati titullarë në ndeshjen e parë, kundër Qipros. Dje trajneri kuqezi ka plotësuar listën e skuadrës për ndeshjen kundër Norvegjisë dhe aty mungon Sadiku, në vend të të cilit është thirrur Azdren Llullaku i Gaz Metanit të Rumanisë. Kjo është surpriza e vetme e listës së italianit, pasi gjithë të tjerët priteshin të ishin të pranishëm, ndonëse nuk dihet ende nëse do të jenë të gjithë të gatshëm për të luajtur në takime zyrtare, për shkak se kanë luajtur me kombëtaret e moshave të vendeve të tjera më parë. Pasi ka marrë lajmin për mospërfshirjen në skuadër, Sadiku e ka përshëndetur De Biazin me dy gola të tjerë në ligën e dytë zvicerane, ku luan me Luganon, duke e çuar në 18 shifrën për këtë kampionat. Sigurisht që Llullaku është një vlerë e shtuar në kombëtare dhe dera është e hapur, megjithatë Sadiku është një nga ata lojtarë që i përmbush plotësisht kriteret e aktivizimit dhe formës, të cilët janë të rëndësishëm për De Biazin. Kush mendon se liga e dytë e Zvicrës nuk mund të krahasohet me ligën e parë të Rumanisë ka plotësisht të drejtë, veçse kjo nuk mund të vlejë kurrsesi si justifikim për De Biazin, pasi nuk e ka pasur parasysh një kriter të tillë më parë, kur ka lënë jashtë Kapllanin.
Kombëtarja për ndeshjen me Norvegjinë
Ujkani (Kievo)
E. Berisha (Kalmar)
Shehi (Skënderbeu)
Teli (Karabak)
Curri (Gençlebirligi)
Mavraj (Greuther Furth)
Arapi (Skënderbeu)
Osmani (Teuta)
Dallku (Vorskla)
Hysaj (Empoli)
I. Berisha (Orebro)
Abrashi (Grasshopers)
Gjasula (Duisburg)
M. Basha (Torino)
Agolli (Qarabakh)
Bulku (Sepahan)
Lilaj (Skënderbeu)
Kaçe (PAOK)
Rama (Valladolid)
Vila (Janina)
V. Basha (Sion)
Llullaku (Gaz Metan)
Bogdani (Siena)
Çani (Katania)
Vajushi (Liteks)
Salihi (Jiangsu)

Nuk eshte problem se Sadiku nuk eshte ftuar ne nje ndeshje. Do te kete rast here tjeter. E rendesishme eshte qe te mos “indinjohet” nga keto shkrimet tuaja…..dhe te leshoje ndonje procke qe mund ti djegi shancet per te ardhmen. Forca Shqiperia!!! Fitore!
BERISHA
LILA-TELI-MAVRAJ-HYSAJ
ABRASHI-KACE-BASHA
GJASULA
CANI-SALIHI