Reali në ankth për sfidën e Championsit me Atletikon, vendimtare për sezonin e Los Blancos. Fitorja me Malagan ka mbushur infermierinë në Madrid. Në pritje për të mësuar fatin e Gareth Bale erdhi përgjigja zyrtare për dëmtimin e Luka Modriç.
Kroati ka dëmtuar ligamentet e gjurit të djathtë. Reali nuk bëri të ditur se sa kohë do të qëndrojë jashtë fushe, por mediat spanjolle e japin të sigurt se Modriç i duhet të qëndrojë nga 4 deri në 6 javë jashtë aksionit.
Praktikisht sezoni i tij ka përfunduar, shpresa e vetme për ta parë sërish këtë sezon është nëse Reali arrin finalen e 6 qershorit në Champions League.
Përsa i përket Gareth Bale, ekzaminimet mjekësore do të kryhen këtë të hënë. Uellsiani u dëmtua pas vetëm 3 minutash ndaj Malagas dhe u kap nga kamerat ndërsa prekte me dhimbje pulpën e majtë. Duket e pamundur që Bale të luajë të mërkurën në derbin me Atletikon.
E sigurt është që Modriç nuk do të jetë dhe ky është padyshim një lajm shumë i keq për Ancelotin të cilit ju desh të bënte pa Modriç për 4 muaj kur kroati u dëmtua në Nëntor me kombëtaren e tij.
Madridi e vuajti mungesën e tij pasi nuk ka një zëvendësues të vërtetë për Modriç. Diskutimi qëndron ndryshe për Bale që është kritikuar shumë në javët e fundit, sidomos kur mbeti për 9 ndeshje pa shënuar.
Pa Bale Anceloti mund të kalojë te moduli 4-4-2 ose ti japë hapësire Jesses, ndërkohë që vlen të kujtohet se për ndeshjen e së mërkurës tekniku italian i duhet të bëjë dhe pa Marcelon që është i skualifikuar për shkak të kartonëve të grumbulluar.
