Moikom Zeqo bisedë me Vangjush Zikon mbi poezinë

Ornela

Poezia lirike nënkupton specifikën e mendimit poetik dhe mënyrën e shprehjes, mishërimit të ndërgjegjes së poetit.

Poeti është njëkohësisht objekt dhe subjekt i pasqyrimit në formë bisede të drejtpërdrejtë, me monolog, ose me ndonjë mënyrë tjetër të shënjimit të ndërgjegjes së vet, ose fshehjes së saj.

Cilën rrugë parapëlqeni?

– I dashur Vangjush, të shprehurit për poezinë lirike është si gjeometria e Lobacevskit, me shumë dimensione, nuk jam i sigurtë se mund të përgjigjem në një mënyrë shteruese mbushamendëse, përfundimtare për poezinë lirike.

 Ka gjithmonë një “Mysterum Tremendum”,- përcaktimet e zhanrit të poezisë lirike janë gjithashtu të kufizuara,- pavaresisht iluzionit të eksogenezës dhe shtjellimit teorik.

 Mund të thuhen gjëra të përgjithshme nga doracakët e stilistikës, ç’difinohet në traktatin e Aristotelit, ose të Pseudo-Longinit, se poezia lirike është e dallueshme dhe e perceptueshme për shkak të moskufizimeve të saja emocionale, se lirika në vetvete është “poezi e poezisë, një distilim dhe sublimim i fjalës , pa tjetërsime paradoksale”.

Lirika gjithsesi parakupton një mënyrë metrike të artikulimit të fjalëve, dhe përgjithësisht por jo në mënyrë absolute kemi të bëjmë me vargjet kanonike të metrikës.

 Grekët antikë i quanin lirikat si “ta mele” domethënë “vjersha që duhen kënduar.

 Edhe Yetsi përdor fjalën angleze “cantillation”, pra “këngëtim”.

 Ne e njohim përtej formulave linguistike sensin orakullor të lirikës.

 Edhe  tendencat e shkrirjes së fjalëve në pikturë që i përgjigjen shkrirjes madrigale të fjalëve në muzikë kanë lartësuar shëmbëlltyrat e lirikës si module të brishtësisë dhe të ndërfutjes së pashmangshme mes fjalëve.

 Mendimtari i madh i kritikës, Northon Frye thotë “Lirika mund të ketë cdo subjekt dhe cdo formë.

 Lirika nuk është e konvencionalizuar nga publiku i saj siçështë drama(teatri), sepse lirika është krejtësisht e lirë përtej postulateve mendore, një “sacrificum intellectus” “

 Nga ana tjetër unë jam i bindur se lirika që përbën substancës e poezisë në përgjithësi një “outscape” , pra një “brëndësim”. Lirika i jep caste pa kufizim në krijimet e saj, pra plot elementë të “carpe diem”.

 Në tërësi pa kufizime tërë poezia e madhëështë një poezi lirike. Ndarjet e zhanreve në “epikë” dhe “lirikë” janë krejt konvencionale.

 Nga Eposi i Veriut mund të veçojë si “mrekulli të mrekullive” liriken madhështore “Ajkuna vajton Omerin”.

Kjo poezi e jashtëzakonshme konkuron çdo kryevepër poetike në Europë dhe në botë.

 Pra brenda strukturës epike është krejt e lirshme dhe e vetëdijshme shpërthimi i lirikës.

 Lirika është klithma e epërme e një jorealiteti të cuditshëm.

 Por poeti popullor, i paemërt, që ka krijuar “Ajkuna vajton Omerin”, i ka të gjitha atributet e një krijuesi gjenial.

Që kur kam filluar të shkruaj vargjet e para kam menduar në mënyrë naive por dhe genuine se të gjitha poezitë pa përjashtim janë dhe duhet të jenë lirike.

 Pra përgjigjen time, i dashur Vangjush, e ke të shumëkuptimëshme.

 Nuk jam i mendimit se vetëm  vargjet metrike  janë lirika.

 Kam lexuar lirika të mrekullueshme tëWhitmanit të cilat nuk kanë fare rima.

 Dogmat,se lirikat janë gjithmonë të rimuara, janë të pakuptimta.

 Mund te kujtoj se tek Vedat indiane thuhet “kali i mendjes duhet  te vere samarin e fjalës, të metrave, përndryshe do të humbasë. Zotat që mbajnë jetën në ekuilibër jane metrat,- falë metrave gjithë qeniet e gjalla mbahen poshtë qiellit”.

Por e Verteta është përherë anti-dogmatike.

Një teoricien si Lotmani është shprehur” se modaliteti i tekstit shpesh është kundër modalitetit gramatikor .”

 Arketipet e narracionit letrar i studiuan formalistët Rusë si Jakobsoni dhe Bahti.

Ata i dhanë rëndësi kuptimshmërisë së Intertekstit.

 Lirika në kuptimin më të epërm më iluminues është gjithmonë Intertekst.

 

2.Teoricienët letrarë thonë se poezia lirike e pohon të renë nëpërmjet ndryshimit të vlefshmërisë së saj të përgjithshme.

Lind pyetja se cilat janë kushtet jashtëletrare dhe mjetet, “instrumentat” kryesorë të procesit krijues, të cilët e determinojnë këtë ndryshim ?

Nuk ka kushte “jashtëletrare”, -është shumë e papërcaktuar gjendja shpirtërore në procesin krijues.

Njeriu është një ekzistencë e ndërlikuar,- ku kryesore është shpirti i tij dhe jo përbërësit kimikë ose mekanikë të trupit.  Poeti francez Mallarme ka thënë “në një Muze të Londrës është ekspozuar “Vlera e një njeriu”, – një kuti arkivol ,e gjatë me ndarje të shumta ku ka amidon, fosfor, miell , shishe uji, alkoli, nikotinë dhe copa të mëdha xhelatine të prodhuar. Unë jam një burrë i tillë”.

Për Mallarmen  ndryshon statusi i Poetit,- se nuk është një inventar elementësh,- por është Shpirti Avatar i Poezisë.

Edhe Baudelaire tek “Spleen de Paris” shprehet se “fjalët kanë fuqinë të zgjasin të pakufijshmen”.

Unë sinqerisht nuk mund ta përcaktoj karakterin konvencional të poezisë lirike.

Megjithatë mund tëjap disa shtjellime, që janë në të vertetë hulumtime të miat të amëshimta.

Harold Bloom ka thënë:”Zëri i tjetrit, i demonit flet gjithmonë tek dikush; zëri që nuk mund të vdesë, sepse tashmë i ka mbijetuar vdekjes – poeti i vdekur rron tek dikush. – në fazën e mbrame, poetët e fuqishëm mëtojnë t’u ngjiten të pavdekshmëve, duke jetuar tek poetët e vdekur, të cilët gjëllojnë në ta. Ky Rikthim i vonë i të Vdekurit na grish të njohim motivin zanafillor të katastrofës së mishërimit poetik.”

 

Aventura e Poezisë më ka drobitur, poeti është arketipi i Jobit biblik parahamletian, ose siç shkruan Soren Kierkegard: “çfarë është poeti? – një Fatkeq, që përjeton tortura të rënda shpirtërore, klithmat dhe rënkimet shndrohen në buzët e tij në muzikë madhështore dhe demoniake.

Shortin e tij mund ta krahasosh me shortin e atyre njerëzve, të cilët i digjnin për së gjalli në një zjarr të ngadaltë brenda demit të bakërt të Falarisit: flitë nuk arrinin ta trondisnin veshin e tiranit me klithmat e tyre, që për të tingëllonin si kumbi i një muzike të ëmbël”.

 

Dyzimet, zilepsjet, mospranimet, skepticizmi grotesk, urrejtja ndaj poetit janë të vetëkuptueshme, ekzistenciale.

Kësaj thagme nuk i shpëton askush, absolutisht.

As unë.

Vetvetja e poetit dhe vepra e tij nuk janë e njëjta gjë, identiciteti është në bigëzim fluid me një vetëdije dhe ritëm orakullor.

Krahasimi delikat dhe i vështirë i  Ezra Paundit i lirikës imazhiniste me ideogramin kinez më ka torturuar intimisht, duke e pohuar jo pa ironi dyshuese dhe argëtuese.

Logosi është instrumenti i poetit, jo Fjala.

Është një ndryshim konceptual, ndonëse koncepti i Fjalës është përafërsisht i pazëvendësueshëm, por poezia është shumë më tepër se substanca linguistike, tingëllore dhe grafike.

Poezia e tejkalon teologjinë e teknikave prozadike si një ikonoklasti e rrezikshme e strukturave pitagorike muzikore dhe numerologjike.

Por edhe mitizmi suksesiv i vargut të lirë, ose i psalmologjisë nuk është absolut e përjashtues i alternativave të panjohura.

Eskatologjia e të shkruarit apokaliptik e universalizon qytetërimin e imazheve.

Sipas Derrida-se destruktivizmi krijues i tekstit, ose i intertekstit është kapërcim i “gardhimit logocentrik”.

Këtu ftillëzohet një risi e patjetërsueshme e poezisë së fosilizuar nga kujtesat dhe përvojat mijëravjeçare.

“1) Poezia është makina më e ndërlikuar e intelektit njerëzor.Fuqia sinkronizuese e metaforës (dhe metonimisë) është e pafund in infinitus.

2) Maksimalizmi është kur punon edhe me poezinë si formë të mbyllur edhe me poezinë si formë të hapur, asnjë teknikë nuk e përjashton apriori arritjen poetike, ashtu siç nuk ka asnjë që e garanton automatikisht ky është një sekret i madh.

Moskuptimi i këtij sekreti është dështim i sigurt.

3) Po struktura simetrike nuk është gjithçka.

Poezia është udhëtim i gjatë (edhe pas vdekjes) drejt vetëzbulimit.

4) Të pajtosh botën me imagjinatën do të thotë se poezia është një botë e tretë më siperane.

5) Poezia është prova dhe potenciali i intelektit njerëzor ashtu si dhe shkenca, por edhe ndryshe, shkenca dhe poezia nuk përbëjnë një simetri, por më shpesh një asimetri.

6) Ezra Paund – ka thënë: nëse poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet.

Edhe tërë planeti!

7) Poeti e çon gjuhën (leksikun,por dhe gramatikën) jo vetëm në skajet më të largëta të kuptimshmërisë, por shumë shpesh dhe përtej saj.

Kjo është vështirë të kuptohet, akoma më pamjaftueshmërisht të përcaktohet.

8) Përsëri Ezra Paund: “poezia përfaqëson trajtën më të përqendruar të shprehjes verbale”.

9) Kur përdoret një fjalë në poezi, ka thënë Dana Gioja, ajo duhet të jetë shuma (sinteza) e gjithë historisë së saj të përgjithshme, të përshtatshme, potenciale, që është bërë konkrete dhe adekuate në kontekstin individual të autorit.

10). Poezia e shpërthen çdo korse parnasiane, e shkatërron dekorativitetin, qoftë edhe simbolik.

Mineralizimi i shkrimit bën që të humbasë lëvizja e mendimit të gjallë.

Midis stilit lapidaresk dhe stilit shpërthyes ripërtëritja është që në gjenezë vullkanore.

Ambiguiteti i jetës është edhe ambiguiteti i poezisë, misteri është një marramendje kinetike, imazhpllenuese.

11) Çelësi i artë është origjinaliteti, çelësi i vetiaktë.

Këtu është dilema dhe paradoksi kolosal tmerrues.

Kaosi i pamëshirshëm na tjetërson, kulti i parasë është një duel për jetë a vdekje me poezinë.”

Idetë më ngazëllojnë, por edhe më trembin, sepse përgjegjësia e vetëdijes bëhet gati kozmike, përderisa ekzistencialiteti detyrimisht shndërrohet në një poetikë shpëtimtare.

Sipas rikthimit të Homo Poeticus, fjalët na zbulojnë heshtjen e amshuar, si Ekologji të Shpirtit.

Poezitë janë një plotësim, ku kronologjia kalendarike depoziton kristalet e dhimbjes, nostalgjisë dhe revoltës, por ama në pakohësi të paklasifikueshme.

Në çastin e botimit librat  e mi  s’janëmë tëmitë,- dhe jam krejtësisht i pambrojtur,- deri në pafundësi.

Lukreci ka shkruar:

Est etiam magnis Heliconis montibus arbos

Floris odore hominem teatro consueta necare

Në shqip kjo profeci e përkorë tingëllon kështu:

Pranë Helikonit, rrotull Kodrës së Diturisë

Rriten pemë, që mbytin Njeriun me lulen e tyre.

Është e kuptueshme se të shkruash poezi është të familjarizohesh me vdekjen dhe se meditimi poetik është një stilizim i vetëvrasjes.

Më përpara këtë gjë nuk e kam ditur, kurse tani e kuptoj në thelb, por s’kam ç’bëj, nuk tërhiqem dot më.

  1. -I dashur Moikom, kam një objeksion, që lidhet me pyetjen e parë dhe me të dytën.

Po, është e vështirë të përcaktohet karakteri konvencional i poezisë dhe ndryshimi vlefshmërisë së përgjithshme të poezisë lirike.

Por një poezi, përveç vetëdijës estetike, ka edhe kombinimin e përmbajtjes me anën emocionale.

Ju me të drejtë shtoni edhe ndikimin e “vetëdijës orakullore”, e një elementi suigeneris, jashtë “instrumenteve letrare”, ndikimin epokal.

Studjuesi i njohur Jakobson shkruan se një rol të rëndësishëm luan poetikja, poetizimi, i cili, sipas tij, i transformon elementet e tjerë dhe është përcaktues në tërësinë e natyrës së poezisë; konkretisht ai shkruan: “përmbajtja e konceptit “poezi” është e paqëndrueshme dhe historikisht e kushtëzuar, por funksioni poetik, poetizimi, siç e kanë theksuar gjithmonë “formalistët”, është elementi i një lloji të veçantë , një element, që nuk mund të reduktohet mekanikisht me elementë të tjerë”.

Pra, ai përcakton edhe natyrën e tërësisë së një krijimi poetik, edhe ndryshimin e vlefshërisë së përgjithshme, edhe praninë e ndërgjegjes së krijuesit.

Ky është  këndshikimi  im.

-Ke të drejtë Vangjush!

Po në  poetikën shqipe ka kaq shumë narracion dhe linearitet të stërgjatur dhe shpesh rutinor,-kjo e ka sfumuar dhe zbardhur  kuotën e arritjeve poetike në suazën kombetare, si dhe ka shtuar  “vonesat konceptuale “ në moszhvillimin e gjuhës origjinale poetike, për të vegjetuar në parametrat retrograde.

4.Paradigma thotë se në poezinë lirike, ajo, e cila është shkruar me shekuj, “kryqëzohet” me atë për të cilën nuk është thënë asgjë ende.

Cili është mendimi juaj për këto “kryqëzime” të (pa)ndodhura në poezinë tonë?

– Poezia nuk është një rend elementësh kimikë vec e vec , të paraqitur si në Tabelën e Mendelejevit. Ajo është si uji,- ku oksigjeni dhe hidrogjeni nuk janë vec,por të përbërë në substancën  e levizesshme, që ngrin, apo avullohet të ujit.

Nuk mund të thuhet se si zbulohen “kryqëzimet”, apo edhe ato që mbiquhen si ndikime.

Shpesh një poezi moderne është si njëëndërr klandestine në mendjen e njerëzimit ose si një Hyjni e Panjohur ende e mbyllur në një kriptë.

Do të sjell këtu në vëmendjen tuaj këto vargje të Pindarit:

Krijesa të ditës:

C’ështe dikush?

C’nuk është dikush?

Njeriu është vegim i hijes,

Por kur vjen rrezullimi që jep Zeusi

Drita e epërme shfaqet mbi njerëzit

Dhe jeta është e ëmbël.

P.E.Asterling ka shkruar se “ky fragment   i  famshëm, në fund të Odës së Mbrame të Pindarit,është kaq i mrekullueshem, sa asnjë deklaratë e vetme nuk mund ta paraqesë kaq bukur këtë vizion të artit.”

Më kujtohet dhe një varg i poetit francez Blaise Cendrars:

Les semaphores sous la pluie

në shqip:

Semaforët nën shi.

Poezia ka dicka në vizionet filmike,halucinative ,  si ato të Gjonit në ishullin e  Patmosit.

Le të citoj këtu poetin e madh Migjenin: “asht e idhtë bota jonë(Dheu) në majë të gjuhës së kozmosit.”

Imagjinoni sesi  gjuha e kozmosit ndijon si një test shijen e planetit tonë.

Kjo është një nga metaforat më të plotfuqishme të lirikës së shpirtit apo të asaj që quhet “Imagines Mundi”.

Edhe vargu i Isaias: “O, si ke rënë nga qielli Luciferr, o bir i mëngjesit “- nga një premise lirike e pashëmbullt- u bë shkak për krijimin e Eposit Poetik të Miltonit “Parajsa e Humbur”.

Cdo gjë në analizat tona mund të jetë e lëvizeshme dhe e barasvlefshme me motive alternative.

Simfonia e Pestë e Bethovenit është nëdo minoredhe jo nëfa maxhoresi Simfonia e Gjashtë e po të njëjtit autor dhe fillon me ” sol, sol, sol, mi, bemol”.

Asnjëherë nuk kam mundur të kuptoj se si Bach- u është në gjendje të bëj 48 prelude nga një motiv katër notash.

Sot muzika moderne dedakafonike ka autore të tillë si Shenbergu, Ligetti, Zimmerman, Alban Bergu etj.

Kjo i ngjan lirikave, qënuk  i shkruan askush me strukturat ritmike të rimave dhe të metrave tradicionale.

Poeti është kaq i plotfuqishëm në imagjinatën e tij sa ka të drejtë ta coje Meduzën tek flokëtari për ta bërë sa më të paraqitshme kokën e saj me flokë gjarpërore.

Eshtë mungesa implicite shpesh e fjalëve që e stimulon argumentin shpirtëror.

Një filozof si Martin Buberi artikulon paradigmën “Unë dhe Ti” kyështë sekreti i lirikës.

Poetët modernë kanë etje dhe epsh të kërkojnë Arkivat e Edenit për të gjetur Poezitë e Panjohura,- për shkak se janë të neveritur për vdekje nga manderinët ritualë të pseudopoetizimit.

George Steiner ka shkruar se “distanca midis vargëzimit  formal dhe Poezisë matet me vite drite”.

Walter Beniamini shton:” Një libër mund të presi njëmijë vjet pa u lexuar,- derisa lexuesi i duhur të ndodh, që të vijë.”

Ndërkohë nuk jam as kundër poezive metrike dhe me rima.

Levi Straus ka thënë se “shpikja e melodisëështë një mister suprem.”

Kjo do të thotë se tradita poetike nuk mund të zhduket.

Por do të pasurohet pafundësisht.

Poezia do të krijojë gjuhën universale të metaforave brenda poliglosisë.

Sipas John Ashbery: ” krijimi ka disa gramatika të brendshme”. Poetët brenda gjuhëve amtare shpikin gjuhën e tyre që përbën “revolucionin e tyre privat ,-por për të gjithë”.

Jo më kot George Steiner profetizon :”Koperniku i ardhshëm do të jetë njeriu që do të thotë : ” Hidhe fjalorin pesemije vjecar të trup-mendjes,- atëdualizëm primitiv, – jam absolutisht i sigurt , që Ajnshtajni i ardhshëm do të jetë njeriu, që do të rimendojë atë cfarë për të gjithe ne tani është fjalor arkaik dhe shpesh i padobishëm.”

5.Është e njohur shprehja se brezi i ri poetik i zbret mësuesit nga “anija e Kohës së Re”.

Çfarë duhet pranuar dhe çfarë duhet mohuar nga tradita, për të krijuar stilin e vet?

– Nuk është brezi i ri ipoetëve ,-që bëjnë gjykimin klasifikues, -absolutisht jo.

Asnjë poet pasardhës nuk ka fuqi të skualifikojë poetët paraardhës.

Por ka një Gjendje të Re të Zhvillimit Estetik,- që krijon  një Gjyq Mendor të Parimeve Estetike,- që janë jashtë vullnetit të poetëve,- ashtu sic janë dhe ligjet e zbuluara nga Newtoni ,-ose nga formulat e  Ajnshtajnit.

Eshte pikërisht Vetëdija Estetike që ngre, vë në reliev, ose zbeh, rrëzon dhe kthen në errësirë emrat e krijuesve.

Në të gjitha epokat krijuesit më të popullarizuar kanë patur në publicitetin e tyre edhe shumë motive të opinionit madje dhe të interesave politike.

Kur vdesin shkrimtarët ata duhet të konkurojnë me të vdekurit e medhenj përpara tyre, që janë në Had,- ku nuk ka as tutorë,as parti politike, as miq nëpër redaksira dhe përballen me vlerat e njëri tjetrit në një” barazi të frikshme të Vdekjes dhe të Amshimit” , ku Kriteri Estetik, është vetëkuptohet me përcaktuesi.

Kyështë mendimi im për këtë ceshtje.

  1. – Ju kini përkthyer me përkushtim poezinë lirike futuriste të Majakovskit, kini botuar një vëllim më vete me to.

Si e gjykoni, në ato vite të hershme, jo vetëm duke e lexuar, por edhe duke e përkthyer në gjuhën shqipe, duke u thelluar konkretisht në krijimtarinë e tij, a ka patur ndonjë ndikim ajo poezi metaforat hiperbolike dhe fryma kozmogonike e poezisë së Majakovskit?

-Mendoj , sigurisht Vangjush, se ne ndërtimin ,-nganjëherë hiperbolik te metaforave  jam ndikuar në rininë time të herëshme nga krijimtaria futuriste e  Majakovskit,- ndonjë nga studiuesit , Sulejman Mato ka shkruar për “stilin neo-futurist të metaforave  Moikomiane “

Kam lexuar   studimin e Jakobsonit per poezitë e Majakovskit- ai e e hulumton  gati mistershëm dhe  në mënyrë  gnostike sistemin e figurave të  jashtëzakonëshme të Majakovskit të  ri,- Rishtar gati Luciferrian i Revolucionit.

Kjo krijoi një optikë universiale,- por jo për të gjithë poetët.

Krarhëso , fjala vjen, poezinë imazhiniste të Ezra Poundit, që kërkon  një afërsi intime me hieroglifet kineze,që nuk ka lidhje me monadëm futuriste të Majakovskit.

As   figurat surreale të Andre Bretonit, as metaforat e George Traklit.

Në studimet krahësimtare, dukuria e librarizmit (George Steineri përdor  fjalën e vjetër  “bookshness) nuk na ndihmon  gëzueshëm deri në fund për të nxjerrë konkluzione, që tejkalojnë vetveten.

Nga kjo pikëpamje ,(syshikim ) futurizmi figurativ i Majakovskit nuk mund të përsëdytet dot,-por fryma e tij shpërthyese dhe parathënëse i valëvit ende flokët e poetëve në start.

Në dhomën time të studentit mbaja një gravurë të Majakovskit vizatuar nga unë ,- si dhe kam bërë dy poema ,-që ja kushtoj atij,- në vitin 1970- që janë  botuar në librat e mi.

7.Cilët janë mësuesit tuaj. Çfarë kini marrë prej tyre. Si dhe sa kini arritur të shprehni vetveten, të krijoni stilin tuaj?

– E kam të vështire të them se cilët janë mësuesit e mi.

Unë kam botuar në gazetën” Drita” që në moshën 13 vjec.

Naim Frashëri ka ndikuar tek unë me fisnikërinë dhe projektin e tij të madh dhe eksluziv të gjuhës letrare shqipe dhe mrekullinë e panteizmit universal.

Libri i tij me lirika në persisht ” Ëndërrimet” është një libër i jashtëzakonshëm.

Poema e Naimit pa subjekt “Bukuria “është nga më të bukurat në rrafsh Europian,- një poemë e tillë mungon fjala vjen tek libri i famshëm i Baudelaire-it.

Padyshim mjeshtri më i madh i lirikës së të gjithë kohërave është De Rada,- me kryeveprën” Milosao,” që do ta kishte zili cdo poet i madh i Europës.

Lirizmi i De Radës me ka tronditur në të gjithë qenien time.

De Rada është jo vetëm një romantik i jashtëzakonshëm por  Kënga e Parë e “Milosaos” në të vërtetë paralajmëron Poezinë Simboliste shumë më perpara se të shfaqeshin simbolistët në Francë.

Lirik tjetër i madh është Lasgush Poradeci.

Nuk duhet harruar në asnjë mënyrë Serembe,- në poezitë e shkruara në italisht të Serembes unë kam hetuar përafërsi të cuditshme me poezine e poetit italian Leopardi.

Poezi lirike të shkëlqyera ka edhe Ndre Mjeda ,-si dhe Migjeni. Gjatë kohës së Realizmit Socialist poezitë lirike shkruheshin mbi platformen e njëepike politike.

Do të përmend këtu dy lirikë të mëvetshëm Frederik Rreshpen dhe Dhori Qiriazi,- ata nuk e tradhëtuan “origjinalitetin e vetvetes.”

Për sa i përket mjeshtërisë artistike të lirikës në prosodinë shqiptare të pesë shekujve- krijimtari, që nga  Gjon Buzuku ,-deri në ditët tona, do të përmendja si një Bibël Estetike të Lirisë- ” Rubairat  e Omar Khajamit” të Fan Nolit.

Për sa i përket poetëve të huaj tek unë ka ndikuar shumë që në moshën 20 vjecare poetët francezë Arthur Rimbaud, Pierre Reverdy,Majakovski, Bretoni, Lorka, poezia e Georg Traklit,-në mënyrë substanciale më ka cliruar nga vargonjtë e dogmave lirika  kozmike  e  Whitmanit.

Nga poetët amerikanë më ka bërë përshtypje të madhe Elioti,Yetsi,Ezra Paund, Stevens si dhe poeti që vdiq 32 vjec Hart Crane për arsye të potencës së tij të Imagjinatës.

Por kam shumë vite që nuk kam përpara syve të mi një  Mentor  Faustian-, që duhet ta adhuroj.

Jam kundër kultit të poetëve,- por jam për thelbin e poezisë në të gjitha kohërat.

Besoj se kam krijuar sistemin tim figurativ të metaforave të pangjashëm dhe madje të pakrahasueshëm me poetët e tjerë ,-qoftë shqiptarë,- qoftë botërorë.

8.A e përcakton dot autori se cila pjesë e krijimtarisë së tij është një kryevepër dhe cila është pjesë e “konvejerit letrar”?

– Jo autori është i paaftë të përcaktojë me kandarin e argjendarit se cila poezi apo libër i tij është më i cmuar nga pjesa tjetër që mund t’i përkasë edhe Vdekjes së Bardhë, -që ndodh kaq shpesh me krijimtarinë e poetëve.

Një poet nuk është se shkruan shumë libra- dhe nuk përcaktohet nga shumësia e librave.

Poeti krijon dicka që është gati titanike: shpik stilin e tij origjinal ,-të patjetërsueshëm nga të tjerët.

Eshtë e vërtetë që poeti origjinal imitohen kaq shumë, -unë shoh mjaft imitues të poezisë sime,- madje edhe ” hajdutë” të metaforave ,apo figurave që strukturohen në librat e mi.

Por epigonizmi është i pashmangshëm.

Nuk  kam fuqi për ta ndalur dot.

Madje nuk më intereson fare të merrem me këtë motiv.

  1. Faleminderit, Moikom, për këtë përgjigje që është një sinops i mrekullueshëm, që do ta quaja një mini traktat estetik mbi poezinë lirike.

Kam edhe një pyetje të fundit.

Është i njohur trajtimi teorik i termit Kontekst,ose Intertekst, për zbulimin e formës së mendimit artistik, në bashkërendimin semantik, tematik, figurativ në poezi, si dhe roli që ai ka në përcaktimin e stilit poetik.

Historikisht dihet se Konteksti ka qenë një nga kategoritë kryesore për poezinë romantike.

Desha të dija se ç’mendim kini dhe sa vend zë Konteksti në poezinë tuaj, apo edhe në poezinë moderne bashkëkohore, mundësisht?

-Në të vërtetë vetë krijimi i gjuhës (gjuhëve) është në substancë një proces  kontekstual- cdo fjalë është metaforë dhe metafora nuk është identik në pasqyrimin  e fjalëve me objektet- nuk ka kurre, në asnjë mënyrë një paritet hipotetik , qoftë dhe të menduar si një ekuacion algjebrik. Përderisa vetë lindja  (gjeneza) e fjaleve parakupton konteksin, mund të thuhet  se tërë letërsia , që nga Homeri është Kontekstuale, ose  Intertekstuale.

Kam lexuar një libër që tregon për bisedat e Mallarmesë në Oxford. Për këtë poet erudit të pakrahësueshëm ekziston vetëm Poezia, kurse “Proza nuk ekziston, ndonëse ekziston alfabeti “.

Madje  Mallarme e konsideron me  alergji intelektuale  Prozën si një  “degradim vajtues dhe shpërdorues “ të Poezisë gjatë shekujve dhe mijëvjecarëve.

Poezia  për të  është :”on a touche au vers” (“ sulm mbi vargun “)- në kuptimin alegorik dhe simbolik  vetë shtjellimi poetik është  një rend kontekstual në lëvizje.

Kontekstualizmi është sipas studiuesit amerikan C.S.Peirce-it një simbolizëm i pafund, që ka një strukturë gati kozmike kudo dhe në cdo gjë. Steineri ka shkruar :”Pearce-in e konsideroj si filozofin më të madh amerikan,- ai e  hap tërësinë e  gjuhës moderne, filozofinë, semiotikën, semantikën .”

Gjërat janë shumë më tepër të komplikuara,-ne shpesh shikojmë sipërfaqet dhe jo brendësitë.

Kam në vëmëndje  “Traktat  mbi metrikën “ të Ezra Poundit, ku është dhe ky pasazh :” Të mencurit e vërtetë zakonisht i shpërfillin idiotësitë gjoja mësimdhënëse.

Friedrich Richter-i mund të shpallë sa të dojë, që rregullat e kontrapuntit dhe të harmonisë s’kanë të bëjnë fare me kompozimin, Sauzay mund  shprehet me të dyja duart se Bach-u kompozonte i nisur nga disa   “mënyra “, sekretin e të cilave s’e rrokim dot,- por gati të gjithë artet i përmbushin synimet e tyre duke përdorur një element të qëndrueshëm dhe një të ndryshueshëm.

Nga një këndvështrim empirik Poezia ka, përgjithësisht, disa elementë pak a shumë të qëndrueshëm dhe mjaft elementë të tjera të ndryshueshëm,-ama për të vendosur se  cilsat duhet të jenë të qëndrueshëm dhe cilat të ndryshueshme, kjo është puna e autorit .”

Në librat e mi poetikë, që përbëjne një- magnum opus,- unë nuk kam bërë gjë tjetër, vecse përpjekje mendore dhe lasboratorike për t’i njesuar të tëra Metaforat e Infinitëshme në një Metaforë të Vetme,-Stilin tim ,- të pangjashëm në substancë.

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Kjo interviste dhe shume si kjo , e Moikonit me shkrimtarin dhe kritikun , Ziko , verteton se kemi te bejme me dy personalitete te larta , qe I bejne nder kombit . Moikomi , si filozof , dijetar shume dimensional, I tejkalon te tera parafytyrimet tona , per nje njeri me kulture solide ne shume fusha te dijes . Ne qyteterimin e lashte shoqeria orientohesh nga mendimet e nje filozofi , qe e njifnim te tere . I drejtoheshin Aristotelit dhe ai jepte keshilla , per c’do ngerc , per c’do fenomen , pastaj filozofit pasardhes, e me radhe . Midis te tjerave , kjo ndothte , jo vetem se ata filozofe ishin shperthime te intelegjences dhe te punes , por te kufizuara ishin dhe rekomandimet shkencore te asaj kohe . Shkencat u specializuan dhe u perqendruan , ne disa talente te shquara . Moikomi yne , jeton kohen moderne , ku sejcila shkence zhvillohet ne hulline e vet . Madheshtia shkencore e Moikon Zeqos eshte e pa kufishme . Shtrihet ne mbi 100 botime , me vlera shkencore . Ai flet dhe arrin te mbroi , me kopetence shkencat gjuhesore , letrare, inxhinjerike , sociale , politike , duke krijuar mbeshtetje me krijimet origjinale te shkruara dhe te levruara , ne te tera keto fusha .Moikomi eshte nje fenomen , qe titullin akdemik e ka merituar me kohe , ne shume fusha te dijes . Kombi krenohet me nje dijetar te ketyre permasave , qe per mendimin tim , nuk ka pasur dhe nuk ka te dyte . Zgalem

  • Pervec pyetjeve nga profesor Ziko dhe citimeve te autoreve te huaj nga Makabe, tere pjesa tjeter meriton nje perkthim ne shqip, te mund te arrije te lexuesi ne shqip… Ju lutem,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *