Fatmir Minguli
(Analizë për librin me poezi „Lulja Centaur“ të Moikom Zeqos, botim i “Aparkeas-Abraxas”, Tiranë, 2018)
Këmbëzbathur le të ecë Poezia,
Lëkurëcopëtuar nga gurët!
Moikom Zeqo
Dy vargjet e sipërshënuara, janë, jo të një bardi të shekullit të dymbëdhjetë, por të bardit të sotëm, Moikom Zeqos, shkëputur nga poezia e tij “Motive studenteske”, shkruar në vitin 1971 dhe botuar në vëllimin “Lulja Centaur”, të cilin po e analizoj në këtë shkrim, që synon të personalizojë të veçantën.
Ky libër i Moikomit është i ndarë në dy pjesë kohore, poezi të shkruara nga viti 1968 deri në 1971 dhe nga viti 1990 nga botimet deri në 1999.
I rëndësishëm është fakti, se këto poezi janë nxjerrë nga botimet, nga Arkivi i poetit dhe sjellin dy kohë të cilat bëjnë kataraktin sintezë në vitin 1990. Është katarakt, sintezë e kohës, por jo e poezive dhe aq më tepër e stilit të poezive të Moikomit, një mbijetesë e stilit!
Janë dy grupe poezish dhe poemash, që Moikomi sjell në këtë vëllim, që renditet i njëmbëdhjeti, në Kolanën e Dytë, pas 12-të “Mischellaneave” të mëparshme.
Por kur i lexon këto poezi të reja, vendosesh para një mendimi krejt të fuqishëm. Është mendimi, se ndeshesh me një stil të veçantë, krejt origjinal dhe poeti i tyre është shpikësi i këtij stili origjinal, pra i vetmuar, se edhe epigonet nuk e kthejnë dot në një shumësi, apo në një turmë.
Ai mbetet një Vetmitar dhe siç thotë Roland Gjoza në Parathënien, e këtij vëllimi “Të mëdhenjtë nuk gjykohen, ata i dinë vetë punët e tyre, Moikomi, sot është poeti më i madh, i gjallë, zëri më i spikatur artistikisht dhe më i dallueshmi në media”.
Dhe Rolandi është vetë poet dhe shkrimtar i shquar.
Dhe eseisti i mprehtë, i ditur, Vasil Vasili, në librin e tij studimor, të porsabotuar, “Përkthimet e Kohës, Poetika e Moikom Z.” nënvizon: “Poezia e Moikomit është e elektrifikuar në qelizë.
Fjala është e elektrifikuar me dritë natyrore dhe psikike, edhe drita psikike është dritë natyre.
Poezia e Moikomit shëmbëllen me një Festë Purgatori e joshur nga Parajsat e Humbura. Poeti Moikom Zeqo është më i plotë se Moikomi erudit.
Brenda Poetit udhëheq Liria, që krijon, brenda eruditit udhëheq dija, që e përsërisin rrethanat” (shih Vasil Vasili “Përkthimet e Kohës”, West Print, 2018, f. 127-128).
Vasil Vasili ka bërë përsiatjet më filozofike, psikike dhe estetike për kuptimin e ndërthurur me Çastin dhe Kohët e Mëdha në poezinë moderne të Moikomit.
Origjinaliteti është gjithçka për poetin e vërtetë, imitacionet e të tjerëve janë më tepër një shpërdorim i lodhshëm.
Por dhe me Whitmanin e madh ajo ka ndodhur, që ka thënë kritiku amerikan i kohës, Harold Bloom: Ka njëmijë whitmanistë si poetë, por Whitman është vetëm një.|
Prandaj, kur flasim për stilin origjinal të Moikom Zeqos, i rëndojmë faktit se ai është i mëvehtshëm, se nuk mund të ketë një të dytë.
Prandaj ai nuk përsëdytet dot dhe as nuk klonohet, as shumëfishohet me matrica, sado të sofistikuara, se në fund të fundit nuk është simulacrum, por është unicum.
Në poezinë “Fjalë për veten” (1971) ai jep ekstraktin e poezisë së tij:
Deti – më e madhja romantikë,
Që kam!
Dhe unë jam një det,
Një det i pazbuluar nga Kolombët!
Është aludimi më i plotë që ai i bën poezisë së tij.
Duke menduar, që jetojmë në një kohë të marrë, ku absurdi, injoranca shitet për shkencë, ku rrënjët e gramit pretendojnë, se janë grurë, ku çdo grafoman, pretendon altarin e Dantes, Moikomi, çuditërisht, mbetet konkret dhe stoik në poezinë e tij, shpërthyese.
Vazhdon me këmbëngulje, luftën ndaj këtij kaosi, duke parashikuar shumë hapësira të së Ardhmes.
Dhe vetë J.M.G.Le Clézio ka nënvizuar: “Ne jetojmë një epokë të turbullt, ku na ka zaptuar kaosi, rrëmuja e ideve dhe imazheve. Roli i letërsisë sot është ndoshta t’i bëjë jehonë këtij kaosi dhe çrregullimi.”
Por Moikom Zeqo ndjek rrugë të tjera duke krijuar ishullin e tij letrar, ishull që mëton të rritet e ku deti poetik i Moikomit të krijojë dyqenësinë brenda një trupi, ishull e det bashkë.
Dyqenësia e Moikom Zeqos sa reale aq dhe virtuale është emblema e vetë atij, prandaj libri “Lulja Centaur” është vetë emblema e Moikomit.
Lulja Centaur është njëkohësisht zambak qiell, det dhe trandafil, pulëbardhë, ku fisnikëria dhe dashuria bashkëjetojnë e gjithashtu ajo është tregues i personalitetit të paepur, prandaj ajo mund të quhet dhe metafora “Centaur”.
Kështu ndodh në poezinë e Moikomit, mbretërojnë metaforat, dhe janë ato që përfaqësojnë më shumë se çdo figurë tjetër artistike, stilin vetiak të poezisë së Moikom Zeqos. Kompleksi me strukturë dentroide i metaforave moikomiane, ndërthuret me shqetësimet më elementare të ditës njerëzore, metaforat kthehen në gjallesa, duke u kthyer në pjesë të jetës.
Metafora e Moikomit, sidomos ato të sjella në librin “Lulja Centaur” vijnë nga kohë të largëta, zhytur në mjegulla të dendura, që një sy i rëndomtë dhe një mendje e zakonshme nuk mund t’i kapë kollaj.
Ato vijnë nga legjendat shqiptare, nga largësi, madhësia e të cilave është e pa përcaktuar, ku transformimi i tyre edhe mund të jetë real, por kurrsesi mesazhet e tyre nuk transformohen, ose tjetërsohen.
në këtë vëllim Moikomi nëpërmjet disa poezive ka sjellë baladat perla të botës shqiptare. Kështu lexojmë triptikun për “Gjergj Elez Alinë”, “Motivet e Urës së Qabesë”, “Afresk shekujsh”, “Baladën e syve të pavdekur” etj.
Këto motive të shkruara rreth vitit 1972, përbëjnë dhe njëkohësisht zbërthejnë vlerat e paçmueshme të poezisë shqipe.
Bardët, këta këngëtarë shekujsh janë harruar nga studiuesit e sotëm të historisë së poezisë shqipe.
Por Moikom Zeqo i ringjall dhe është ky njeri i shkencës së letërsisë, që jo vetëm me poemat brilante të këtij vëllimi mbi bardët dhe baladat, nuk harron të ringjallë figurën e bardit oskitanas, Daniel Arnaut, e sjell si një mundësi studimi për poezinë shqipe në shekujt 12 dhe 13.
Ja një pjesë nga poezia “Përplasja e kohërave”:
Kur digjet lahuta,
Digjen dhe këngët,
Ajkuna,
Muji dhe Halili
Vrapojnë mbi kuaj,
Me flokët prej flake mbi supe!
Dhe në humnerën e lahutës
Bijen dhe motet,
Si Ikari, pa parashutë!
E ç’mund të thuash më tepër?!
Legjendat në gojën e bardëve vijnë plot metafora, ku bardi është Mag dhe “ku zogjtë u bënë muzg e muzgu u bë pemë”.
Te poezia “Lulja Centaur” Moikomi shkruan
Kam ëndërruar
Për pulëbardhën,
Totemin tim të fëminisë
Tani lopa e Hënës
Kullot gjumin tim!
Gjaku u bë kalë,
Vrapoi deri përtej Vdekjes
Dhe tek pragu i shtëpisë,
U bë pemë molle!
Le të gjëmojë daullja
E bërë nga lëkura ime!
Me qepallat e hapura
Të plagëve
Syri i legjendave na sheh!

Në koleksionin e poemave më të hershmet janë “Bardi i detit”, botuar që në vitin 1969 (kur poeti Moikom Zeqo, s’kishte mbushur as 20 vjeç), “Kishte çelur pranvera në mëhallën e vjetër” po në 1969, po kështu “Fillimi i një poeme për Kanunin” në 1969, “Kaledoiskop”, “Kampi i përqendrimit 402/0”,po në vitin 1969, si dhe poemat “Gonxhe Dielli” dhe “Lëvizje”, po të botuar në shtypin letrar të kohës, në të njëjtin vit, pra, në 1969.
Janë të çuditshme këto poema të hershme, në një moshë, kaq shumë të re të Moikomit. Këtu është një pikë e thukët studimore për vitin e fundit të dhjetëvjeçarit 1960-1970 për poezinë shqipe, ku ishin shquar emra të tillë si Kadare, Agolli, Ziko, Arapi, Qiriazi.
Moikomi gati del jashtë kësaj hullie krijuesish. Larg ekstradizmit politik (poemat tribunale të socrealizmit shqiptar) poeti Moikom Zeqo formësohet dhe stilizon metaforat e tij gati si një përjashtim, ose substancë tjetër artistike e të njëjtës strukturë kronologjike.
Në vitin 1970 Moikomi shkruan poemat me figuracion futurist si “Udhëtoj tek të gjallët”, “Poema e shqetësimeve”, “Ti je kaq e bukur”, kurse në 1971 poemat e “Vajza në plazh”, “Fantazmagoria”, “dyfish të pavdekshëm”, “Nerenxa dhe shpata”, “Fjalë për veten”, “Ditar urban”, “Migjeni”, “Për trishtimin” si dhe poemat kushtuar Majakovskit dhe Paul Eluarit.
Pra në startin e dhjetëvjeçarit 1970-1980 Moikomi ka një shpërthim dhe liri krijuese të pakrahasueshme me të tjerët.
Ky është një fakt i pamohueshëm.
Vetë Moikomi e ka metaforizuar këtë situatë iluminimi si kapërcimin “e Rubikonit” të tij, jo aq vetiak sa të poezisë moderne shqipe në Konotacione Universale.
Më 1973 Moikomi shkruan poemën “Futuristët në mungesë” që është në të vërtetë një kryevepër konceptuale e perceptimit artistik. Ka diçka enigmatike në shkrimin e vargjeve.
Po citoj:
Shpesh silueta ime
Është 5 kilometra e gjatë,
Zigzake, mbi një Paris plot mongolë.
E kuaj ejfelianë prej hekuri,
Kjo përrallë e gjeometrisë anarkike
Më pëlqen, por fabulat e kristaleve
S’i honeps, por përherë
Jam dredhëza në syrin e trumcakut
Që qimëzohet si mamuth…
Shpesh silueta ime mërgohet nga unë,
Bëhem formë e zbrazët
Shpesh silueta ime është Nili,
Po pa Egjipt!
Pra, një ankth i padurueshëm, ekzistencial, deri në përmasat e absurdit dhe të halucinacioneve.
Pas vitit 1973 dhe tabuve politike, inkuizicioniste të famëkeqit Pleniumi IV, për shumë vjet Moikom Zeqo, si një nga më të anatemuarit, hesht për gati 15 vjet e s’boton më libra poetikë.
Është tipike shprehja e çuditshme apokaliptike e Dritëro Agollit, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në 1973, se liberalizmi infektoi edhe „23 vjeçarin Moikom Zeqo dhe 61 vjeçarin Petro Marko“, ku ironikisht, paradoksalisht „liberalizmi“ qe kinse „ndikimi i dekadentizmit artistik botëror“ etj. Ky qëndrim zyrtar, publik, kundër „rrezikshmërisë kërcënuese“ të poezisë moikomiane është gjithashtu i pashembullt dhe për më tepër një alibi injorance, antiestetike dhe atipike dhe kundërhistorike.
Ja, që metaforat lindin dhe mbartin herezi të mëdha! Moikomi është fitimtar i shquar.
Kemi këtu fushën, a terrenin e një studimi substancial për raportin e estetikës me politikën, për konvencionalitetin e rremë të ideologjisë programore, në kundërshtim përjashtues, me fuqitë krijuese të estetikës plazmuese dhe ftillëzuese në amëshim.
Në këtë pikë emri i Moikomit është një simbol dhe prani vetëshpjeguese si dhe instrument i vyer i laboratorit mendor, të posaçëm, për një dukuri sociale, historike, kulturore, që ka modeluar Kujtesën.
Në këtë rrafsh arsyetimi, dua të vë në reliev, idenë e rëndësishme, se sfida e Moikomit nuk mëton të jetë një herezi e mirëfilltë politike (alibi, që e kanë mëtuar shumë shkrimtarë të hierarkisë së socrealizmit), por më me dinjitet është në mënyrë poliforme një sfidë inteligjente, estetike.
***
Poeti i njohur amerikan Kevin D. Prufer ka shkruar për jehonën e botimit të librave poetikë të Moikomit në SHBA: „Moikom Zeqo është një mëndje e fuqishme, që mediton për mënyrën se si historia njerëzore, letrare, politike dhe sociale ekziston; njëherazi me vetë vdekshmërinë tonë. „Unë shkatërroj veten“, pohon Zeqo në një moment „me përgjërim për historinë“, – por ky është një lloj shkatërrimi i bukur i jashtëzakonshëm, transcendental dhe tronditës.“.
Ky vëzhgim i hollë, mjeshtëror është dhe një përqasje dhe identifikim sui generis i krijimtarisë së Moikomit.
Tek „Magjistari i Madh“ Moikomi skalit këto vargje epigramatike:
Ç‘është ky agim,
Që fluturon
Si një Utopi e censuruar?
Dhe ç‘janë këta kalorës
Me shtylla vertebrore tigri?
Një Eros lëviz
Te Eldoradoja e Anarkisë.
Dhe i shpon tërë Universet
Liria ime e befasishme!
Një tren kalon
Dhe mbrin
Në syrin tënd, e dashur!
Ai, që zbret jam unë,
Dhe ai, që pret në stacion,
Jam po unë!
Si t’ju mëkoj
Ju pasardhës
Me të Ardhme?
Poema « Magjistari i Madh » mban datën 10 janar 1999 dhe është shkruar në Durrës.
***
Krijimtaria poetike e Moikomit është strukturuar si poetikë e veçantë.
Kjo poetikë moikomiane, që s’ngjan me të tjerat është e referueshme me statusin e shembullit dhe të një arritje estetike normatike.
Pra me tepër është një shpikje vetiake perceptimi e stilit, gjë që është më e paarritshme lehtë se sa semiotika disiplinare.
Studiuesi i madh amerikan i semiotikës Çarls Sander Pers (1839-1914) e universalizon referencën semiotike, jo vetëm në poetikë.
Persi ka theksuar, se „Nuk kam mundur të studioj ndryshe çfarëdo gjëje, matematikë, moral, metafizikë, gravitacion, termodinamikë, optikë, kimi, anatomi të krahasuar, astronomi psikologji, fonetikë, histori e shkencave, letërsi, meteorologji, përveçse si një studim i mirëfilltë semiotik.“
Po për Persin, fjalët në poezi janë përherë një rend simbolesh, pra një renditje semiotike, sidomos në tri rrafshe: primare, sekondare, terciare, ku simbolet nxjerrin vetveten, për shkak se simbolet e para nënkuptojnë lëvizjen e simboleve të dyta dhe të treta, pra një raport kuptimor paradigmatik.
Në këtë optikë studimi i poetikës moikomiane krijon një mundësi dhe tipologji të re. Kjo përbën një hulli të hapur.
A nuk kanë një polifoni simbolesh vargjet e Moikomit:
Në lukthin tim e kam një peshk të artë,
e brenda tij një kumt kozmik si zgjidhja e enigmës,
Dhe anija e Kolombit është këpuca e Hirushes,
për martesën me Princin e një Bote krejt të Re.
Lëvizja e simboleve nuk rresht dhe në këtë trans idesh lidhjet fragmentare e krijojnë një unitet!
***
Por sistemi i simboleve tek poetika e Moikomit e ka një ligjësi: sinkretizmin e ideve, kulturave, qytetërimeve, të shqiptarizuara gjuhësisht, duke kultivuar pikërisht aftësinë estetike dhe posibilitetin e brendshëm neologjik të fjalëve.
Shumë hulumtues seriozë provojnë, që me terma retorike të përshkruajmë sisteme simbolike të ndryshme nga ligjërimi, duke ndihmuar kështu zhvillimin dhe shpalosjen e re të semiotikës.
Për mendimin tim, Moikom Zeqo, i ka plotësuar poezinë shqipe sistemin e simboleve me të pasur dhe me të çuditshëm, që s’e ka bërë deri më sot askush.
Studiuesit e së ardhmes kanë kështu përpara tyre një terren thesaresh kuptimore, shpesh jo lehtësisht të analizueshëm.
Tek poema Labirint me yje“ e vitit 1990 Moikomi na jep edhe këto vargje:
Zvogëlohem si një bletë
Mbi një zambak!
Zmadhohem si dinozaur fluturues
Në qiejt e Dantes!
E hap derën e Misterit me çelës,
Si atentatori, që mban koburen në dorë.
S’di të qesh?
Pra, i vdekur jam!
Ju hodha në shpinë një vetëtime
Si fëmija babait mbi shpatulla!
Nuk di pse, sa herë lexoj dhe rilexoj metaforat e Moikomit, më vjen në mend Aleph-i i qendërzuar në infinit i Jorge Luis Borgesit të madh.
***
Dua të ve në spikamë se për Moikomin, sidomos këto 20 vitet e fundit janë shkruar shumë ese, studime madje gati 10 libra studimore të mirëfilltë, për arsye të tërheqjes të artit magnetik të poezisë moikomiane.
Dua të tërheq vëmendjen që poeti, përkthyesi i shkëlqyer Vangjush Ziko, që tani jeton në Kanada ka bërë tri ese të thella dhe me zgjuarsi të rrallë për Moikomin.
Këto ese më ndihmojnë dhe ma pasurojnë edhe mendimin tim.
Dhe ja ç’thotë Vangjush Ziko, shkrimtar i gjeneratës së Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit, që meriton vlerësime më të larta për rolin e tij në historinë e letërsisë shqipe :
« Duke lexuar dhe rilexuar krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos nuk po e quaj thjesht « Poet », sepse më duket e ngushtë kjo « këmishë », Kostumi i tij ,më ngjan edhe me togën antike, edhe me pelerinën kalorsiake, por edhe me smokingun e një « dandy », bile edhe me fustanellën tonë ilire.
Më vjen mirë ta quaj edhe Filozof, e quaj edhe Magjistar, pse të mos e quaj edhe një njeri jo të zakonshëm, që i mban sytë nga qielli, duke lexuar Zodiakun e Fatit Njerëzor mbi tokë.
Poezia e tij u bë kështu prej vitesh universalisht një poezi konceptuale figurative, duke vënë në themel të stilistikës së vet metodën avanguardiste, që e solli shekulli XX në krijimtarinë letrare, dmth konceptualitetin.
Moikomi ka kuptuar të vërtetën e madhe, që e ka formuluar qartë Josif Brodski : « Gjuha nuk është instrument i poetit, por ai vetë është mjet i gjuhës.
Poeti është mjeti i ekzistencës së gjuhës dhe i pafundësisë kuptimore të saj » »
***
Moikomi është mjeshtri i metaforave.
Ai shkruan:
Me transparencën e muzgut
Pesë Hëna gëzimi!
Vizatohet Koha mbi strall,
Metafora i gëlltit largësitë!
Ja, pra, se si ai e jeton realitetin kontradiktor që „gëlltiten“ nga metaforat e tij dhe vijnë të freskëta në botën tonë, jo vetëm shqiptare dhe ballkanike e mesdhetare.
Në poezinë e Moikom Zeqos, nuk mund të kuptohet realiteti pa patur parasysh peizazhin e Currilave, magjinë e padiskutueshme të detit, pishave, kodra e argjilës, që të kujtojnë poezinë e Xhakomo Leopardit, finesën delikate të De Radës.
Janë këta elementë realë që lindin metaforat, janë „Llamba e Aladinit“, që hapet vetëm nga Moikomi e ku, ky poet kthehet e rikthehet me një përhershmëri të habitshme në Kohë e në Hapësirë.
Aty janë Muzat, aty është realiteti i Mendimit mbi Absurdin, Dekadencën, Çnjerëzoren, Krimin.
A nuk është nga Mbretëria e Currilave, kjo pjesë nga poema: „Kthetra e Jahovait“:
Jam flamur shkume
Tek fortesa e dallgëve!
Dhe fari ndizet
Në Mbretërinë time Abstrakte!
Pikërisht në këto vargje gjejmë „nënvizimet“ e vetë autorit për Fjalët, që në një farë mënyre paraqesin Portretin e tij. Feksin Fjalë të tilla Emblematike si: – e Vërteta, Krijimi, Lavditë e Mëdha, e Përbrendshmja, e Jashtmja, Dyshimi, Shpresa, Mbinjeriu, Nënnjeriu, Aleph, – të gjitha si të ishin fjalët kyçe në tekstet kompjuterike në Google, për tërë kureshtarët universalistë dhe dembelë, por dhe hedonistë.
Poezia Moikomiane, është tejet shqetësuese, e pamëshirshme në katharsin e saj të fshehtë.
Metaforat e Moikomit nuk janë asnjëherë rutinore, apo imituese, epigoniste, përkundrazi të tjerët e kanë imituar, madje edhe ja kanë vjedhur metaforat, por gjithsesi kjo tregon dhe shtrirjen në thellësi të ndikimit artistik, në formë matrice mendore. Metaforat e Moikomit kanë përherë një përmasë kozmike, apo shpesh si një grafikë, apo dizanjim kriptologjik, ngjajnë se vijnë nga entropia dhe bota kuantike.
Me poezinë „Erst Jungerit“, të shkruar në 7 qershor 1970 (mendoni pak: 48 vjet më parë!) Moikomi thotë:
Ernst Junger poet, në vitet e Rajhut të Tretë,
E shkroi traktatin „Lavdi të zëshmëve“
A-ja tregon qartësi dhe gjerësi,
O-ja – lartësi dhe thellësi,
E-ja – zbrazësi dhe madhësi,
I-ja – jetë dhe kalbje.
Ndërmjet A-së bëhet thirrje për pushtet,
Ndërmjet O-së për dritë,
Ndërmjet I-së për turp,
Ndërmjet U-së për madhështinë e tokës,
Ernst Junger kinse i gjeti
Disa çelësa të kuptimeve
Për një tjetër gjuhë.
Ernst Junger, në vitet e katastrofës
E shkroi traktatin „Lavdi të zëshmëve“.
Vdekja artikulonte zanoret e saj makabre,
Po Erns Junger s’i dëgjonte,
E bashtingëlloret rrëzoheshin
Si eshtrat e Aushvicit.
Kjo poezi, që autori e mbiquan edhe si « Fillimi i një poeme » është formë tipologjike e shkrimit të tij poetik, përtej elementeve kompilues, kabalistikë, me mjeshtëri kompozicionale, të rrallë.
***
„Lulja Centaur“ është një puzzle me poema, ku detajet janë elemente përbërës të së tërës, me plazmën e jetës, spontanitetin, prirjen futuristike.
Në poema të tilla si „Parzmorja e shpirtit“, „Shpëtimtari i dytë“, „Kohërat me gungë Hiroshime“, „Mbretëria e Sinkopës“, „Magjistari i Madh“ dhe „Babilonia e Absurdit“ dhe „Labirint me yje“ të harkut kohor 1990-1999 Moikomi bën rikthimin marramendës tek poezia e tij novatore dhe e pangjashme e viteve 1969-1973, duke anuluar ndërprerjet dhe çdo hiatus artificial!
***
Është një dukuri tashmë që e vë re kudo në librat e Moikomit, dukuria e pamohueshme e simbolizmit të jetës dhe historisë shqiptare.
Në poezinë „Futuristët në mungesë“, Moikomi sjell vullkanin e së Ardhmes të një të Shkuare të largët. Si një Udhëtar i Padukshëm, prek kohët e shkuara, e këtë prekje e transplanton në të Tanishmen duke i shtrirë duart drejt të Ardhmes.
Ndoshta këtu Moikomi vë në skenë dy personazhe të munguar në një farë mënyre, Majakovskin dhe Eluarin.
Nëse për Eluarin janë evidentuar në një farë mënyre mungesat kohore, për Majakovskin kritika letrare e kohës sonë po mundohet ta evidentojë sa më shpejt, duke perifrazuar idenë „Ku ta vendosim Majakovskin?“.
Flas për kritikën perëndimore, kjo një parantezë për nostalgjikët dhe jo nostalgjikët, për poetët, ose jopoetët!
Në fund të vëllimit „Lulja Centaur“ lexuesi befasohet me dy poema të titulluara “Antiprofecitë” dhe „Apokrifet“.
Poema e parë, një poemë me tema tunduese, është strukturuar me akrostikun Moikom Zeqo, ku mbizotëron një arsenal emrash, që më së shumti lidhen me germën „M“ e ku lexuesi ndeshet me vetë lëndën pjellore të teorisë moikomiane, siç janë Migjeni, Metafizika, Mikelanxhelo, Metafora, Mesdheu, Majakovski, Moisiu, Mesjeta, Mëma.
Libri më i ri i Moikom Zeqos “Lulja Centaur” është njëkohësisht dhe një Lule e Jashtëzakonshme në Kopshtin e Letërsisë Shqiptare.
Durrës-Montecchio Maggiore (Itali), 17 Prill 2018 – 20 Maj 2018
