Moikom Zeqo, kambanat e letersisë së ardhshme

Dita

Nga FATMIR ALIMANI

  

Mbretëria poetike

Gjithë poetët e vërtetë krijojnë mbretëritë e tyre.

Një nga poetët e sotëm shqiptarë që e ka krijuar këtë mbretëri është pa dyshim poeti Moikom Zeqo, zëri më impresionues dhe më sfidues i poezisë së sotme shqipe.

Ky pohim nuk është kurrfarë mungese e gjakftohtësisë së shikimit tonë dhe as kurfarrë shenje e patetizmit të theksuar të shqiptarëve.

Nuk është kështu, sepse kemi tashmë përballë, me të vërtetë, një mbretëri poetike, që nuk i mungon asgjë dhe që i mjafton fare mirë vetvetes.

Kjo mbretëri mund të quhet fare mirë mbretëria e metaforave dhe e filozofimit poetik, që arrin deri në përmasa sublime, për herë të parë në historinë e poezisë shqipe, në një gamë kaq të gjerë, që ngjan thuajse e pafundme.

Madje kemi gjithashtu shpalosjen e një sfide të fortë edhe në planin evropian e madje botëror.

Janë shumë të rrallë poetët e sotëm botërorë, të cilët kanë arritur të krijojnë një mbretëri të tillë.

Në planin e vogël, metafora moikomiane është një vazhdim kolosal i metaforës epike migjeniane dhe i metaforës lirike deradiane, ndërsa në planin e madh ajo përthith dhe shkon më tej metaforave të poetëve të mëdhenj të shekullit që kaloi dhe të shekullit në vijim.

Metafora moderne liriko-filozofike moikomiane që ka pushtuar territore kozmike dhe ka shpalosur një botëvështrim të ri dhe një poetikë personale që transformohet vetiu në një poetikë universale, përbën thelbin e kësaj mbretërie, në sensin aristotelian dhe njëkohësisht në atë migjenian dhe anglosaksonian.

Kalorësi i nëmur i metaforave

Metaforat e poetit Moikom Zeqo janë me të vërtetë të pazakonta dhe ato e rendisin këtë poet fare natyrshëm në gjirin e poezisë së madhe, me befasitë dhe poliseminë e tyre vërtet prezente dhe tepër ngjashnjyese. Në to thuajse gjithçka shihet ndryshe.

Gjithçka tingëllon estetikisht mirë e bukur në një harmoni të vetvetishme dhe jashtë çdo klisheje të qartë.

Ato mund të sfidojnë gjithçka, por pa ulërima dhe pasthirrma mediokre, ose pa asnjë gjurmë të optimizmit dhe të njëkuptimësisë, prej të cilave është e pushtuar sot poezia shqipe.

Do të përpiqem të vë në reliev vetëm pak prej metaforave të para, nga mali i ri, që Moikomi ka krijuar me to, në poezinë e sotme bashkëkohore.

Kështu, dimri përfytyrohet „si një statujë që rri i shtangur para nesh“, ndërsa ne ngjajmë akoma si fëmijë në një lojë të papërsëritshme. Ndërkaq Hëna… „sillet nëpër ëndrra lart si titull lirike“.

Poeti ndjehet qartësisht „si një Bard i Përjetshëm i Detit“. Siç shihet, fjala „deti“, shkruhet me germë të madhe.

Më tej, shfaqet kali, që është njëfarë princi ose mbreti në tërë metaforat moikomiane.

Ky është kali i tij, që vrapon pa pushim, dhe mbi krifat e tij vrapon edhe „forma e zbrazët“ e poetit.

Fare pranë këtij kali, „vetmia është një orë“, ndjenjat janë „beduinë të etur“, dhe madje Habia, është vendlindja e tij.

Sigurisht, ndërsa gjithë dykëmbëshat përreth janë të hapur e të lumtur, ai është „brenda vetes i mbyllur“.

Poeti atëherë merr një aftësi të pazakontë dhe kështu ai bëhet: tokë, det, kalë, perëndi, formë e zbrazët, pemë, botë lirike, gjysmëtokë e gjysmëdet, gjysmëvetvete e gjysmë ti, gjeni i vogël i aventurave dhe kërkues këmbëngulës dhe i përhershëm i krahasimeve të reja.

Ai përjeton njëmijë vdekje dhe njëmijë ringjallje, ai përjeton një gravitacion të dytë, një ajër blu, dhe njëkohësisht ai ndjehet si një faraon në dashuri, si një pelikan i vetmuar, apo … edhe si „një plesht që shikon te qafa e luanit të universit“.

Ai bëhet një pasagjer i jashtëzakonshëm i kohës dhe kërkon të deshifrojë i gjallë, „dialogun e vdekur të statujave“.

Kësisoj, metaforat krijojnë imazhe nga më të befasueshmet.

Muzgu bëhet Akil, orët lodhen „si kuajt“, dhe ai shpallet natyrisht tanimë me plot të drejtë, si një kalorës i nëmur i metaforave.

Në rastin e poezisë mediokre bashkëkohore, ai do të kishte qenë një kalë i bekuar.

Ai shkon më tej akoma, duke u bërë „lexues i ajrit“, shpikës i shahut të tij „me bashkëtingëlloret dhe zanoret e shqipes“, e më në fund, edhe „një shfletues i shekujve të ardhshëm“.

Në gjithë këtë pafundësi identitetesh e misteresh, është poeti ai që lëviz akrepat e orës, „me një shpejtësi fantastike të paparë si helikat e një aeroplani“.

Ai kërkon të zbulojë çdo herë sekretin e metaforave, sepse „kuajt dhe demat e metaforave“ janë për të, „më të plotfuqishëm se zotat“.

Ndërkaq, „shiu i mallit“ i ka njomur „flokët e simboleve“. Një imazh tjetër i jashtëzakonshëm na ndjek menjëherë.

Disa zogj përrallorë ulen të pijnë në Ebro. Përse janë vallë kaq të etur këta zogj të pazakontë?

Përgjigja është me të vërtetë aspak e zakonshme: “Për t’u bërë më pak të vdekshëm”.

Kush nuk dëshiron vallë, të bëhet më pak i vdekshëm, nëse pavdekësia është e pamundur?

Por, për t’u bërë i tillë duhet të pish të ardhmen, duhet të pish gjithë etjen e njerëzve të etur.

Ata që nuk kanë etje, nuk hyjnë aspak në këtë histori.

Ata nuk mund të bëhen kurrsesi, më pak të vdekshëm.

Por një imazh akoma më esencial na ndjek si të thuash këmba-këmbës. Një kalë. Natyrisht, një kalë jo pak i çuditshëm.

Ai bëhet bashkëkohësi ynë, bëhet ne. Por,

Kuajt,

s’ua lenë njerëzve

testamentet e tyre,

Veç në ua lënçin yjeve.

Një imazh që meriton të quhet homerik. Këtu kali ngrihet jo vetëm mbi njerëzimin, por edhe mbi yjet, sepse nuk është aspak e sigurt nëse “testamentet e tyre” ata do t’ua lenë, me të vërtetë, yjeve.

Në një thuktësi që arrin shkallën sublime, në katër rreshta krejt të shkurtër, kemi përpara nesh një botë krejt më vete: kuajt e pazakontë, njerëzimin, testamentet ose më saktë ardhmëritë, dhe gjithashtu yjet, domethënë botën tjetër.

Kësisoj, kali është tashmë një planet më vete.

Poeti Moikom Zeqo kërkon vazhdimisht një metaforë të re, i etur si një titan dhe i butë e i thjeshtë si një fëmijë, të cilin e pret një e ardhme e pazakonshme.

Dhe ai prandaj i quan metaforat e tij, “drithë i mbirë në planetin Mars”.

Dhe kalorësi nuk do të presë asnjë herë bekimin e tij, sepse ky do të ishte dënimi më i madh për të.

Fjalët

Raporti i M. Zeqos me fjalën është i veçantë dhe jashtë çdo klasifikimi e embleme. Poeti i ndjen fjalët përballë tij, si krijesa të gjalla, dhe kërkon t’u veshë atyre “lëkurat tona”.

Por plagët ndodhen kudo.

Fjalët notojnë në lumenj gjaku.

Poeti ndjen “një Ebro të gjakut në plagën mitike të fjalës”. Nga ana tjetër ai mund të dëgjojë edhe librin e heshtjes ose pauzat në mes të fjalëve.

Ai mund të festojë madje edhe “festën postume të fjalëve”.

Më tej akoma, ai mund t’i përfytyrojë galaktikat, “si fjalë të pathëna”.

Dhe njëkohësisht poeti kërkon me ngulm të gjejë mënyrën e veçantë për të mbushur fjalët e zbrazura, “me këtë univers”.

Kërkimi merr gjithashtu thuajse gjithnjë një trajtë epike, sepse,

Fjalët janë si harku,

që s’e tendos askush.

Pamposhtësia e fjalëve! Ja guri i Sizifit për poetin e vërtetë. Fjalët janë djajtë më të shkathtë e më të pakapshëm. Në çdo fjalë gjenden 33 djaj. Ndërsa qëllimet e poetëve dhe shkrimtarëve luajnë përfundimisht një rol dytësor, sepse librat e vërtetë luajnë pavarësisht nga krijuesit, lojën e tyre vetjake.

Personaliteti

Autor i një korpusi poetik tejet hapësinor dhe i një proze moderne të paparë ndonjëherë në këtë intensitet e densitet, M. Zeqo është me të vërtetë një fenomen i rrallë letrar.

Me një poezi dhe një prozë jashtë klisheve, modave të përkohshme dhe formulave të ngurosura, ai përfaqëson një drejtim të vetin, tjetërsoj, të panjohur nga letërsia e gjersotme shqipe, që mund të quhet ndoshta, realizëm surealist.

Është një fakt i mrekullueshëm përqasja e tij me lavdinë, që ai e quan mjeshtërisht një “alibi”. Një zog i rrallë fluturon në tërë krijimtarinë e tij të begatshme, pranë një kali planetar, pranë një Zoti dhe pranë Currilave të fëmijërisë, që janë kthyer tashmë në një lloj Parajse tjetër.

Zeqo kalon lehtësisht nga poezia te eseja, rrëfimi, paradoksi, arkeologjia, piktura, filozofia dhe estetika.

Ai nuk rresht të na befasojë jo vetëm ne, por madje edhe vetveten. Në personalitetin e tij zë natyrisht një vend të nderuar: dijetari.

  1. Zeqo është një dijetar i rrallë. Një guximtar. Një paradoks dhe një shembull i qartësisë polifonike.

Sa më shumë kalon koha aq më shumë shkëlqen vepra e tij.

Madje më tepër, në mungesë.

Shqiptarët e ardhshëm janë miqtë e tij më të mirë.

Jo vetëm ata.

  1. Zeqo është nga të rrallët që di të revoltohet kundër mediokritetit dhe provincializmit, që vazhdon të jetë ulur këmbëkryq në Shqipëri, natyrisht i mbuluar me ca maska qesharake dhe linçuese.

Mjerisht, mendimi shqiptar vazhdon të mbetet i helmuar nga vetvetja dhe i shokuar nga paaftësia përballë lirisë dhe mistereve të saj. Ky mendim i helmuar më kujton Hegelin, kur thotë bukur dhe qartë: “Artisti që don të imitojë natyrën nuk është veçse një krimb i tokës që kujton se është një elefant”.

  1. Zeqo është i bindur që “jashtë krizës nuk ka poezi”.

Përreth gjëllojnë, të panumërueshëm, njerëzit dhe artistët e lumtur, njerëzit e mëdhenj, njerëzit bosh.

Pessoa, ndërkaq nënvizon qartë, që “lavdia, sot u përket gladiatorëve dhe bufonëve”.

Por, pa u tundur aspak, bijë e një krijuesi të pavarur, i cili ka krijuar mbretërinë e tij poetike, me metaforat dhe fjalët e tij të ringjallura, poezia moikomiane rrëshqet nëpër epoka dhe shekuj, si një troftë lojcake dhe inteligjente nëpër gurët e një lumi të shenjtë

Sipas Octavio Pax, “poeti është vetëdija e fjalëve”.

Vetëdija e veprave tona do të na gjykojë një ditë të gjithëve. Asokohe, të vdekurve dhe atyre që u morën nëpër këmbë nga indiferenca primitive ose nga ligësia e mjerë, do t’u ngrihen statuja. Migjeni, natyrisht ai, “ndoshta që nga dritarja e Hënës, do t’i hedhë atëherë poetit një Trëndafil Blu”…

LUANI MBI MALE BARUTI

Në nderim të përjetësimit të Gjeneralit të hijshëm përballë syrit të diellit dhe manushaqellëkut  të hënës sipër majavet të vargmaleve të Labërisë, ku bie dhe s’do pushojë trumbeta  e Historisë për këta lloj burrash të paarrritshëm dhe të pavdekshëm si Maman Sali Vranishti, vranishtjoti që do jetë një shtizë flamuri për brezat e ardhshëm.

Lefter ÇIPA

Pse bije maleve trumbeta,
Mos bije për Maman Salinë,
Gjenerali i kohve të serta,
Gjeneral për Labërinë.
Ai s’ndalet kurrë nga jeta,
Ndaj t’i nderojmë burrërinë,
Guximi i tij s’ndahet me feta,
Kush nuk ja njeh Historinë.

Komandant e sorkadh mali
Mbi supe i frynte veriu
Të gjithë të fjeturit e varrit
Ngriheshin nga vetullziu.
Tundeshin këmbët e malit
Sikur gjëmonte garbiu
Majë më majë të stërrallit
Shkrepte gishti i sojëlliut.

Çdo betejë e burrëroi
Midis fronteve të zjarrit
Namin e bëmave ja shkroi
Vlor’ e Ismail Qemalit.
Patriot që kurrë s’përtoi
Shkoi në gjurmë të të jatit
Nga gjaku që i këndoi
Këndonte çdo shpirt i beharit.

Ish një lis, lis degashumë
Ylber me rrath ylberi
Mbi tramundanë e furtunë
Ai ish një Zeus nderi.
Nder i bukur në tribunë
Zëri i tij, zë kongresi
Që nga Vjosa gjer në Bunë
Ngrihej si një tallaz deti.

Ngehu Maman, për gjumë mos bjerë
Dil përkarshi lumit të bardhë
Hiqe baltën, hape dhenë
O kurora mbi jataganë.

Kishe pak ortakë të tjerë
O gjerdani mbi gjerdanë
Merrja, ktheja me të prerë
O zjarri mbi borën e bardhë.

S’e besojmë , që atdhetari
Nga Vranishti është mërguar
S’ndahet dot nga vatani
Se për të qe përgjëruar .
Ai është me merak malli
Malli s’i ka perënduar
Prapë ngre dollinë i pari
Labërisë i thotë: Gëzuar .

O burri me rrëmbime garbiu
Ty të zijë, por s’të vrit plumbi
S’të vrit o Maman Saliu
O luan mbi male baruti.
Gur i rëndë i Vranishtit
Maman Sali nishanlliu
Këngë e zemerekut të gishtit
Gjeneral, malli na griu.

Share This Article
1 Comment
  • Nuk ka letersi te ardheshme e te shkuar. Ka letersi qe u qendron koheve dhe letersi mediokre si kjo qe sundon sot ne Shqiperi. Te tjerat jane teori per te mbeshtetur mediokritetin i cili eshte bere zoterues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *