Moikom Zeqo, kulti i parasë dhe shitja e hënës

Leda Hysa

(Intervista e Moikom Zeqos dhene gazetares Anila Dedaj )

(Në ecejaket e tij rrugëve të kryeqytetit është gati e pamundur ta takosh pa ta. Librat dhe Moikom Zeqo, duket sikur janë krijuar për të qenë një binom i pandashëm. Me kapelën e rrumbullakët, kostumin klasik, pallton e errët, dhe çantëzën me libra, nuk mund të mos e vëresh se ka diçka madhështore tek shkrimtari, arkeologu dhe mendimtari që shkon përtej dijeve.

Dhe ja! I përshëndet njësoj kolegë, njerëz të thjeshtë e kamerierë, bisedon me ta me përzemërsi, duke na lënë të kuptojmë se “enigma” fshihet tek thjeshtësia. “Sa më i paditur të jesh aq më shumë mend shet”, do të shprehet shkrimtari  gjatë rrëfimit të tij për “Shitjen e Hënës”. Shumëkush ndoshta e ka të vështirë për ta besuar, por ja që Hëna mund të shitet. “Në rrugën 395 në Nevada, Denis Hope shet terrenet për më pak se 50 euro hektari” rrëfen Zeqo nëpërmjet prozës që mban të njëjtin titull si të librit të tij që sjell për lexuesin “Parabola Shekujsh”.

“Dhe jo rastësisht titulli përfaqësohet nga “Shitja e Hënës”, sepse është një titull më aktual dhe sot presupozohet që të kemi shumë fe të mëdha botërore, por Kryefeja mbetet ajo e Parasë”, shprehet shkrimtari.

-I  nderuar Moikom, riktheheni tek lexuesi me “Shitja e Hënës”, përse keni zgjedhur këtë titull gati imagjinar për librin tuaj?

-Libri im më i ri sjell narrativa të shkurtra, që unë i kam quajtur parabola.

Madje i kam quajtur “Parabola shekujsh” për të treguar edhe një shtrirje të pakufizuar në kohë të subjekteve.

E kam titulluar “Shitja e Hënës”, jo thjesht si një trill apo një motiv fantazmagorik të shpikur.

Kam lexuar në lajme edhe në të dhëna të shtypit botëror se vërtet ekziston një agjenci tregtare, e cila ka një license,gjoja të konfirmuar , që është e autorizuar  për të shitur territore të Hënës, e cila ende nuk është e banuar nga njerëzit.

Pra flitet për territore shkretëtirash, të përcaktuara me hartën përkatëse, ku milionerë të ndryshëm kanë mundësinë të blejnë pjesë të veçanta të hënës dhe t’i konsiderojnë si pronën e tyre private.

Kjo është një ngjarje që unë e kam lexuar nga shtypi botëror dhe mbi të unë bëj shtjellimin tim letrar, duke treguar sesi në një shoqëri, ku parimi kryesor është ai i shitblerjes mund të shiten dhe blihen gjërat deri në kufi të absurdit, siç është fjala edhe për hapësirat e pabanuara me njerëz të Hënës. Dhe jo rastësisht titulli përfaqësohet nga “Shitja e Hënës”, sepse është një titull më aktual dhe sot presupozohet që të kemi shumë fe të mëdha botërore, por kryefeja mbetet ajo e parasë.

Duket si një fe laike, por është feja që ka mitologjizuar më shumë edhe politikën, filozofit dhe shumë aspekte të vendimit njerëzor. Njeriu mund të mos e besojë se Hëna mund të shitet, por ja që është e vërtetë. Edhe Hëna mund të shitet. Pra midis kësaj dileme është edhe sekreti i të shkruarit këtë libër :“… jam i bindur, që sekreti i shpëtimit të letërsisë është te ringjallja dhe në rikonceptimin e saj.

Letërsia është në kërkim të një identiteti tjetër, që nuk e mohon rolin e amshuar të letërsisë”.

 

        -Tregimet tuaja në një stil krejt të veçantë, ç’mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj?

-Unë e kam shkruar këtë koleksion të prozave të shkurtra, duke pasur parasysh zhanrin e parabolës. Parabola është një zhanër, i cili dallohet nga shkurtësia dhe mundësia e dhënieve të kuptimeve, pra e një semantike të brendshme, në mënyrë melankolike dhe të befasishme.

Përgjithësisht parabola janë format e ligjërimit simbolik, përshembull shumë nga tekstet që i atribuohen Krishtit në Ungjill kanë zhanrin e parabolës prandaj quhen parabola biblike. Flitet për një subjekt dhe nëpërmjet analizës të simboleve të ndryshme të këtij subjekti u komunikohet të tjerëve kuptimshmëria maksimale.

Ky zhanër i parabolës ka një lloj ngjashmërie me atë të një zhanri të përhapur shumë në kulturën folklorike të popujve, siç është ai i anektodës, ose i tregimit topologjik të personazheve kryesorë të folklorit të popujve për të dhënë disa të vërteta universal.

Pak a shumë kjo ka të bëj me një lloj përkufizimi të termit të parabolës.

Janë shumë parabola të përmbledhura në këtë libër, i cili është pjesë e një dorëshkrimi tim që unë e kam mbaruar në vitin 2008. Ua kam dërguar disa shtëpive botuese, por nuk e kanë botuar për arsye të kërkesës këmbëngulëse, se botimi i librit duhej paguar dhe në fund gjeta shtëpinë botuese “WestPrint” që bëri një botim luksoz me hart cover:“…disa nga tregimet e mia u ngjajnë më tepër sinopseve kinematografikë, janë të papërfunduar, janë rrathë, që futen dhe dalin nga njëri-tjetri, makrokozmosi ndrydhet në mikrokozmosin në atë mënyrë që çdo miniaturë është njëkohësisht gjithçka e pamatshme”.

-Cilat janë tematikat që trajtoni në librin “Shitja e Hënës”?

-Mund të them që në koleksionin tim të parabolave ka nga më të ndryshmet, përgjithësisht lidhen me kulturat e mëdha të njerëzimit, ose me element të qytetërimeve.

Fjala vjen një pjesë e madhe e parabolave lidhen me kulturën e Lindjes, të filozofive mistike që ka Lindja.

Përshembull parabola të budizmit, të zarathustrizmit, mithriatizmit, ose të filozofisë sofiste.

Ka dhe parabola të cilat lidhen me kulturën perëndimore, të qytetërimeve evropiane përgjithësisht, duke trajtuar metafizikën, apo teologjinë.

Shumë nga subjektet mund të jenë të cituar nga disa filozofë siç është Bonaventura, një mistik i krishterë, i cili veç të tjerave thotë se ngjarjet shikohen në dy forma: “Si objekte, por edhe si simbole. Kanë dykuptimshmëri”.

Shtjellimi i metafizikës në ligjërim është një formë e vështirë të shkruari, për shembull unë padyshim nga leximet e mia kam përfituar shumë nga elementë të tillë të mjeshtërve të mëdhenj të metafizikës siç është  Mjeshtri  Eckhart, i cili është marrë me mistikën.

Ose Thomas Aquinas që është quajtur Aristoteli me tosure. Shumë parabola lidhen edhe me historinë shqiptare, me çamët, me ngjarje që lidhen me antikitetin, me mesjetën e Shqipërisë.

Ka disa parabola që i kushtohen një mistiku të madh që kemi ne, që është edhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashri.

Për të treguar një shembull sesi parabolat kanë karakter universal mund të përmend “Gjumashët e Efesit”. Efesi është një qytet në Azi, në territorin e sotëm të Turqisë. Një qytet i famshëm, ku ka qenë një tempull i madh, “Tempulli i Artemisit të Efesit”. Pastaj më vonë legjenda e krishterë thotë se aty është varrosur edhe Maria , nëna e Jezusit. Parabola e Gjumashëve” rrëfen se si disa djem të rinj të krishterë ngaqë përndiqeshin (se të krishterët e hershëm më herët përndiqeshin për bindjet e tyre) futen në një shpellë dhe aty i zë një gjumë i gjatë, i cili vazhdoi për  309 vjet.

Pastaj kur çohen nga gjumi vërejnë se sa ka ndryshuar realiteti. Tashmë të persekutuarit nuk persekutohen më, përkundrazi të krishterët tani sundojnë dhe persekutojnë kundërshtarët e tyre. Dhe tregon se si këta të zgjuarit që fletën për 309 vjet, befas jetojnë në dy realitete të cilat kontrastojnë njëra-tjetrën.

Mua kjo parabolë më ka interesuar shumë për të treguar edhe simbolikat e ngjarjeve se si përplasen dhe alternojnë me njëra-tjetrën.

Mund t’ju përmend gjithashtu parabolën për jetën e “Shën Onufrit” bëhet fjalë për shenjtorin e quajtur “Shën Onufër”, nga i cili ka marrë emrin prej kalendarit kishtar edhe piktori ynë Onufër, piktori gjenial i shekullit të XVI-të. Unë kam botuar tre libra deri më sot për studimin e artit post-bizantin të Onufrit të madh, të afreskeve dhe të ikonave të tij të mahnitshme, por e ndjeva të nevojshme të shkruaj diçka edhe nga historia e jetës së shenjtorit Onufër, i cili ka jetuar në shekullin e IV-ët pas Krishtit, në atë që quhet shkretëtira tebeane në Egjipt.

Ka dhe parabola të tjera që lidhen dhe me politikën, madje edhe me element të tillë të pjesëve dhe të fragmenteve shpërthyese të disa personaliteteve siç është përshembull Dantja, Shekspiri, ose figura të tjera të karakterit antik siç është Aleksandri i Madh,  ose Zhan d’Ark në Mesjetë, Karl Topia ose Gjergj Kastriot Skënderbeu.

-Sa e vështirë është për një shkrimtar të trajtojë prozën e shkurtër?

-Shtjellimi i një proze të shkurtër e vendos shkrimtarin në një provë shumë të madhe.

Sepse përgjithësisht është më e lehtë të shkruash gjatë dhe ta shtjellosh sipas një rendi të caktuar: fillimi, kulmi dhe mbarimi i një subjekti.

Kurse për të shkruar në mënyrë lakonike duhet të gjesh atë që quhet e befasishmja.

Kjo është e vështirë të gjendet.

Stili i këtyre parabolave është i kursyer, pra një stil muskuloz.

Nuk ka shumë fjali lidhore, madje synohet të mos ketë fare të tilla.

Pra veprimi të shtjellohet midis kallëzuesit dhe kryefjalës.

Me pak fjalë është një prozë, e cila ka atë që quhet stil i thjeshtë oose stili Atik .

Natyrisht për këtë kanë ndikuar tek unë edhe shkrimtarët që lëvroj, si francezi Denis Diderot. Romanin e tij të famshëm  “Zhaku Fatalist” unë e konsideroj një nga prozat më moderne që kam lexuar gjatë gjithë jetës sime.

Ndoshta ai që quhet lakonizmi i stilit, urtësia e të shprehurit nuk është pa ndikim edhe nga stili i mjeshtërve të mëdhenj të iluminizmit francez.

Mund të përmendja edhe Volterin, i cili gjithashtu bën pjesë tek shkrimtarët që unë lexoj edhe sot.

Po dhe Borhesin, Danillo Kishin, Bruno Shulcin, Kortazarin,Paskal Kinjarin, Kosta  Vernalin, Milorad Pavicin. Milan Kunderen, Klaudio Magrisin,  Kadarene etj.

Në letërsinë shqiptare, proza e shkurtër është shumë e vështirë, -pra ka pasur një lloj vonese në trajtim ndryshe nga vendet e tjera, siç përmenda më sipër francezët.

Pra, pak janë njerëzit të cilët kanë bërë prozën e shkurtër parabolike.

Mund të përmend Konicën, i cili ka disa parabola që janë të jashtëzakonshme, Noli ka disa  proza parabolike.

Po   ndoshta kulmin e lakonizmit e ka arritur Migjeni.

Po ju risjell në kujtesë dy proza që janë të njohura për publikun shqiptar dhe që kanë një aktualitet të mahnitshëm. Njërën e ka shkruar kur ka qenë 24 vjeç që quhet “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”.

Një prozë që ka një forcë programuese dhe iluminuese dhe sot kur e lexon dhe nuk është më shumë se një faqe. Tjetra, të cilën unë e quaj një lloj zeniti të parabolave është proza “Vetëvrasja e trumcakut”, e cila gjithashtu nuk është më shumë se një faqe.

“Të korrunat” mandej ka një subjekt gati profan midis realitetit dhe imagjinatës. Në fillim fare, fshatarët mbjellin tokat dhe në vend që të mbijnë drithërat mbijnë topat. “Do të mësoheni me ngranë hekur!”, thuhet në fund të prozës… Është një parandjenjë  dhe profeci para Luftës së Dytë Botërore.

  • I dashur Moikom, gjatë 2018-ës patët mundësi të sillnit disa botime për lexuesin shqiptar.

 Çfarë ju shtyn të bëni një punë të tillë intensive?

 

-Në kohën e tanishme unë jam një pensionist edhe kam kohë të lirë, të cilën nuk dua ta çoj dëm.

Aq më tepër që edhe sëmundja më ka dhënë ndjesinë se nuk dua të harxhoj më kohë…, se nuk e kam më të gjithë kohën tashmë në dispozicion për shkak edhe të sëmundjes .

E dyta, një pjesë e këtyre botimeve janë pjesë e librave të shkruar më parë.

Unë jam shumë i gëzuar që arrita ta botoj dorëshkrimin tim të vitit 2008, që është “Shitja e Hënës”. Më duket sikur e kam shkruar sot. Libra si “Sinopse për Skënderbeun”, apo romani i shkurtër “Tre rrëfenja të shekullit të XV-të” janë të shkruar më përpara.

Unë punoj me një kohë të kufizuar.

Zakonisht ulem në mëngjes, edhe pse jam edhe më i freskët .

Ndërsa, pasditeve jam më i lodhur.

Mirëpo, po të punosh çdo ditë nga një orë e gjysmë, falë edhe teknologjisë që kemi sot, mund të punosh më shumë dhe më mirë.

Kompjuteri të lejon të bësh edhe redaktime.

Ndoshta ngaqë nuk punojnë të tjerët, ose bëjnë nga një libër në 5 vjet, ose nga një librushkë në 10 vjet, duket sikur unë jam punëtor i madh.

Kolegët e mi, shkrimtarë amerikanë me të cilët kam edhe një letërkëmbim janë shumë më produktivë dhe botojnë shumë libra. Ata përdorin edhe diktofonë që arrijnë të konvertojnë fjalët në germa.

Diçka të tillë e bën edhe miku im, shkrimtari i madh amerikan  Richard Power.

Mandej njerëzit shpesh habiten për librat e shumtë që boton Down Brown, mirëpo ai ka një ekip me të cilin punon.

-Ju përmendët më sipër shkrimtarë të huaj mjaft të njohur me të cilët keni edhe miqësi tanimë.

Por si ndiheni ju si shkrimtar shqiptar përballë tyre?

-Mund të pohoj se kam shkuar në disa kampuse të universiteteve amerikane, mirëpo nuk e kam ndier ndonjëherë ndjenjën e inferioritetit…

Përgjithësisht shkrimtarët janë shumë të thjeshtë si njerëz, nuk shesin mend.

Ndodh që sa më i paditur të jesh, aq më shumë mend shet. Pasi, kur je i ditur shikon se rreth e qark ka male e nuk thua dot se: “Jam mal!”. Se janë të tjerët!

Por aman ndjenjën e inferioritetit nuk e kam ndjerë me kolegët amerikanë.

Natyrisht që ata kishin njohuri për shkrimtarë amerikanë, apo të tjera që i dinin më mirë se unë, pasi kishin lindur aty.

Por kur u thoja diçka të veçantë për Whitmanin (shkrimtar dhe gazetar amerikan 1819-1892) ata habiteshin. Pastaj kishte fusha që ata nuk i njihnin.

U flisja për pikturën, për arkeologjinë…, prandaj mund të them se nuk e kam ndjerë ndonjëherë veten inferior.

Kurse ndjenjën e madhështisë nuk e ndiej, sepse për fat të keq letërsia shqipe nuk njihet fare në botë, madje nuk njihet Shqipëria në botë.

Shumë prej kolegëve më pyesnin se ku bie Shqipëria… Si të shesim mënd ne tani sikur jemi qendra e botës?

 

-Ju e thoni më sipër se Shqipëria nuk njihet në botë…Sipas jush, çfarë do të lartësonte në njëfarë mënyre emrin e një vendi të vogël si i yni?

 

-Shpesh thuhet se një populli vogël është i papërfillshëm, por kjo nuk është e vërtetë.

Një popull i vogël bëhet i madh, kur nxjerrë njerëz të mëdhenj.

Unë shkoj shpesh në Holandë, sepse kam vajzën e martuar aty. Holanda nuk është një shtet i madh, madje është gati sa Shqipëria, mirëpo ka nxjerrë piktorët më të mëdhenj të të gjithë kohërave. Një Rembrandt, që është më i madhi i të gjithë kohërave, Van Gog,po ashtu, Hieronymus Bosch ,apo Vermer, Brygelietj., të gjithë janë personalitete botërore. Pastaj dy mendimtarët më të mëdhenj të Evropës Veroire janë Erasmo da Rotterdam dhe Baruch Spinoza, ndërsa ne s’kemi nxjerrë një filozof shqiptar te permaave boterore. Po flas në kuadër botëror,- pasi në kuadër kombëtar kemi disa emra.

Po kush i njeh?

Dhe sa i njeh bota ?

E pra, duket sikur Holanda është shtet i madh, por kjo ndodh pasi ka njerëz të mëdhenj.

Po intelekti i shqiptareve eshte i jashtazakonshem.

Po duhet kultivuar.

Ne kete kuptim Shqiperia Letrare merr nje rendsi te patjetersueshme.

Dhe absolutisht te pazevendesueshme.

Share This Article
1 Comment
  • Eh, Moikom,kur te takonja djale te ri ,fantastik energjik, fantastik zbulues i botes se re,fantastik i dashur dhe i respektuar!
    Sinqerisht te uroj nga zemra ty dhe familjes tende: THE BEST !
    ILIA Saro. U.S.A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *