Moikom Zeqo, ose të jesh një libër

redaktor

Kur Oskar Uajlldi tha “Dua të jem një libër”, të gjithë miqtë e tij krijues mblodhën supet me skepticizëm. Shumica nënkuptonte se ai kërkuaka shumë pak nga kjo jetë; vetëm koha pak nga pak i dha të drejtë mjeshtrit të madh që kish folur për dëshirën e të gjithë poetëve dhe artistëve të vërtetë. Që kërkojnë pavdekësinë. Mijëra e mijëra poetë në botë lakmojnë të jenë një libër, por nuk munden. I rëndësishëm është procesi, nisja, përditshmëria deri në fund të frymëmarrjes. Pavarësisht kush kualifikohet për të mos vdekur. Nga mjediset e letërsisë sime preferuese unë zgjodha Moikom Zeqon, më produktivin, njeriun që e ka kthyer jetën në libra, të njohurin dhe të paeksplorueshmin; zgjodha poetin që vete ngrë dolli me korifejtë e letërsisë, shkrimtarin që nuk dëshëron të ngjajë me asnjë, eseistin që nuk ha bukë po libra, ha poetë, shkencëtarë, filozofë dhe shpesh herë futet nën dhe për të ngritur bustet dhe statujat modeste të të vdekurve tanë të mëdhenj. Aleksandrit, Pirros, Buzukëve, Bogdanëve, Onufrit, Naimit, Migjenit…, zgjodha Moikomin si një metaforë të errët mbushur me rubinë drite dhe të zinj. Që e ka Diellin përbrenda. Zgjodha eruditin e pashoq që e ka kthyer jetën në luftë për t’i rrëmbyer dijen, poezinë ose metaforën. Dhe këta janë shkrimtarë të lindur. E nëse do kisha mundësi t’u thërrisja njerëzve të lexonin poezi, tregime romane, drama, filozofi, psikologji , teologji, metafizikë, psikoanalizë, histori arti.., pra gjithçka që përbën kulturën krijuese dhe dijen njerëzore, mos hapni enciklopedinë e ftohtë, por kërkoni  Moikomin. Të gjeni njeriun. Punëtorin, eksploruesin e metaforës. Këtë metaforë vetullzezë sa fisnike e çoroditëse, aq kryelartë e sqimatare që përveçohet nga të gjithë krijuesit shqiptarë. Ai punon nën dhe. Në një kafene budrum. Tepër mikpritëse për të gjithë poetët. (Unë them, do shkoj tek Hadi të takoj Moikomin). Ca vjen si ezmer nga fytyra, ca nga mungesa e dritës, më duhen disa minuta ta shquaj atje tek punon në trojet e tij të vetmisë, atje në Had, në një tryezë të vogël, përqafuar me djajtë dhe hyjninë e vet. Rreth e rrotull mureve ka afishuar pikturat e tij; biblioteka e tij e rrëmujshme duket sikur përmban të gjithë librat e mëdhenj; për njeriun dhe detin, lashtësinë, Durrësin, arkeologjinë , kritikën, gjithçka, gjithçka… Dhe më duket se po takon një murg nga ata të mesjetës që punonin të vetmuar, ngarkuar me të gjitha dijet e botës mbi shpinë.

Moikom Zeqo hyn ndër ata krijues që mendon se letërsia nuk bëhet vetëm kur bie hëna, ylli i mëngjezit a  kur të vjen boshllëku apo absurdi. Shkrimtari është gjithmonë i karikuar; punon e shkruan me mendje e me zemër çdo ditë e çdo orë. Dhe natën. Dhe më tepër kur nuk shkruan. Sidomos në ëndërr. Të tillët si Moikomi jetojnë gjithmonë në një kryqëzim ere përballë natës. Ai dhe banaliteti i vrazhdët i jetës janë dy thika që rrotullohen tek njëra tjetra. Demoni banon kudo. Ka dalë hapur tani. Pa maska. Dhe në krye të shtetit. Dhe brenda njeriut. Dhe nuk njihet mirë origjina; është demon që del nga lulja apo lule që çel nga demoni. Poeti është opozitë e përhershme. Edhe kundër vetvetes. Moikomi është një libër fletëshumë. Voluminoz. Galaktikë shkronjash të zeza mbi fletën e bardhë a mbi ekranin e kompjuterit. Por dhe i padukur, ose i zi mbi të zezë. Për të tillët Hajdeggeri e njëjtëson veprën me qenien. Vepra është një qenie poetike. Ajo ka strukturën e shtresimin e qenies njerëzore dhe arti i lindur me njeriun, më së shumti, ka shërbyer si përgjigje për të panjohurat e pikëpyetjet që e rrethonin çdo ditë, me të cilat ndeshet dhe sot; arti hyn te përpjekjet e pafundme të njeriut për eksplorimin e vetvetes, me të gjitha regjistrat e saj të koshiencës dhe subkoshiencës, me një mënyrë të veçantë, që ne e quajmë poetike. Moikomi është nga të parët shkrimtarë që braktisi dinakërisht idetë, mesazhet, tematikat apo problematikat e diktuara dhe, relativisht, me të tjerët u muarr me librin e tij, metaforën dhe formën, natyrisht larg disidencës së pamundur. Edhe i përkëdhelur edhe i kërcënuar. Vazhdimisht në shënjestër. Sipas oreksit të xhelatit. Nëse herë herë në këtë sprovë e teproi duke hedhur trëndafila më shumë se ç’duhet, gjithsesi, drejt një metafore të rëndësishme të fjalës shqipe, i pamundur ta fus në skaner të tërin , desha të përgjërohem për të gjithë ata poetë dhe shkrimtarë shqiptarë, për të tillët me vullnet të palëkundur që punojnë sistematikisht për fjalën shqipe, duke sfiduar shpërfilljen e shoqërisë, varfërinë dhe injorancën. Respekt për ata kolegët e mi (nuk po i i rendit në një listë se vlerat letrare ngrysin vetullat dhe kanë njëfarë pezmi sqimatar për  listat, rreshtimin dhe numrat). Letërsia mbahet me korifenjtë, por e pranon hierarkinë dhe e di se vlerat e vërteta gjithmonë dhe në çdo disiplinë të dijes dhe kulturës njerëzore, janë relative. Dihet që ka dhe nga ata që botojnë kotsëkoti. Që kanë ca para në xhep dhe i kthejnë në libra. S’ka të keqe këtu. Dhe ata duan të lënë një libër për familjen, farefisin, lagjen apo fshatin… pse jo, dhe të duken pak si shkrimtarë. Është e drejta e tyre. Jetët e njerëzve janë relative. Dhe metaforat. Respekt edhe për këta që dëshirojnë të vdesin të bukur. Faji qëndron tjetërkund. Të shkruash vazhdimisht do të thotë, ta kthesh jetën në kërkim të së bukurës, ta përfytyrosh botën një libër fletëbardhë të pafundmë që duhet plotësuar fije për fije, ta ndjesh jetën në çdo qelizë e të futesh në të fshehtën e gjërave; do të thotë t’u japësh zë zonave të shurdhëta, t’u ngrohësh sadopak zonat e ftohta, t’u japësh dritë zonave të errëta – dhe këto jo në kuptimin fizik e astronomik, por përbrenda njeriut, t’i japësh zë e dritë dhimbjes së tij. “Arti im dhe hiri im qëndrojnë për të emëruar botën pasi kam njohur bukurinë dhe patjetër më duhet të siguroj shtigjet dhe territoret e saj, – do shkruante  Rene Çhar –  prandaj duhet të pranojmë se shkrimi është shkatërrimi i të gjitha zërave, i çdo origjine”. Ky është thelbi, nordi dhe deviza e çdo poeti….

*  *  *

Dhe ka një revoltë të brendshme ky poet, një  dëshpërim të thellë, një pezmatim aq fin, sa kur e pyes për veprën enthusiazmohet si fëmijë, por një lot i zi i shfaqet në qepallë; e di se librat e tij janë jashtë kohe, për të gjithë dhe për asnjë. Bashkëkohësia nuk mund të merret me të, edhe nuk do, edhe nuk mundet. Të dy palët heshtin. Me shpërfillje tinzare. Ai është më i pranishëm në të shkuarën e hyn e del nëpër selitë e të vdekurve të mëdhenj… Moikomi shkruan për gjithçka, ndërsa në “kapitujt” e fundit të metaforës së tij  preferon heshtjen dhe mungesën, hidhet përtej varreve dhe yjeve dhe nxiton të të përqafojë engjuj të dyshimtë e trëndafilave që vrapojnë si kuaj. Si i dehur. Mistik. Dhe orakull. Magjik në detaje por romantik i lindur, lëndor dhe iracional, imponues si diktator dhe fantastik e absurd si Bibël e panjohur, a Kuran i palexuar.… Letërsia është punë sistematike, vullnet çmendurak,  pasion përvëlues, dhunti e lindur, përditshmëri dramatike. Dhe  Ankth. Dashuri. Dramë. Shkurt dhimbje njerëzor.

*   *   *

Nuk  merrem dot  me dhjetra e dhjetra libra të tij në të gjitha gjinitë (më duket se e ka kaluar qindëshin), jo. Unë do t’i përmbahem tezës se shkrimtari shkruan vetëm një libër me kapituj të shumtë me qindra e mijra faqe. Dhe nuk e vë në dyshim drejtimin e duhur. Ose nordin e poetit. Këtu nuk ka receta. Floberi thosh, do bëj në libër të madh pa emër …dhe bëri “Zonjën” e famshme me emrin Gustav Flober. Tjetri bëri 90 drama dhe nuk i mbeti asnjë. Një tjetër ndërton galeri të tëra metaforash në dhjetra libra, një tjetër pallate shumëkatëshe. Tjetri vetëm një. Xhojsi me tri libra mbeti shkrimtar botëror, e pra, bëhet fjalë për të mëdhejtë e kësaj bote, Homerin e Danten, Shekspirin dhe Gëten, Servantesin… e tek ne, pse jo, për Kadarenë dhe talente të mëdha si Konica e Migjeni…  Jeta e një artisti të vërtetë është një jetë ankthi, një jetë të tërë zhytur në moçalin e neveritshëm të materies, ndërkohë i duhet të ëndërrojë një jetë tjetër, të burimit të rrjedhshëm e të pastër të iluzioneve. Dhe për këtë nuk disponon asnjë mjet veç gjuhës artistike. Por Krijuesit si Moikomi janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka fjala. Dihet se që në lashtësi mendimi estetik mori funksionin e soditjes së botës si tërësi semantike, pa e pasur sistemin e provave që ka shkenca, por që nga lashtësia deri sot, poezia, arti janë të privilegjuar se, me vetëdije marrin përsipër një funksion ontologjik. Gjuha artistike është përçuesja e çdo pranie. Deri në barazim me qenien. Poeti e di se brenda gjuhës ka një forcë vdekjeje – kur ai e shmang realitetin duke e fshehur, duke e mbuluar dhe në boshësinë që krijon me ndërgjegje (ose instinktivisht), i jep imazhit pasqyrim jo lëndor – dhe kjo, bota si imazh, ndoshta është gabim i burimit të saj, e ndoshta prandaj izmat e shumta poetike e artistike kanë lulëzuar duke u zbehur e harruar – shkurt, gjuha artistike bëhen prani e re  e qenies njerëzore. E së pathënës.

*  *  *

Shkrimtaria e Zeqos nuk është një pemë me degë shumë, është një pyll i dendur me të gjitha llojet e pemëve; nuk është një pus i thellë nafte, por një zonë e tërë me shpërthime tip fontane; nuk është një lumë i qetë që ecën dremitur nëpër fushë, jo jo, është lumë i sertë bubullues që gremiset malit, del nga shtrati dhe si një rruspë gjigande e frikshme merr përpara gurë e trungje, metale të çmuara e dhera, plisa e trungje e baltë dhe gërryen, oshëtin, vrapon për të trazuar detin e tij; nuk është një sy që sheh tutje në thellësi të pamjes, jo, është një radar që merr e jep dritë yjesh… Ai priret në letërsi për të gjetur fillimin dhe fundin, ai pjell ide dhe i rrit në gjumë. Në mëngjes i vret për t’i bërë metaforë. Mund ta quash dhe “Parafjala për infinitin”, “Dorëshkrim”, “Perpetum mobile”, i thoni ç’të doni, ai është “Makabe Zaharia”, “Ofeli me mjekër”, një “Univers së prapthi”… Ai që tani është një libër. Të synosh të jesh një libër është pretendim aq i madh sa ka estetë që e barazojnë me “të jesh hyjnor”. Me gjithë hiperbolën, poeti e di se poezia e përsosur ose nuk ekziston, ose bëhet e pakapshme; re e bardhë që e shtyn era për në vitrinën e radhës në sallonet e modës.

*   *   *

Duke ndjekur Moikomin nëpër stacione të largët e të lodhshëm, qëndrova te “Libri i sinopseve”, që m’u duk si katalog i një qyteti të ndërlikuar. Dhe u futa në qindra subjekte, portrete, e m’u duk se Ferri qe më i bukur, më i pasur, më i njohur  se Parajsa… Nuk e di, këtu i lexova librat “Papagajtë e Nembrotit”, “Refuzimi i shkrimit”, “Eunukët ëngjëllorë” “Ofelia me mjekër”… Nuk e di.  M’u duk se lexova në një libër bërthama të çuditshme tregimesh, romanesh, poemash, të shkruara e të pa shkruara, ide vetëtimash, sfinksa, simbole emblematike e metafora të çmendura dhe fytyra të vdekurish që nuk duan të vdesin, plot 125 sinopse. Projekte pallatesh për një qytet të tërë me urbanistikë moderne mbushur me piktura asimetrike. Ai  flet për letërsinë shqipe si letërsi provinciale, letërsi e painkuadruar në letërsinë evropiane… (Shpesh më merr prej krahu e më thotë se do të duhej të çelej një dialog i vërtetë intelektual pikërisht për këtë tezë që e ka shfaqur edhe Arshi Pipa e më përpara Konica. Po, vëlla, ne kemi nevojë të ballafaqohemi me vetveten. Dhe të mohojmë metrazhin e hijeve të mëngjezit e të darkës. Të heqim dorë nga tabutë, nga liliputët dhe gjigandizmi artificial. Ne kemi nevojë të jemi të zakonshëm ose të natyrshëm. Kur do t’i shfryjmë dogmat që si tullumbacet mbushur me gazra asfikësuese për letërsinë si ato fetare, ideologjike, nacionaliste e pseudopatriotike, ë? Por “me sa duken bathët, janë larg pashkët”…) Të bëhesh një libër do të thotë të kuptosh sekretet e procesit të krijimit. Brenda artistit, jo vetëm në çastet e frymëzimit, është një hije permanente, embrioni i një bote të pafundme, imagjinatave. Sendet që “prek” poeti riemërohen në monoklin e syrit të tij, zmadhohen a zvogëlohen, abstragohen, tjetërsohen deri në mosnjohje. Bota poetike ridimensionon botën dhe njeriun në anët e padukura; zogu të digjet në duar dhe qielli e toka marrin përmasa të tjera shpirtërore. Po të perifrazoj R. Barthes, shohim se procesi i krijimit nis me një fatalitet të lumtur. Është ai çasti kur një fakt tregohet me qëllim jo kalimtar, dmth, jashtë çdo funksioni tjetër përveç ushtrimit të simbolit. Pikërisht këtu, kur fillon një shkëputje, (nis fataliteti), zëri humbet origjinën, autori i qaset vdekjes, dmth, fillon shkrimi; të duhet të gjesh dritën e shpirtit të njeriut, të duhesh të ndërtosh lirinë.

*   *   *

Unë nuk jam në gjendje të them, në cilin gjini është ylli i Moikomit. Herë-herë më duket se ka hapur krahët e gjatë për t’i përfshirë si ujkonjë mitike romake të gjitha gjinitë në stomakun e tij. Por, gjykuar sipas shijeve të mia, ai së pari është poet dhe eseist. Të dyja këto dhunti e lejojnë t’u bjerë trojeve të artit, historisë dhe dijes njerëzore kryq e tërthor. Poezia e tij (mijëra vargje e poezi) në dhjetra vëllime përbëjnë një magmë të nxehtë, kontinentale; të duket se krejt tejpamja është vullkanike e se pritet të shpërthejë… por ai i ka tronditjet të brendshme, lumenj të nëndheshëm dhe më kot presim shpërthime. Në poezinë më të mirë Moikomi ka një turbullim të brendshëm, dritë parajsore, boshësi që dhemb; ai fluturon gjetiu dhe jashtë kontekstit, ai kërkon metaforën me një entusiazëm qiellor dhe dëshpërim prej ferri… Dikush tha se metafora e ngjeshur i ngjan gruas në ditët e saj të lindjes, plot ankthe dhe komplekse enigmatike për atë që pret. Ai e di se metafora e zgjon lëndën. Ajo, kur vjen spontanisht u ngan zogjve që këndojnë pa e ditur ç’thonë. Por poeti e di, zogu e ka brengën në gushë, atje te notat, ku ngjizet simfonia. Metaforat e Moikomit kanë një energji neutronesh e protonesh jashtë formulës së shpërthimit, bërthama të thella palimsestesh, pamflete seriale që i drejtohen botës për njohjen e botës, vdekjes dhe  paqes njerëzore. Ai propozon që fjala pranëvenë në gurvarre mermeri të ketë statujat e saj. Kjo poezi e lashtë si te tragjikët grekë, e re si te Gëtja dhe më e re si te Stivensi e Lorka, njëkohësisht origjinale si te Moikomi. Se Poezia (princesha e letërsisë dhe artit) është guxim i të pathënës. Përbrenda saj është aftësia dhe prirja për të heshtur, për të heshtur për gjërat që dihen, për ato që nuk thonë asgjë; fjala poetike triumfon në zgrip të vetvetes. Ajo e merr dimensionin e saj në mosdukje. E fjala artistike, ngjyra, tingulli veç sekreteve brenda gjinisë, karakterizohen nga ajo mjeshtëri artistike që ka dy sekrete të mëdha, të thjeshta në dukje që duken si kontradiktore: e para, ta zbulojë sendin që do eksplorojë, e dyta, ta fshehë (Oaze).

*   *   *

Personalisht, ky organizëm i ngjizur metaforash, mua  më kujton Borgesin, atë djallin e bibliotekës kozmike, që as vetë nuk e dinte erdhi në tregim nga eseja apo eseja ishte një lloj çelësi për të hapur çdo derë të letërsisë dhe dijes njerëzore. Sidoqoftë, që ta kuptosh Moikom Zeqon, duhet të hipësh në të gjitha pemët e pyllit të tij, t’i shposh të gjithë puset e naftës; të notosh dhe të mbytesh në një det të trazuar…, dhe do shikosh të gjithë rrathët e ferrit, të shkosh në lashtësi, në mesjetën e Buzukut e Bogdanit, e pastaj përsëri të nisesh galaktikave e fund-deteve duke mbajtur frymën… Por unë nuk jam “çmendur” të bredh hap pas hapi ndaj një të “çmeduri” tjetër… Të shkruash vazhdimisht për të qenë një libër, do të thotë që në kraharor të kesh një flakë të veçantë si Moikomi, që synon ndriçimin e dhimbjes njerëzore. Poeti, ai i pari, i ka besuar plagët e Krishtit se ai që i ka shkruar, më së paku, ka qenë poet. Dhe lexuesi i vëmendshëm e beson se ato gozhdët në trupin e Krishtit çelin rreze drite në trupin e çdo njeriu. Dhimbja është universale. Dhe mbi të qarën e shiut e të erës. Se jeta e njeriut është gropa-gropa ngopur me natë. Dhe vjen poeti, zogu i shpresës, mbi të, së sipërmi sikur bie një dritë e së bashku me vuajtjet e tij, faqe më faqe fle dikush tjetër që është gati të vdesë me të. Se kjo botë ka shumë uri, etje, përbuzje, nënshtrim, spitale, borxhe, telashe e plagë shumë…

*   *   *

Aty-këtu revoltohem dhe flas me vete, po pse Moikom, them, pse nuk e ke zhvilluar këtë apo atë gjetje kaq interesante, pse më thua që të lexoj një roman që nuk është shkruar akoma; pse e gjen mademin e metalit të çmuar, e piketon vendin, e shpall zonë të minuar, i vë kryqin si ata minakërkuesit e pasluftës tinzare dhe ikën, ë, pse? Pse nuk zgjedh 100 poezi që të rrojnë më tepër se ne?… Më duket se duke botuar mijëra poezi, na humbasin dhe ato 100 të artat, që do dëshironte t’i  kishte çdo poet i madh në botë për t’ia lënë njerëzimit. Më duket se vjen një kohë që duhet të vëmë rregull, të bëjmë inventarin, t’i sistemojmë dhe t’i vendosim monedhat sipas vlerës… Se dihet që thesari përcaktohet nga sasia e monedhave  që konvertohen në flori. Ti je i çuditshëm, vëlla, milioner i krimbur në para dhe ti nuk e di ku i ke pronat. Dhe unë të qasem duke të treguar ku i ke arat! (Ndoshta dhe qeveria jote ta di pasurinë ndaj nuk të jep punë. Ti punon për nesër. Të rrofshin metaforat, vëlla.)

Po ç’po them? Po i tregoj poetit busullën e pamundur, po i them metaforës të zbatojë rregullat e qarkullimit! Më fal, poet! Nuk dua t’i tregoj “babait” ku i ka arat, por njeriu në monolog shan edhe vetveten. Nuk mund të kritikohet një “i lënur” që po ndërton “Kullën e Babelit”. Nuk e besoni? Shiheni! Ai e ka ndërtuar skeletin, shiheni, është krah për krah me të gjithë poetët e botës, me murgj të ditur dhe projektuesit e një Ferri të ri; ka dhe Pesoan pranë, e kam parë dhe me me arqitekt Sinanin te Xhamia Blu apo te kisha e Shën Sofisë; dhe me De Radën e Naimin. E kam parë dhe me Onufrin që skuq majëmalet shqiptare si Diell i gjakosur…Oh, oh! Ai …”shamia prej zjarri”…Oh. Oh! “Kam harruar të qaj”… “Onufri është vajtim/ i burgosur në lëkurë/ A e thith dot gurin/ ashtu si ajrin?/ Peizazhet janë një koncert/ i shekujve/ pa dëgjim/ Një zambak/ lehonë/ ka pjellë/ një nepërkë/ Po kush flokët e kuq të Judës/ i kthen në trëndafila?”)

Të kam parë përqafuar me Migjenin si puthje gjaku duke i dhuruar mushkëritë e tua se s’ngopej me ajër ai, poeti i brishtë, sythi më modern i letërsisë shqipe…, se e kish mpakur dhimbja, e kish thithur varfëria dhe mjerimi i njeriut shqiptar. Dhe vdiq ai, buzëpjekur nga zjarri. I dhimbur deri në palcë, por i patretshëm. Se metaforat nuk treten. Vdiq Migjeni. E mua m’u bë se vdiq Moikomi. Se kjo botë e poshtër kurrë nuk i ka kuruar poetët. “Mushkëritë e Migjenit në gjoks/ shëroj përfundimisht/ i kthej në Kashtë të Kumtrit/ për të bërë frymëmarrje vetë kozmosi”; se ai qe nisur për në Parajsë por ajo i zvogëlohej dhe në Bibël, Moikom,  dhe ti ndoshta e di se atje nuk ka shtëpi banimi për të gjithë; dhe ti duhet të kesh një sinjal prej së sipërmi që kërkon t’i  kapërcesh pa zhurmë të vdekurit e mëdhenj, duke i rënë ferrit kryq e tërthor!

*   *   *

Por e pamëshirshme vjen pyetja: Ç’do mbetet nga libri ynë, nga kapitujt e jetës sonë mbrujtur shkronjash të zeza në tekst? A ka kritere vlerësimi? Po ka. Vetëm një kriter “shkencor”, niveli artistik. Matësi është dhënë. Që në kohën e Aristofanit. Të matim peshën e metaforave – tha ai mjeshtri i madh… Dhe gjyqin e fitoi Eskili kundër Euripidit… Nuk më kujtohet sa peshonin figurat e tij, se prova u bë në Had, por e mësoi gjithë bota mijëra vjet para nesh. Ky është gjyqi i fundit i poetit. Pesha e metaforës.

*   *   *

Umbrol: “Të jesh shkrimtar do të thotë të mos arrish botën”, ky kontradiksion disi fatal, ka futur në mendime shumë estetë. E pra, po e hoqe atë monoklin nga sytë, bota të jepet direkt – me bukuritë dhe shëmtitë e veta të dukshme për të gjithë; pikërisht këtu humbet poeti. Një libër a njëqind të Moikomit janë libra autobiografikë. Është autori dhe kanë një subjekt, njeriun. Ai e njeh dhe Jeronimin dhe ia beson fjalën: Poeti duhet të punojë në qeli. Për të bota është një fletë e bardhë që duhet nxirë. Ta kthesh këtë botë në tekst, do të thotë të digjesh, të marrësh flakë me gjithë idetë e tua. Pastaj të kthehesh në prushërimë zjarri. Pastaj në hi. Pastaj ta lexosh hirin. E pastaj të ringjallesh nga hiri. Poeti i pranon të tëra sfidat. Dhe nëse është i vërtetë, i ngjan lëndës së mermerit që mund të rrijë i mbuluar me kodra dheu për një kohë të gjatë, por ai  duron gurë e dhera përsipër, me baltën e rëndë në sy, por e di se: Në mos gur në tempuj a statuja perëndish, në mos buste për vasha të bukura… Një ditë, mbi ballin e tij të lëmuar do çelin gërma të arta.

Share This Article
7 Comments
  • URIMET ME TE MIRA PER PIRRON DHE MIKUN TONE MOIKOMIN.
    SHKRIM QE TE GEZON PER DIMENSIONIN E GJERE TE VLERESIMEVE, PER DASHAMIRESINE INTELEKTUALE QE E SHOHIM RRALLE DHE NJOHJEN E PLOTE TE DIMENSIONIT KRIJUES MOIKOM-D.AGOLLI E QUAN ME TE MENCURIN E BALLKANIT-

  • ORE, NUK E KUPTOJ PERSE MERRENI ME “MAJMUNA ME KURDISJE” QE NUK KANE ASNJE PIKE VLERE.

    KESAJ I THONE TI ..IESH ME DORE.

  • Piro Loli! Te falenderoj me zemer qe ke shkruar kete mrekulli. Ai meriton me shume. Gjithsesi ti e bere tenden shume bukur.
    Moikom Zeqon e kam degjuar dhe lexuar. Me ka mrekulluar. Kur fliste nje here per Vexhi Buharane, beratasin e madh, njohes i persishtes, mesova shume dhe me teper nga thjeshtesia e vertetesia r thenies se provave.
    Ty Piro te ka folur zemra. Kjo eshte mjaft e rendesishme. Pak vetave u flet zemra sot. Me shume u flet xhepi dhe buzet mekanikisht e ftohtesisht. Ty jo. Napoleon Bonoparti thoshte se: “se une mund te kem tere te metat e botes, por mosmirenjohes nuk jam”, e me tej… “burri duhet ta kete zemren ne koke!”, ç’ ka me rezulton te ti Piro, pa le me tek Moikomi…
    Bukur mire!
    Te lesh Moikom Zeqon pa pune eshte me shume se fatkeqesi. Mbase nuk e duan trurin sot, por…
    Sot, idashur Piro, botohen shume. Madje dhe nga njerez me te mesme e 8 vjeçare. Çudi per t’ u çuditur! Njeriu kur kalon te 60-tat tere pervojen e jetes e nguros ne nje liber. Po keto nuk jane libra.
    Ty te lumte mendja, pena e zemra qe evidentove bukr mire te madhin Moikom Zeqo.
    Dhe ne fund homazh per nje fare Arbeni…

  • Po a mund te hidhen ne rruge keto vlera?Partia Socialiste e ka lluksin te perjashtoje nga kontributi vlera si Moikom Zeqo! Po na drejtojne kalamajte pa ditepune ne bordero,pa zanat,pa profesion,me nje djall CV ku numurohen lojrat kompjuterrike,haragopjet ne pube,hardallosjet neper bote dhe OJQ-te.

  • C’sjell momenti nuk sjell viti..

    (Faleminderit z. Piro Loli-,kjo nate me Ju ne Toronto).

    I a fala sime shoqe,verejtie qe me beri,me te drejte:
    -Ke gjith diten mbi komputer, lere se u marose.”…
    Isha Eklipsuar duke lexuar, miq e shoke te nderuar;
    Sa te mirin Piro Loli ne faqen e tij kompjutorike me te nderuari Moikom Zeqo,sa Albert Zholin.(qe me ka haruar..)
    -Po e le -i them asaj, sa per ta qetesuar,teksa ajo me tregon dhe darken shtuar,sa-erdhen femijte( Dhenderri dhe vajza, qe percollen djalin per ne Montreal,ne nisien e mbrojties se “Doktoratures”..
    Ne vend ta mbyllia, hapa insiktivisht sekuencat filmike e habitem.-Tirane 2 janar 2016-kronike filmi dhe c’film?!.
    ( U shty programi darkes,se bashku familiarisht sa ardhur dhe vajza me te shoqin( nuk me lene te permend emra)
    Ndjekim te parat sekuenca me pamje filmike dhe jetojme me Tiranen tone, sa ju te nderuar miq e shoke.
    “Drama e Shpreses”;autor Piro Loli. vertet Shprese.Nje kenaqesi sa clodhie dhe per ata pa 6 ore ruge me autonjetin e tyre,
    Faleminderi Piro Lolo ate hedhur ne faqe tende ..
    Si si ish mesues nuk mund te rri pa uruar fillimin e vitit te Ri shkollor nxenesve dhe mesuesve nje jete me ta sot e 25 vjet plot dale ne pension.(Lotet me tradhetuan…).
    Ne”clodhur”,pare ate manifestim kushtuar shkrimtarit Piro Loli me kronika e 2 janarit ne peruriimin e librit tij.
    U clodha e psheretita thelle.Qe ne skuencat e para, m’u prezantua, salla model e Pallatit Madh te kultures, pergatit per ate e vendiment me nje ballore ne skene’
    “Me shkrimtarin Piro Loli ne librin e Ri
    “Drama e shpreses”.
    Kijtoj;si i pasionuar, ne ate aktivitet,nuk me zune kembet dhe,duke bere fotografi te rastit, Sa Telekronisti pasionant,Vasil Rapi ani se si une i moshuar, sa Mjeshteri veteran,Ilia Terpini me kamera filmon.
    Ne podium mes te ftuarve i nderuari shkrimtar Pr. Mojkonm Zeqo, krah drejtuesve te shoqates,’Zagoria”, dhe Drejtori Muzeut qendror e.salla mbushur plot e perplote.
    Po e shoh sot 05 shtaror 2016 ne Toronto, shkuar tek vajaz me femijet e mar nje gezim te dyfishte: nxjerre mallin plot dy muaj larguar nga JU,sa prane femijeve (Vajza me djale e vajze),qe me bejne sot,gezuar,me nje gezim te dyfishte.nipi Jorgjo Fatmir Kalo,nisur ne Montreal, mbrojtien e “DOKTORATURES” per Piano,
    Ai,sa mbaruar dy vjet specializim, pas Universitetit perkates ne Otave.Me fani te nderuar miq e shoke,ndaj kete gezim me Ju. C’tu them o vellezer, vec,paci shendet e suksese te gjthe.
    Shkrimtarit pasionat Piro Lolit sa te madhit Shkrimtar e studiues Moikom Zeqo.
    80 vjecari me JU

    Toronto 0500902016 Dhimiter M Xhoga

  • C’sjell momenti nuk sjell viti..

    (Faleminderit z. Piro Loli-,kjo nate me Ju ne Toronto).

    I a fala sime shoqe,verejtie qe me beri,me te drejte:
    -Ke gjith diten mbi komputer, lere se u marose.”…
    Isha Eklipsuar duke lexuar, miq e shoke te nderuar;
    Sa te mirin Piro Loli ne faqen e tij kompjutorike me te nderuari Moikom Zeqo,sa Albert Zholin.(qe me ka haruar..)
    -Po e le -i them asaj, sa per ta qetesuar,teksa ajo me tregon dhe darken shtuar,sa-erdhen femijte( Dhenderri dhe vajza, qe percollen djalin per ne Montreal,ne nisien e mbrojties se “Doktoratures”..
    Ne vend ta mbyllia, hapa insiktivisht sekuencat filmike e habitem.-Tirane 2 janar 2016-kronike filmi dhe c’film?!.
    ( U shty programi darkes,se bashku familiarisht sa ardhur dhe vajza me te shoqin( nuk me lene te permend emra)
    Ndjekim te parat sekuenca me pamje filmike dhe jetojme me Tiranen tone, sa ju te nderuar miq e shoke.
    “Drama e Shpreses”;autor Piro Loli. vertet Shprese.Nje kenaqesi sa clodhie dhe per ata pa 6 ore ruge me autonjetin e tyre,
    Faleminderi Piro Lolo ate hedhur ne faqe tende ..
    Si si ish mesues nuk mund te rri pa uruar fillimin e vitit te Ri shkollor nxenesve dhe mesuesve nje jete me ta sot e 25 vjet plot dale ne pension.(Lotet me tradhetuan…).
    Ne”clodhur”,pare ate manifestim kushtuar shkrimtarit Piro Loli me kronika e 2 janarit ne peruriimin e librit tij.
    U clodha e psheretita thelle.Qe ne skuencat e para, m’u prezantua, salla model e Pallatit Madh te kultures, pergatit per ate e vendiment me nje ballore ne skene’
    “Me shkrimtarin Piro Loli ne librin e Ri
    “Drama e shpreses”.
    Kijtoj;si i pasionuar, ne ate aktivitet,nuk me zune kembet dhe,duke bere fotografi te rastit, Sa Telekronisti pasionant,Vasil Rapi ani se si une i moshuar, sa Mjeshteri veteran,Ilia Terpini me kamera filmon.
    Ne podium mes te ftuarve i nderuari shkrimtar Pr. Mojkonm Zeqo, krah drejtuesve te shoqates,’Zagoria”, dhe Drejtori Muzeut qendror e.salla mbushur plot e perplote.
    Po e shoh sot 05 shtaror 2016 ne Toronto, shkuar tek vajaz me femijet e mar nje gezim te dyfishte: nxjerre mallin plot dy muaj larguar nga JU,sa prane femijeve (Vajza me djale e vajze),qe me bejne sot,gezuar,me nje gezim te dyfishte.nipi Jorgjo Fatmir Kalo,nisur ne Montreal, mbrojtien e “DOKTORATURES” per Piano,
    Ai,sa mbaruar dy vjet specializim, pas Universitetit perkates ne Otave.Me fani te nderuar miq e shoke,ndaj kete gezim me Ju. C’tu them o vellezer, vec,paci shendet e suksese te gjthe.
    Shkrimtarit pasionat Piro Lolit sa te madhit Shkrimtar e studiues Moikom Zeqo.

    80 vjecari me JU

    Toronto 05-09-2016 Dhimiter M Xhoga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *