Bota letrare e pasur e Moikom Zeqos është nga më të çuditshmet, – mbase më e çuditshmja në përvojën time të lexuesit.
Natyrisht kjo veçanti e kësaj bote është e natyrës së shkrimit, polidimensionale në përmbajtje dhe polifonike në estetikë, siç thotë Alfred Uçi, – por edhe në ritëm prurjeje, “sepse këtë dekadën e fundit, ka botuar, pa ekzagjerim, një bibliotekë të tërë librash”.
Dhe sapo arrin të sistemosh përshtypjet e një libri të lexuar, në derë troket ai i radhës, gjithnjë voluminoz dhe akoma më i çuditshëm…
Në pamundësi të përballimit të ritmit, lini një botë të çuditshme letrare anash për ditë më të ngeshme.
Gjithsesi, me fajin e plogështisë së ambientit dhe të lexuesit të pamësuar me një tempo dhe me një natyre të tillë shkrimi…
I veçantë? Një atribut që ne e konsumojmë shpesh edhe si mbulesë përkufizimi dhe specifikimi artistik, kur duam të veçojmë një vepër a një autor.
Ndërkaq bota letrare e Moikom Zeqos vërtet është e pangjashme.
Me një rast, Dritëro Agolli me të drejtë ka zënë ngoje një “fatkeqësi” të Moikomit: “ Vepra letrare e tij, lexuesit do t’i ketë në të ardhmen…”.
Veçori tjetër, gjithashtu, është informimi dhe formimi kulturor në kufi euriditi, është mbamendje-regjistër i pafund në hapësirë e në kohë.
Më duket prandaj se i shkon mendimi i disa studiuesve të huaj që, kur flasin për veçoritë e romancierëve amerikanë të shekullit të njëzetë, në fillim veçojnë formimin dhe formatin kulturor të autorëve të atjeshëm.
Në këtë sërë leximi, me këtë rast do të veçoj mbase librin e tij më të ri me tregime (mbase), “Papagajtë e Nembrotit”, botuar gjatë vitit që lamë pas. Dhe përshtypja e pashmangshme, konstante: Tekst letrar, fiksion mund të jetë, përkatësisht është çdo gjë që “prek” dora dhe imagjinata e Moikom Zeqos, çdo nismë bisede, kudoqoftë ajo, çdo takim rasti, në kafe, rrugë a kudoqoftë, çdo lexim libri, i çfardo fushe dhe kohe qoftë ai, çdo takim me miq, të kërkuar e të rastit, çdo takim rasti me të njohur e të panjohur, në Shqipëri a kudoqoftë, çdo detaj përjetuar, çdo përshkrim, çdo mbamendje e ngacmuar nga një shkëndijë…
Krijimtaria imagjinative, artistike, edhe letrare pra e tij, (Moikomi është edhe piktor i pangjashëm), si frymëzim, nuk është e lidhur vetëm me një hapësirë, as vetëm me një gjuhë dhe një komb, as vetëm pas një tradite. Imagjinata e tij krijuese mëton dhe është përtej kufijve, përtej tavanëve të tillë.
Pyetjet, njësoj si poentimet, edhe me këtë rast, pra tek libri në fjalë, janë të këtyre përmasave. (Moikom Zeqo beson se çelës i dyerve të qenies dhe botës borgesiane, janë pikërisht pyetjet e vërteta).
Dhe tregimet ziejnë nga pyetjet e tipit: pse Uliksi dinak ia hodhi aq lehtë Polifemit, duke i thënë se është Askushi, pse Jehovai nuk arriti t’ia hedhë Pilatit kur u përgjith “jam e Vërteta”, e që pasoi me tjetër pyetje nga ky i fundit, ç’është e vërteta, etj. Edhe poentimi, rëndom përmes një parabole lëvizëse, është i kudopranishëm, i kudondodhur, si një vërtetësi e përhershme në më shumë qendra të universit njerëzor…
Toposet, personazhet qoftë realë a të ngjizur në hapësirën arbërore apo kudoqofshin në univers, qëndrojnë njësoj nga distanca dhe perspektiva e narratorit që kundron, që observon dhe percepton, që e ndien dhe e përjeton botën, universin, si banor i saj i kudo dhe kurdondodhur, si banor i përhershëm në shtëpinë e vet, në oborrin dhe kopshtin e vet të lindjes, nga ku zgjat dorën, kthen shikimin dhe prek e merr çfarë i duhet…
Bredhja e tillë e imagjinatës së Moikom Zeqos, për të shtruar edhe pyetje e për të zhbiruar enigmave dhe mistereve pashmëpashë hapësirës dhe kohës, është rrëfim i pakëputur, i palimituar as si fillim as si mbarim.
Nuk të shqitet për asnjë çast ndjesia se, në krahët e kësaj imagjinate ke bindjen se çdo gjë në këtë botë është një mister, përkatësisht çdo gjë e qartë kristalisht.
Cipa që ndan njërën nga tjetra sa përfundimisht e padepërtueshme sa lehtësisht e tejdukshme. Ta ofron këtë ndiesi dhe perceptim rrëfimi i Moikomit me një lehtësi narrative të magjishme.
Thjesht, subjekti narrativ i këtij autori shtrihet dhe është tërë ajo që ekziston, tërë ajo që përbën thelbin e universit njeri në kohë dhe në hapësirë. Prandaj, narratorit në bredhje i është lejuar, – zgjidh e merr, por ama me një kusht: ta shpirtërojë lendën e tërhequr…
Dhe Moikom Zeqo në prozën e vet tregimtare i jep shpirt rrëfimit.

Eshte shume e vertete, Moikomi eshte nga njerezit me te kulturuar te kombit shqiptar.
Mbreme vone te TVSH degjoja Mojkomin ne nje interviste.U mbusha me plot mendime e emocione.Mojkomi eshte ipervecem ne llojin e shkrimtareve,poeteve,studjuesve e historioneve shqiptare.I kalon permasat e njerezve te zakonshem.Ia kam lexuar me vemendje shumicen ,se e adhuroj.edhe per vlerat si njeri.Dakortesohem me prof Aliun dhe me Dritero Agollin qe thote se veprat etij i takojne se ardhmes. Por sa pak vemendje ka shteti yne?! 1Sa erdhi PD e Salikermes nder te paret u hoqMojkomi edhe pse eshte nder te paret qe u ngrit kunder diktatures komuniste ne kongresin e themelimit te PS.Edhe per kete e beri pushimin Salikrimineli diktator.2Titull doktor Mojkomi kur u bene prof dokt injorante. 3Ende i papune edhe tani. 3Ai mavropresidenti ka dhene dhe pa e merituar tituj nderi.Ketij personaliteti te kultures sone i takon.Mos tu shterte fuqia e shpirtit per te miren e kombit.Mojkom!
I NDERUAR Z . ALIU ! Shkrimi juaj ishte mbreslenes sepse : -vlersoni saktesisht dhe
ne menyre profesjonale, plotesisht te merituar Z .MOIKOM ,te cilin personalisht e konsideroj si njerin nga 10 NJERZIT E MEDHENJ TE KOMBIT SHQIPTAR PERGJATE SHEKUJVE .MOIKOMI, REALISHT PERFAQSON NJE LIBER SHUME VELIMESH ,NUMBRI I TYRE AKTUALISHT NUK MUND TE PERCAKTOHET ; NUK GJENDEN NJESI MATESE PER ATE CILESI , SASI DHE LLOJSHMERI KRIJUESE TE PUNES PERKUSHTUESE TE ZOTIT M . ZEQO !